• Rexhep Meidani: Poezia e Naim Frashërit e ndikuar nga letërsia Perse

Ish presidenti i Shqipërisë i pranishëm në simpoziumin ndërkombëtar “ Analizimi i mendimeve të Naim Frashërit” ka thënë se poezia e poetit të madh shqiptar Naim Frashëri është e ndikuar nga letërsia Perse.

Sipas një njoftimi të zyrës për informim të institutit kulturor dhe të lidhjeve islamike të Iranit, raundi i parë i dialogut kulturor të Iranit dhe Ballkanit, u mbajt në kuadër të simpoziumit ndërkombëtar për analizimin e mendimeve të poetit të njohur shqiptar Naim Frashëri, i cili ka shkruar poezi edhe në gjuhën perse. Ky simpozium u mbajt në ambientet e universitetit Tarbiat Modares në Teheran. Rexhep Meidani ish president i Shqipërisë në fjalimin e tij në simpozium ndërkombëtar të Naim Frashërit në Teheran deklaroi se poeti Naim Frashëri është burim krenarie për kombin shqiptar dhe shtoi se ai është një prej poetëve më të rëndësishëm të Shqipërisë, ashtu siç janë të rëndësishëm për iranianët Khajami, Hafezi, Rumiu dhe Sadiu. Ish presidenti shqiptar rikujtoi se në shekullin e 19-të gjuha perse ka qenë shumë e përhapur në mesin e dijetarëve, mendimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë. Ai pasi vuri në dukje se Naim Frashëri është një prej figurave të çmuara të kësaj periudhe, shtoi: Pikërisht për këtë arsye qeveria dhe kombi iranian e vlerësojnë lartë Naim Frashërin. Naim Frashëri me veprat e tij ka ndikuar shumë në kulturën dhe letërsinë shqiptare dhe librat mësimore në Shqipëri janë të ndikuar nga veprat dhe mendimet e tij. Poezitë atdhedashëse të Frashërit kanë ngritur lart ndjenjën e dashurisë për kombin dhe atdheun. Rexhep Meidani në vazhdim të fjalimit të tij pasi vuri në dukje se Naim Frashëri është i njohur me kulturat e ndryshme dhe sidomos me poezitë e këtyre kulturave si dhe ka pasur njohuri mbi identitetin dhe kulturat e ndryshme në botë, shtoi: Poezia e Naim Frashërit hapi dyert e bashkëpunimit me kulturat e tjera. Ish presidenti Meidani tha se aktivitetet e Naim Frashërit mund të ndihmojnë në shtimin e interesimit të popullit shqiptar ndaj gjuhës perse dhe pasi vuri në dukje pjesëmarrjen e mendimtarëve të vendeve të ndryshme në këtë simpozium tha: Qëllimi i diplomacisë kulturore është krijimi i lidhjeve konstruktive dhe i bashkëpunimit miqësor mes kombeve dhe ulja e armiqësive dhe mosmarrëveshjeve. Diplomacia kulturore mund të bëhet shkak për prezantimin e pikëpamjeve dhe mendimeve të përbashkëta. Në këtë mënyrë mendimet dhe pikëpamjet e Naim Frashërit janë udhërrëfyese për hulumtuesit dhe figurat e njohura universitare që ata të përqendrohen në diplomacinë kulturore me qëllim afrimin e kulturave sa më shumë mes tyre. Ish presidenti i Shqipërisë në një pjesë tjetër të fjalës së tij deklaroi se Naim Frashëri është një poet dhe filozof dhe shtoi se ai  me veprat dhe kontributin e tij ka ngritur lart ndjenjën atdhetare në vend. Frashëri gjithashtu ka krijuar një rilindje në letërsinë shqiptare dhe të rajonit të Ballkanit dhe në këtë mes ai ka qenë shumë i interesuar dhe i tërhequr pas letërsisë dhe gjuhës perse. Veprimtaria e Naim Frashërit krijoi një kthesë të vërtetë në letërsinë e Ballkanit. Rexhep Meidani në vazhdim tha: Mbi 100 vjet më parë me përfundimin e perandorisë osmane në Ballkan, ne u përpoqëm të krijonim vendin tonë dhe Naim Frashëri ka bërë përpjekje serioze në formimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Ai në rrugën e krijimit të vendit ka bërë përpjekje të shumta dhe të panumërta dhe për këtë Naim Frashëri është quajtur shpirti i kombit shqiptar dhe poezia e tij ka ndihmuar shumë në realizimin e këtij objektivi. Me fjalë të tjera filozofia që ndoqi Naim Frashëri ishte bukë dhe ujë për shpirtin e kombit shqiptar. Rexhep Meidani në fund të fjalës së tij tha: Naim Frashëri në poezitë e tij atdhedashëse të cilat janë ndikuar nga gjuha dhe letërsia perse, krijoi një urë për lidhjen e kulturave dhe traditave dhe çka është më e rëndësishme ai ka përcjellë mesazhin e paqes, miqësisë dhe mirëkuptimit. Dje në sallën Martir Motahari të universitetit Tarbiat Modares të Teheranit, me qëllim nisjen e dialogut kulturor të Iranit dhe Ballkanit ka zhvilluar punimet simpoziumi ndërkombëtar për analizimin e mendimeve dhe poezisë së Naim Frashërit. Ceremonia e hapjes së simpoziumit u mbajt në prani të Rexhep Mejdani ish president i Shqipërisë dhe të Abuzar Ibrahimi Turkeman kreu i institutit të kulturës dhe lidhjeve islamike të Iranit. Në këtë simpozium morën pjesë edhe pjesëtarë të akademisë së shkencave të Shqipërisë, personalitete kulturore të Iranit dhe Shqipërisë, si të dhe vendeve të tjera të Ballkanit. 

 

Mar 06, 2018 07:16 Europe/Tirane
Komente