• Përpjekjet e reja të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kjo e fundit ka lëshuar një deklaratë për media, duke thënë se “të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja”. “Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor, 2017. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, tha Mogherini. Duke folur për gazetarët pas takimit, edhe Thaçi, edhe Vuçiq thanë se janë pajtuar që të shpeshtohen takimet e tilla, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje midis dy popujve. Thaçi tha se nuk ndërhyn në debatet e brendshme në Serbi, porse pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial “janë çështje të përfunduara dhe të pakthyeshme”. “Çdo marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve do të jetë në pajtim me vullnetin e popullit të Kosovës”, tha Thaçi. Takimi i sotëm vjen pas atij të 3 korrikut, në të cilin Thaçi dhe Vuçiq kanë thënë se kanë rënë dakord që bisedimet të hyjnë në një periudhë të re, për të trajtuar çështje përtej atyre teknike. Thaçi atëherë ka shprehur bindjen se kjo periudhë e re do të çojë në pajtimin e dy vendeve dhe do t’i hapë rrugë së ardhmes evropiane. Presidenti i Kosovës sot ka kërkuar sërish mbështetjen e gjithë spektrit politik për idenë e formimit të një ekipi gjithëpërfshirës, në kohën kur Bashkimi Evropian po përgatitet që dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ta kalojë në një fazë të re. Thaçi ka premtuar që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të hidhet në referendum. Sipas tij, marrëveshja për normalizim dhe pajtim të plotë do të aprovohet nga vullneti qytetar. “Kosovës do t’i jepet mundësia për herë të parë, me propozimin tim, që marrëveshja përfundimtare e normalizimit dhe pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë të jetë e aprovuar nga vullneti i qytetarëve të Kosovës. Kësaj radhe do të shkojmë përtej Parlamentit; do të propozoj që kjo marrëveshje të diskutohet, të vihet në diskutim publik, por edhe të kalojë përmes procedurave të deklarimit të qytetarëve të Kosovës – përmes referendumit”, ka thënë ai. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.Normalizimi është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.Me procesin e deritashëm, Kosova ka siguruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ndërsa Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në bllok. Vuçiq po ashtu ka paralajmëruar hapjen e një dialogu të brendshëm për Kosovën, me qëllim që t’i jepet fund, siç ka thënë ai, “qasjes mitike” ndaj saj.

 

Aug 31, 2017 19:23 Europe/Tirane
Komente