Sep 10, 2019 23:10 Europe/Tirane
  • Serbët e Kosovës të përçarë para zgjedhjeve të 6 tetorit

Serbët e Kosovës po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por ashtu si në krahun politik shqiptar, edhe tek serbët ka lëvizje të paparashikueshme.

Beogradi ka mbështetur Listën Serbe. Zgjedhjet e tetorit mund të sjellin ndryshime tektonike në skenën politike në Kosovë, jo vetëm sa i takon subjekteve shqiptare por edhe serbe. Tri parti politike kanë krijur një koalicion, i cili mund të cënojë dominimin e Listës Serbe, e cila e ka mbështetjen e plotë të Beogradit. Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq i quan këto parti madje si “përfaqësuese shqiptare të serbëve”. Partia e Vuçiqit mendon se “përfaqësusi monolit” i serbëve në Kosovë është Lista Serbe. Të gjithë të tjerët – Partia e Pavarur Liberale, Partia e Serbëve të Kosovës dhe koalicioni i Partive Progresive Demokratike, Partia e Re në Kosovë dhe dy iniciativa qytetare të kandidatëve të pavarur me emrin “Sloboda” (“Liria”) – “nuk duan të punojnë për unitetin e korpusit nacional serb dhe në bashkëpunim me Beogradin zyrtar”, pohon partia SNS e Vuçiqit. Vlerësimet e Beogradit për Listën Serbe janë shoqëruar gjithmonë para zgjedhjeve me kritika të ashpra ndaj kandidatëve dhe partive të tjera, deri tek frikësimi dhe presionet e mëdha ndaj zgjedhësve. Gjërat kanë arritur kulmin me vrasjen e dy kandidatëve për kryetar bashkie të Mitrovicës së Veriut: Dimitrije Janiqijeviq dhe Oliver Ivanoviq. Në radhët e Listës Serbe është futur edhe partia e dikurshme e Ivanoviqit “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), që do të thotë se ky subjekt i është bashkuar atyre që Ivanoviqin e kanë targetuar si “tradhtar” dhe “njeri të shqiptarëve”. Ndërkohë që nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raoiçiq kërkohet nga autoritetet e sigurisë, nën dyshimet për përzierje në vrasjen e Ivanoviqit. “Mëkat i madh”, “turp” janë vetëm dy nga reagimet e shumta të serbëve të Kosovës, pas publikimit të lajmit se SDP e Ivanoviqit do t’i bashkohet tani Listës Serbe. Ndërsa presidenti Vuçiq dhe përfaqësuesi i Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq thonë se liderja e tanishme e SDP Ksenija Bozhoviq, është një “grua serioze dhe inteligjente”, e cila është “përcaktuar për politikën shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës”.

 

Tags

Komente