• Mundësia e integrimit në bllok të Ballkanit Perëndimor në BE

Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe për dinamizmin e procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Pjesë e diskutimeve të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ishte edhe kompletimi i rrjetit të rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës së kalimeve kufitare. Në konferencën e përbashkët për shtyp, liderët e Ballkanit, përfshirë kryeministrat e Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe të Shqipërisë, pastaj presidentët e Kosovës dhe të Malit të Zi dhe ministrin e tregtisë së jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, janë pajtuar për hapat kah integrimi më i thellë në Ballkanin Perëndimor dhe kanë shprehur përkushtim për përmirësim të infrastrukturës dhe lidhshmërisë së rajonit. Nga BE-ja mori pjesë Johannes Hahn, komisioner për zgjerim dhe fqinjësi të mirë. Gjatë këtij takimi Banka Botërore ka njoftuar se ka vendosur që të vërë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor shumën prej 200 milionë dollarësh në mënyrë që këto vende të përmirësojnë korridoret kryesore të transportit. Ky vendim i BB synon në zgjerimin e tregtisë mes këtyre vendeve. Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e pikave të kalimit kufitar, efikasitetit të shërbimeve të logjistikës dhe futjen e teknologjisë inteligjente në transportin e mallrave dhe pasagjerëve duke përshpejtuar proceset në pikat doganore. Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Bankës Botërore u shpreh:  “Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga një kosto më e ulët e transportit dhe zgjerimi i tregtisë si rezultat i projektit prej 200 milion $ të Lehtësimit të tregtisë dhe transportit”. Gjithashtu ajo ka theksuar: “Sipas vlerësimit tonë përfitimet pritet të jenë rreth 1 miliard $ në vit – një kontribut i rëndësishëm ky në kuadrin e përpjekjeve rajonale për të nxitur rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive për sa më shumë njerëz.” Georgieva tha se liderët e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë edhe nga eksperienca e Bullgarisë në gjenerimin e fondeve shtesë për të investuar në korridoret ndërlidhëse të transportit. Bullgaria po punon me Bankën Botërore sesi të përdorë në mënyrën më efikase burimet e gjeneruara nga iniciativa e futjes së sistemeve elektronike në autostradat me pagesë – iniciativë që pritet të gjenerojë deri 9 milairdë Euro gjatë dekadës së ardhshme. Financimet e përfituara në këtë mënyrë do t’i lejojnë Bullgarisë të përfundojë infrastrukturën e transportit dhe të behet më konkurruese. Nga ana e tij, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet perspektivë e qartë evropiane dhe BE-ja të ketë qasje gjeostrategjike për rajonin. “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE në bllok, që të sigurohet paqja dhe bashkëpunimi afatgjatë në rajon”, u shpreh Presidenti Thaçi. Ai zhvilloi një takim bilateral edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me të cilin bisedoi për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

 

Dec 07, 2017 20:04 Europe/Tirane
Komente