• Ruhani: Teherani mirëpret zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë

Faqja informative Parstoday njoftoi se z. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, sot (të dielën) priti në një takim Ditmir Bushatin, ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë.

Presidenti iranian falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për shprehjen e ngushëllimeve me rastin e vdekjes së Ajetollah Hashemi Rafsanxhani dhe deklaroi: "Ajetollah Hashemi Rafsanxhani si një personalitet i njohur për rajonin dhe për botën, gjithmonë ka punuar për vendosjen e paqes dhe stabilitetit global dhe për përparimin dhe mirëqenien e njerëzve në të gjithë botën".

Hasan Ruhani në vazhdim vuri në dukje potencialet dhe mundësitë për zgjerimin e marrëdhënieve Iran-Shqipëri dhe tha: "Periudha pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore ka krijuar një rast të përshtatshëm për zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimeve Teheran-Tiranë në të gjitha fushat, sidomos në sferat ekonomike dhe tregtare, prandaj sektorët privat të të dy vendeve duhet të shfrytëzojnë sa më mirë këtë rast".

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit e konsideroi të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimeve kulturore duke përfshirë edhe qendrat universitare dhe shkencore të të dy vendeve dhe theksoi: "Forcimi i marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë në të gjitha fushat, është në interes të të dy vendeve".

Ruhani gjithashtu vuri në dukje nevojën e luftës gjithëpërfshirëse kundër dhunës, ekstremizmit dhe terrorizmit dhe deklaroi: "Terrorizmi është një problem global dhe një prej detyrave tona të mëdha, është lufta kundër dhunës dhe sidomos kundër terrorizmit".

Ai duke theksuar se Republika Islamike e Iranit gjithmonë ka kërkuar dhe kërkon forcimin e themeleve të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit, shtoi: "Teherani ka gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me vendet e tjera duke përfshirë edhe Shqipërinë, në luftën kundër terrorizmit".

Nga ana e tij, z. Ditmir Bushati, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, në këtë takim shprehu edhe njëherë ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit iranian Ajetollah Hashemi Rafsanxhani dhe theksoi: "Shqipëria është e vendosur që duke zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet e gjithanshme Tiranë-Teheran, të hapë një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve mes të dy vendeve".

Ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë në vazhdim tha se marrëveshja bërthamore Iran-Grupi 5+1 ka hapur horizonte të reja në bashkëpunimin e Iranit me botën duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe shtoi: "Ne duke hartuar planin e rrugës, jemi të vendosur që me ngritjen e nivelit të bashkëpunimeve politike, ekonomike, tregtare dhe kulturore, të krijojmë baza të forta për marrëdhëniet e ardhshme mes të dy vendeve".

Ai në fund vuri në dukje edhe nevojën e luftës kundër dhunës, ekstremizmit dhe terrorizmit dhe theksoi: "Në këtë fushë duhet të veprojmë në mënyrë të bashkuar dhe ne jemi të gatshëm të forcojmë kontaktet tona me Iranin në luftën kundër terrorizmit".

Tags

Jan 15, 2017 11:20 Europe/Tirane
Komente