• Kuvendi i Maqedonisë fillon zyrtarisht sot fushatën për referendumin

Sot zyrtarisht fillon fushata për referendumin në të cilin qytetarët më 30 shtator duhet të deklarohen nëse janë për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Bartës i fushatës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ndërsa kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi të premten paralajmëroi se do ta zhvillojnë fushatën në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë, pa diskriminim, paragjykime dhe me respektimin e dëshirës së çdo qytetari.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve në fushatë të sillen në mënyrë adekuate, korrekte, dinjitoze me qëllim që qytetarët më 30 shtator ta sjellin vendimin e vërtetë.

Në fushatën e Kuvendit do të përfshihen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së opozitare e cila e njoftoi Xhaferin se nuk do të marrë pjesë në fushatë dhe se kërkon që mjetet të shpenzohen për qëllime të tjera.

BDI-ja fillon fushatën e referendumit nga Tetova

Tubimin nismëtar për referendumin e 30 shtatorit, Bashkimi Demokratik për Integrim do ta fillojë sot nga Tetovë ndërsa do ta përfundojë dy ditë para referendumit në Shkup.

Përveç takimeve me qytetarët, strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim do të takojnë grupe të ndryshme interesi, botën akademike, shoqërinë civile, mediat si dhe do të vendosin dialog edhe me partitë e tjera.

BDI-ja shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë krerët e shteteve evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Tags

Sep 10, 2018 11:05 Europe/Tirane
Komente