• Bashkëpunimi Iran-Kinë në fushën e mbrojtjes

Marrëdhëniet mes Iranit dhe Kinës si dy vende të rëndësishme të Azisë po zgjerohen edhe më shumë sidomos në sektorin e mbrojtjes në kuadër të zhvillimeve më të fundit rajonale.

Vizita e ministrit të Mbrojtjes të Kinës në Teheran u krye në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit gjatë takimit që ai pati me z. Chang Wanquan ministër i Mbrojtjes i Kinës, i cili ndodhet për një vizitë në Teheran, deklaroi se Teherani mirëpret zgjerimin e bashkëpunimeve dypalëshe me Pekinin në të gjitha fushat, përfshirë atë të sektorit të mbrojtjes. Në këtë takim presidenti Ruhani, terrorizmin dhe ndërhyrjen e jashtëligjshme të vendeve në punët e brendshme të vendeve të tjera i cilësoi dy faktorë të mëdhenj kërcënues dhe të rrezikshëm. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit foli mbi përpjekjet e Iranit për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe për luftën kundër terrorizmit dhe tha se bashkëpunimet mes dy vendeve duhen shtuar akoma më shumë në luftën kundër rrezikut të madh të terrorizmit. Presidenti iranian, rëndësinë e sigurisë së Azisë, rajoneve të oqeanit Indian dhe të Gjirit Persik e cilësoi të pandarë nga njëri-tjetri dhe shtoi: Siguria e Azisë duhet të ruhet nëpërmjet bashkëpunimit bilateral dhe sot Republika Islamike e Iranit luan një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit botëror. Nga ana e tij ministri i mbrojtjes i Kinës, tha se Kina ka qëndrime shumë të afërta me Iranin dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimeve bilaterale. Edhe shefi i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të RII, shprehu gatishmërinë e Iranit për të organizuar manovra të përbashkëta ushtarake me Kinën. Gjeneral brigade Mohamed Bagheri, shefi i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të RII, në takimin e zhvilluar në Teheran me ministrin e mbrojtjes të Kinës, z. Chang Wanquan, duke shprehur kënaqësinë për zgjerimin e marrëdhënieve Teheran-Pekin në fushën e   mbrojtjes, theksoi se këto marrëdhënie duhet të ngrihen në nivel strategjik nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit. Ai vlerësoi rolin konstruktiv të Kinës në zhvillimet ndërkombëtare dhe kërkoi vazhdimin e këtij roli për t’i bërë ballë politikave ekspansioniste dhe militariste të imperializmit botëror. Nga ana e tij, ministri kinez i mbrojtjes duke vlerësuar rolin e  rëndësishëm të RII në rajon dhe në botë, tha se forcat e armatosura të Kinës janë të angazhuara për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve në sektorin e mbrojtjes. Vazhdimi i kontakteve mes funksionarëve të lartë ushtarakë të Iranit dhe Kinës, bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe përpjekjet për konsolidimin e paqes në rajon dhe në botë, ishin tema të tjera të takimit mes gjeneral brigade Mohamed Bagheri dhe ministrin e mbrojtjes të Kinës, z. Chang Wanquan. Pas takimit, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të RII në një konferencë shtypi, deklaroi se së shpejti do të mblidhet komisioni i përbashkët ushtarak Iran-Kinë, ku do të merren vendime të rëndësishme mbi forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve. Zgjerimi i bashkëpunimit ushtarak mes RII dhe Kinës dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes konsiderohet si fillimi i një faze të re në bashkëpunimin ushtarak Teheran-Pekin. Ky bashkëpunim nuk duhet të konsiderohet kërcënim për asnjë vend tjetër, por vlerësohet si një hap drejt forcimit të paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë.

 

Tags

Nov 17, 2016 08:00 Europe/Tirane
Komente