Intervistë ekskluzive me Dr. Shaban Sinani në lidhje me konferencën mbi Naim Frashërin në Teheran.

Profesor Sinani ju uroj mirëseardhje në Iran. Si e shikoni Iranin mbas 20 viteve pas vizitës së tuaj të parë?

Ka ndryshuar shumë. Megjithëse nuk kam pasur shumë kohë për të parë por edhe herën e shkuar kam qëndruar pothuajse në të njëjtin vend si tani. Shoh që ka një progres të dukshëm sidomos në zhvillimin urban. Besoj që është një zhvillim i rregull. Ka gjëra pozitive.

Për mendimin tuaj sa të thella janë të përbashkëtat kulturore mes Irani dhe Shqipërisë?

Po, varet se cilin rrafsh do të zgjedhim. Në qoftë se do të zgjedhim rrafshin gjuhësor shqipja dhe persishtja janë dy gjuhë të një familjeje. Janë gjuhë indo-evropiane dhe të dyja të një nëndege. N.q.s. do të zgjedhim rrafshin e dorëshkrimeve, dorëshkrimet perse në Shqipëri janë që të shekullit 14-të. Ka shumë dorëshkrime që u takojnë poetëve klasikë pers, Sadiut dhe Rumiut të cilët nuk janë lexuar akoma, nuk janë transkriptuar akoma, nuk janë botuar akoma. Por më të lashtët janë shekulli i 14-të. Ka pasur kopjues shqiptarë të cilët ose duke pasur një model përpara ose duke punuar me të kujtuar, shkruanin vargjet, masnavitë e  Rumiut ose shkruanin vargjet e bukura të Sadiut dhe këto ruhen në arkivin shtetëror. Pastaj ka me dhjetëra dorëshkrime në gjuhën perse të cilat i takojnë atij lloji që zakonisht quhet Tasavof. Janë interpretime të mistikës bektashiane që gjenden edhe në bibliotekën kombëtare edhe në arkivat shtetërore. Në qoftë se do të flasim për një prani të traditës letrare perse në Shqipëri, kjo do të fillonte të paktën një brez përpara Naimit. Ju e dini shumë mirë që Hatikaja e Sami Frashërit, me mbi 60 mijë vargje është një përshtatje e një peme të Fuzuliut dhe jo vetëm një përshtatje por me dyfishin e vargjeve të Fuzuliut. Ajo gjithashtu është një vepër e pazbuluar. Nëse do të flisnim mbi krijimtarinë letrare të lidhur drejtpërdrejtë me letërsinë Perse, Naimi vetë është ende i pazbuluar. Sot unë pashë që është botuar për herë të parë gramatika e persishtes klasike me autor Naim Frashërin. Por në letrat e tij del se Naim Frashëri ka edhe një poemë të pazbuluar akoma të shkruar në persisht që quhet “ Vajtimet e imam Aliut (as)”. Dikush duhet ta kërkojë. Ndërsa Samiu ka dy drama të mbështetura tek motivet e Shahnamesë.  Është drama Jave dhe drama Surab. Të dyja janë në dorëshkrim dhe asnjë e pabotuar. Pra dua të them se cili është rrafshi që duam të zgjedhim. Pra nëse zgjedhim letërsinë, jemi së pak një shekull përpara Naim Frashërit.

A mendoni se konferenca që organizohet sot për nder të Naim Frashërit do të ndihmojë në thellimin e marrëdhënieve kulturore mes Iranit dhe Shqipërisë?

Po. Besoj se po. Vëmendja e historisë së letërsisë perse, Iraniane tek Naim Frashëri ka filluar relativisht vonë. Në vitin 1975 ka qenë i pari historian i letërsisë perse që ka shkruar një artikull për kodet poetikë të Naim Frashërit dhe sidomos për praninë e motiveve të Rumiut në veprën e tij. Prej vitit 1975 e këndej kur studiuesit e këtushëm i kanë pikasur këto lidhje kanë kaluar afërsisht më shumë se gjysëm shekulli besoj, ndërkohë që në Shqipëri, lidhjet janë vënë re që në vitet 30-të. Ka qenë Hafiz Ali Korça i cili ka vënë re lidhjet mes poezisë së Rumiut dhe poezisë së Naimit, pastaj ka qenë çudi që nuk është botuar akoma teza e Museneko Kalarit e cila bëri edhe krahasime të teksteve të Rumiut me  tekstet e Naimit. Pra nuk jemi në fillim, por nuk jemi as në fund. Është një hap shumë pozitiv që besoj se do të inkurajojë edhe iniciativa të tjera. Ka shumë të ngjarë që vitin e ardhshëm të jemi sërish këtu për një personalitet tjetër. Do të jemi për Vehxhi Bukharain, si përkthyes dhe kjo do të na japë mundësinë që të shikojmë se cila ka qenë shkolla e persologëve në Tiranë, që ka qenë një shkollë shumë e fuqishme e cila për fat të keq mbas vitit 1944 pati një problem sepse pjesa më e madhe e tyre ishin me implikime të karakterit biografik dhe asnjëherë nuk u doli emri.

Duke pasur parasysh, karakteristikat e veçanta të Naim Frashërit, a mendoni se Shqipëria e sotme ka nevojë për të tilla personalitete?

Shqipëria ka nevojë për Naim Frashërin po aq sac ka nevojë Italia për Danten, po aq saç ka nevojë Irani për letërsinë klasike perse, po aq sac ka nevojë Rusia për Pushkinin. Këta janë poetë që kanë vënë bazat e shqipes që na bashkon. Poetët përpara Naimit kanë shkruar bukur. Të gjithë janë për tu vlerësuar. Por asnjëri nuk arriti ta ngrinte shqipen në nivelin e një komunikueshmërie në shkallë kombëtare. Naim Frashëri sot lexohet pa koment. E lexojnë në veri dhe në jug. Nuk është kaq e kollajtë të lexosh poetë të tjerë. Për këtë arsye nëse duam të respektojmë njësinë, faktorin themelor, shqiptarët në homogjenitetin e tyre kanë gjuhën. Dhe në qoftë se duam ta respektojmë këtë faktor themelor që na bashkon, atëherë detyrimisht duhet t’i kushtojmë të njëjtin aspekt që i ka kushtuar Mihal Grameno në një poezi të shkruar në vitet 20-të e të njëjtin respekt edhe Atë Gjergj Fishta në poemën Lahuta e Malësisë.

Faleminderit profesor Sinani, shpresoj t’ia kaloni sa më mirë në vizitën tuaj në Iran.

Faleminderit juve. 

 

 

Mar 07, 2018 13:25 Europe/Tirane
Komente