Intervistë ekskluzive me Dr. Ali Aliu në lidhje me konferencën mbi Naim Frashërin në Teheran.

Të nderuar miq jemi këtu së bashku me profesorin e nderuar Ali Aliu nga Kosova, i cili është pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare kushtuar poetit të madh shqiptar Naim Frashëri.

Profesor Aliu, si e shikoni Iranin meqenëse është hera e parë që keni ardhur?

Unë e përmenda edhe me një rast tjetër që është një ngjarje që unë u ndjeva mirë. U ndjeva  i nderuar që për Naim Frashërin organizohet një konferencë ndërkombëtare, në Teheran. Naim Frashëri është i njohur pjesërisht këtu, si njohës i kulturës, filozofisë, poezisë klasike të pasur që është një nga majat e kulturës botërore, njerëzore. Naimi e ka njohur mirë këtë kulturë, këtë gjuhë e ka dashur dhe kjo ngjarje është për mua e rëndësishme. Kjo ishte ngasja e parë që pranoj të vij në Iran. Ngasja e dytë ishte kërshëria ime që ta njoh Teheranin dhe Iranin. Pjesërisht të shkel në një hapësirë të një kulture, të një dije të një urtësie, filozofie të majave njerëzore sic ka qenë ajo e shekujve të dhjetë të katërmbëdhjetë të trashëgimtarëve të gjakut të Rumit dhe kjo ishte ngasja e dytë dhe nga dita e dytë që është sot të qëndrimit në Iran nuk jam zhgënjyer dhe përkundrazi thashë që bëra shumë mirë që erdha.

A mendoni se kjo konferencë do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve kulturore mes Iranit dhe Shqipërisë?

Unë besoj që po. Sot dëgjova edhe një propozim nga një personalitet i pushtetit kulturor për një qendër albanologjike këtu në Iran dhe për një qendër të kulturës së lashtë perse në Shqipëri në akademinë e shkencave që më gëzoi shumë dhe meqë e dëgjova prej personalitetesh të rëndësishëm besoj që do të realizohet.

Për mendimin tuaj kjo konferencë mund të jetë një hap i parë drejt formimit të lidhjeve zyrtare mes akademive të shkencave të Shqipërisë dhe Iranit, përfshirë edhe Kosovën në këtë mes?

Po, unë e dëshiroj këtë dhe besoj që po edhe pse kjo zyrtare, është ende mjaft e komplikuar dhe urojmë që të qetësohet, që të kullohet dhe të marrë një frymë në asaj që na porosit edhe Naimi bashkë me dijen dhe kulturën të lashtë perse.

Mar 07, 2018 15:11 Europe/Tirane
Komente