• U mbajt Konferenca me temë “Dyert e hapura, udhëtimi ndërkulturor Iran-Shqipëri”

Sot në qendrën kulturore “Shahre Ketab” (Qyteti i librit) u mbajt konferenca me titull “Dyert e hapura, udhëtimi ndërkulturor Iran-Shqipëri”, ku përpos personaliteteve iraniane, morën pjesë edhe profesorë të Universitetit të Tiranës si Emil Lafe, profesor i gjuhës dhe letërsisë, Artan Puto, profesor i historisë, Arben Tafaj, drejtor i shoqatës “Tirana”, si dhe Skender Muçaj, arkeolog.

Sipas gazetarit të agjencisë së lajmeve Parstoday, hapjen e konferencës e bëri z. Ali Asger Mohamed Khani, drejtor i qendrës kulturore “Shahre Ketab”, i cili përpos që falënderoi të pranishmit, bëri një përshkrim të shkurtër të aktiviteteve të institucionit që ai drejton si dhe foli në lidhje me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimeve kulturore midis Iranit dhe Shqipërisë. Z. Mohamed Khani midis tjerash theksoi se qendra kulturore që drejton ai, herë pas here ka zhvilluar kontakte me personalitete nga vende të ndryshme për njohjen e ndërsjellë të kulturave, ndërsa sa i përket kontakteve me Shqipërinë, ai përmend shkrimtarin e njohur shqiptar Xhevahir Spahiu, i cili ka thënë se Irani ka një kulturë dhe civilizim shumë të hershëm dhe të pasur dhe është gjithashtu magjepsës si kulturë dhe civilizim, që do t’i rezistojë kohës dhe do t’i bëj për vete shumë popuj të tjerë dhe shqiptarët e duan këtë civilizim dhe janë të interesuar t’a njohin atë edhe më shumë.

Image Caption

Z. Mohamed Khani në fund të fjalës së tij kërkoi që iranianët të njohin kulturën shqiptare, duke përkthyer veprat e shkrimtarëve bashkëkohor shqiptarë, ku sipas tij, përpos disa veprave të Ismail Kadares, në gjuhën perse nuk është përkthyer ndonjë shkrimtar tjetër shqiptarë. Në vazhdim të konferencës, fjala iu dha z. Emil Lafe, i cili tha se kjo është hera e dytë që viziton Iranin, ndërsa udhëtimi i tij i parë ishte realizuar në dhjetor të vitit 2004 dhe pritja e ngrohtë që iu kishte bërë gjatë vizitës së tij të parë, e ka shtyrë atë që t’a vizitojë Iranin përsëri. Z. Lafe në pjesën e parë të fjalimit të tij ka folur në lidhje me ndikimin e gjuhës perse në gjuhën shqipe, ku sipas tij, ekzistojnë rreth 600 fjalë perse të cilat përdoren në gjuhën shqipe.

Image Caption

Z. Lafe ka thënë se këto fjalë nuk janë futur në mënyrë direkte nga iranianët, por një gjë të këtillë e ka bërë Perandoria Osmane, e cila pos gjuhës, në rajonin e Ballkanit ka shpërndarë edhe kulturën dhe civilizimin pers. Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, profesor Lafe ka folur në lidhje me veprimtarinë e poetit shqiptar Naim Frashëri, si dhe mbi aktivitetet e Fondacionit kulturor iranian “Sa’di Shirazi” dhe revistës “Perla”, ku edhe ushtron funksionin e kryeredaktorit të kësaj reviste që botohet në gjuhën shqipe. Më pas, fjalën e mori profesor Artan Puto, i cili fjalimin e tij e nisi me një kuriozitet personal, duke sqaruar një fakt që e lidh atë me Iranin. Z. Puto tha se Irani i kujton atij periudhën e kalimit të tij nga mosha e fëmijërisë në adoleshencë dhe sipas tij, do të ishte shumë e habitshme për çdokënd se, çka e lidhë një fëmijë apo një adoleshent shqiptar me Iranin. Në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, z. Puto thotë se pas fillimit të gjimnazit, ishe i detyruar të kaloje nga organizata e pionierëve në organizatën e rinisë komuniste. Kur futeshe në organizatën e rinisë të shtronin disa pyetje për të parë sa i informuar ishe me realitetin ndërkombëtarë dhe atëherë ishte viti 1979, kur në Iran sapo kishte ndodhur Revolucioni dhe unë ju përgjigja pyetjeve në lidhje me Revolucionin iranian. Dhe qeveria e asaj kohe ishte e interesuar që të paraqiste aspektin anti-imperialist të Revolucionit iranian dhe kishte shumë informacione për mënyrën sesi po zhvilloheshin ngjarjet në Iran. Profesor Puto po ashtu dha edhe një historik të shkurtër të ngjarjeve historike të Shqipërisë, që për të pranishmit zgjoi tepër interesim.

Image Caption

Pas z. Puto, fjalën e mori z. Arben Tafaj, i cili përpos që falënderoi organizatorët për ftesën, dha një historik të shkurtër të aktiviteteve të shoqatës “Tirana”, i cili tha se kjo shoqatë është themeluar në vitin 1991 dhe tani përpos aktiviteteve brenda Shqipërisë, zhvillon edhe shumë ngjarje tjera kulturore jashtë territorit të Shqipërisë. Në fund të konferencës, fjalën e mori z. Sejed Husejn Tabatabi, përfaqësues i Ministrisë së kulturës së RII, i cili gjatë fjalimit të tij midis tjerash përmendi vizitën e zhvilluar kohëve të fundit të ministrit të jashtëm të Shqipërisë z. Ditmir Bushati në Iran, që sipas tij ka ndikuar në zgjerimin e marrëdhënieve kulturore midis Iranit dhe Shqipërisë. Fjalimin e tij z. Tabatabi e mbylli me leximin e disa vargjeve nga vepra e Naim Frashërit “Tahajulat” e shkruar në gjuhën perse.

Tags

Feb 13, 2017 14:17 Europe/Tirane
Komente