• Zbulohen dy varre masive në Bosnjë

Mbetjet e rreth 20 viktimave nga lufta e viteve 1990 në Bosnjë, me gjasë myslimanë boshnjakë, janë zhvarrosur nga dy varre masive të sapozbuluar, tha të mërkurën Instituti për Personat e Zhdukur.

Një nga varret u zbulua në zonën malore të Koricanske Stijene në Bosnjën qendrore, ku më shumë se 200 civilë u ekzekutuan nga forcat serbe në gusht të vitit 1992, pas dëbimit të tyre nga një rajon veriperëndimor. Kjo ngjarje shënoi një nga episodet më brutale në konfliktin ndëretnik, i cili zgjati nga 1992 deri në 1995 dhe la rreth 100,000 njerëz të vdekur. Në fund të luftës, 31.500 njerëz u raportuan të zhdukur. Që atëherë, eshtrat e 25,000 viktimave janë zhvarrosur nga qindra varre masive, sipas institutit boshnjak, duke lënë 6.500 të pagjetur. "Që nga fillimi i zhvarrimit në Koricanske Stijene më 7 shtator, rreth 30 grupe të eshtrave të njerëzve janë zhvarrosur, kryesisht skelete jo të plota", tha Lejla Cengic, zëdhënëse e institutit. Ajo tha se identitetet do të përcaktoheshin nga testimi i ADN-së. Pesë zhvarrosje të mëparshme në të njëjtën zonë, midis 2003 dhe 2013, gjetën mbetjet e 117 viktimave dhe kërkimi vazhdon ende për 98 të tjerë, tha Cengic. Varri i dytë masiv u zbulua në rajonin lindor të Vlasenicës. "Punimet e zhvarrimit filluan të martën dhe deri më tani kemi zbuluar skeletet e plota të 10 njerëzve. Ne besojmë se janë viktima boshnjake muslimane të vrarë në vitin 1992", tha Cengic. Mbi 2,600 myslimanë boshnjakë nga Vlasenica u vranë gjatë konfliktit nga forcat paramilitare serbe.

 

Sep 13, 2017 21:46 Europe/Tirane
Komente