• Tahiri hedh topin te kolegët në Qeveri për trenin në veri, ata heshtin

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se çështja e transportit hekurudhor nuk ka qenë pjesë e dialogut të Brukselit.

Për këtë çështje drejtojuni Zyrës së Kryeministrit, ministrit të Infrastrukturës dhe Autoritetit Rregullator për Hekurudhat. Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saj ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultranacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë”, ka thënë Tahiri në një përgjigje për KTV-në. “Prandaj duke qenë se nuk ka qenë temë në dialog, mendoj se duhet te kontaktoni institucionet kompetente për këtë fushë”, ka shtuar më tej ajo.

E Ministria e Infrastrukturës, të cilën e përmend Tahiri, sot është krenuar se të gjitha rrugët nacionale janë të liruara nga bora, dhe se po ndihmohen Komunat për rrugët sekondare.

Menaxherët rajonalë me ekipet mbështetëse të MI-së dhe kompanitë e kontraktuara po vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie pa ndërprerë, duke monitoruar, pastruar dhe mirëmbajtur të gjitha rrugët e vendit. Po ashtu, ekipet e MI-së po vazhdojnë t’u dalin në ndihmë ekipeve lokale nëpër komunat e Kosovës në çdo kërkesë të tyre”, thuhet në një njoftim të MI-së, përcjell Koha.net. “Të gjitha rrugët në vend janë në gjendje të mirë, ndërsa ekipet e MI-së po vazhdojnë të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që zhvillimi i komunikacionit në vend të jetë i sigurt dhe pa pengesa”, thuhet më tej aty.

Asnjë fjalë për hekurudhën nga MI-ja. Madje asnjë fjalë nuk e ka thënë as kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që shpeshherë i drejtohet publikut përmes profilit të tij në Facebook. Ka heshtur edhe kryeparlametari Kadri Veseli. Ndërsa kreu i shtetit, Hashim Thaçi, që sot ka shkruar në profilin e tij në Facebook, i ka lënë vend edhe njëherë vend fjalëve për të ngushëlluar familjen e Ramiz Kelmendit, për humbjen e doajenit të gazetarisë e shkrimtarit të njohur.

Në anën tjetër, fjalën e vetë Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave e ka thënë më 12 janar. E ka cilësuar si të jashtëligjshme linjën Mitrovicë – Beograd.

Në bazë të Ligjit të Hekurudhave të Kosovës, i vetmi autoritet përgjegjës në Kosovë për licencimin e ndërmarrjeve hekurudhore, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit hekurudhor dhe dhënien e certifikatave dhe autorizimeve të sigurisë për nënsisteme hekurudhore është Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës (ARH). Në ketë drejtim, dëshirojmë të informojmë institucionet e vendit, qytetarët dhe të gjithë akterët, duke u bazuar në Ligjin e lartcekur, Neni 91, në mënyrë shumë të qartë dhe specifike e ndalon operimin e një ndërmarrje hekurudhore, brenda territorit të Republikës së Kosovës, pa qenë paraprakisht e licencuar dhe e pajisur me Certifikatë të Sigurisë”, ishte thënë në njoftimin për media të këtij institucioni. “Ne si ARH konfirmojmë se kompanitë në fjalë janë ilegale dhe se asnjë kërkesë apo aplikacion për Licencë apo Certifikatë të Sigurisë nuk është pranuar nga ana jonë për operime me trena pos kompanive që tanimë janë të licencuara dhe të pajisura me Certifikatën e Sigurisë tek ne si Rregullator përgjegjës. Si rrjedhojë, çdo operim i cilës do ndërmarrje hekurudhore pa u pajisur me Licencë si dhe Certifikatë të Sigurisë është i kundërligjshëm dhe i papranueshëm për ne”, thuhet në njoftim.

Përderisa Qeveria ka heshtur të zëshëm kanë qenë opozitarët. Rexhep Selimi i Vetëvendosjes ka thënë “nëse Serbia mund të hyjë me tren në Kosovë pa pyetur askend atëherë shumë lehtë mund të hyjë edhe me tanke”.

Edhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk pret “që Qeveria e nënshtruar ndaj Serbisë të heqë murin e ta ndalë trenin”.

Edhe kolumnisti i Kohës Ditore e drejtori i Institutit Riinvest, Lumir Adbixhiku, ka shprehur bindjen se heshtja e Kosovës ndaj Serbisë i jep zemër kësaj të fundit për të mos u ndalur me veprime që cenojnë sovranitetin e shtetit.

Treni që është nisur në mëngjes nga Stacioni kryesor i trenit në Beograd, bashkë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pritet të arrijë në pjesën veriore të Mitrovicës në mbrëmje. Trenin që Rusia ia dha në dhjetor Serbisë është mbuluar me flamur trengjyrësh, e me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të ndryshme të botës përfshirë edhe shqipen. Brenda ka afreskat e katër monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës që UNESCO i ruan si trashëgimi ortodokse serbe në Kosovës.

Tags

Jan 14, 2017 14:44 Europe/Tirane
Komente