• BE, Rusia dhe Kina kundër strategjisë së SHBA ndaj Iranit

BE, Rusia dhe Kina i kanë bërë thirrje SHBA-së të respektojë angazhimin e saj ndaj marrëveshjes bërthamore iraniane, të cilën presidenti Donald Trump pritet të mos deklarojë më në interesin e Amerikës.

"Ne besojmë se kjo marrëveshje është e rëndësishme për të siguruar regjimin ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. Shpresojmë që të gjitha palët të mund të vazhdojnë të ruajnë dhe zbatojnë këtë marrëveshje", tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Kinës Hua Chunying. Shefja e politikës së jashtme të BE Federica Mogherini dhe ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel zhvilluan biseda telefonike me ministrin e jashtëm të Iranit, Muhamed Xhavad Zarif, duke thënë se Evropa do të respektojë anën e saj të marrëveshjes për aq kohë sa Teherani respekton detyrimet e tij. Mogherini dhe Gabriel pranuan se Irani kishte përmbushur plotësisht angazhimet e tij sipas Planit të Përbashkët të Veprimit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA. Ata gjithashtu thanë se Irani duhet të lejohet të përfitojë nga favoret ekonomike të marrëveshjes së arritur me SHBA, Britaninë, Francën, Rusinë, Kinën dhe Gjermaninë, sipas të cilave u hoqën sanksionet kundër Teheranit. Sigmar Gabriel tha se planet e raportuara nga Trump për të mos certifikuar marrëveshjen bërthamore ishte një goditje e rëndë për aleatët evropianë të Uashingtonit duke i shtyrë ata drejt Rusisë dhe Kinës. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbajti gjithashtu një bisedë telefonike mbi marrëveshjen me homologun e tij amerikan Rex Tillerson, njoftoi agjencia e lajmeve TASS e Rusisë. "Lavrov tërhoqi vëmendjen për faktin se Teherani po i përmbahet të gjitha angazhimeve të tij në marrëveshjen bërthamore dhe theksoi se edhe palët e tjera duhet t'i përmbahen dokumentit," tha Ministria e Jashtme e Rusisë. Më vete, Lavrov shprehu dyshim për bazën ligjore të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara  nga marrëveshja bërthamore. Shtëpia e Bardhë sot (të premten) pas disa javë polemikash, ka publikuar strategjinë e qeverisë së re të Amerikës për tu përballur me Republikën Islamike të Iranit. Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se qeveria e Amerikës ka publikuar tekstin e strategjisë “të re dhe të plotë” të saj kundër Iranit me boshte kryesore shtimin e mbikëqyrjes mbi marrëveshjen bërthamore, inspektimin e qendrave ushtarake dhe shtimin e presionit mbi Gardën Revolucionare të Iranit. Thuhet se ky tekst është rezultat i shqyrtimit dhe llogaritjeve 9 mujore të bërë mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit dhe ekipit të këshilltarëve të sigurisë që sipas mendimit të Uashingtonit, me qëllim “të ruajtjes së interesave të sigurisë së Amerikës është hartuar në formën më të mirë të mundshme”. Në këtë dokument që të gjitha paragrafët dhe pikat e tij janë hartuar në bazë të pretendimeve të pabaza të Amerikës kundër Iranit, thuhet: “Strategjia e re e Amerikës rreth Iranit është përqendruar në neutralizimin e veprimeve destabilizuese të Teheranit dhe për shtrirjen e ndikimit të këtij vendi, sidomos në mbështetje ndaj terrorizmit dhe paramilitarëve”. Këto pretendime të Amerikës janë bërë në kohën kur Amerika dhe aleatet e saj perëndimorë dhe arabë në bazë të raporteve dhe dëshmive ekzistuese, janë mbështetësit më serioz të formimit dhe forcimit të grupeve terroriste si ISIS, sidomos në Siri. Në strategjinë e re të Amerikës në pjesën përkatëse me marrëveshjen bërthamore, pa paraqitjen e kurrfarë dëshmive, është pretenduar se aktivitetet e Iranit janë në kundërshtim me qëllimet e marrëveshjes dhe Irani synon të përfitojë nga vakumet e krijuara me këtë marrëveshje. Dokumenti i strategjisë së re të Amerikës pretendon: “Fakti se Irani ka deklaruar se nuk do të lejojë inspektimin e qendrave ushtarake të veta, është në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore dhe i padurueshëm”. Kjo është në kohën kur ANEA duke konfirmuar se Irani ka zbatuar zotimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore në tetë raportet e saj zyrtare, ka refuzuar presionet dhe kërkesat e Amerikës për inspektimin e qendrave ushtarake të Iranit duke e konsideruar të panevojshme një gjë të tillë. Duket se kjo strategji e re e Uashingtonit ndaj Iranit nuk gëzon asnjë përkrahje në arenën ndërkombëtare, madje as të aleatëve të ngushtë të SHBA në anën tjetër të Atlantikut.

 

Tags

Oct 13, 2017 18:28 Europe/Tirane
Komente