• Ruhani dhe Erdogan: Kodsi është pjesë e pandarë e Palestinës

Presidenti iranian z. Hasan Ruhani ka paralajmëruar SHBA-të kundër zhvendosjes së ambasadës nga Tel Avivi në Kods (Jeruzalem), duke thënë se masa e "paligjshme" do të destabilizonte më tej Palestinën dhe rajonin.

Gjatë një bisede telefonike me homologun e tij turk Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën, Ruhani u bëri thirrje shteteve islamike të bashkohen për të kundërshtuar vendimin "e rrezikshëm" që pritet të merret nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. "Ne besojmë, se duke pasur parasysh kushtet e tanishme, të gjitha shtetet islamike duhet të bashkohen dhe të ndërmarrin një hap serioz në kundërshtimin e kësaj iniciative të gabuar, të paligjshme, provokative dhe shumë të rrezikshme nga SHBA", tha presidenti Ruhani duke shtuar: "Nuk ka dyshim se Izraeli është përgjegjës për të gjithë pasigurinë dhe destabilitetin në rajon". Presidenti iranian gjithashtu falënderoi z. Erdogan për thirrjen telefonike dhe pranoi ftesën e tij për një samit të jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll. Nga ana e tij, Presidenti i Turqisë, z. Erdogan, shprehu shqetësim rreth njoftimit të pritur të Trump dhe tha se "arroganca" e presidentit amerikan ishte për shkak të "mosmarrëveshjeve të brendshme" midis shteteve islamike. Duke paralajmëruar se vendimi i Uashingtonit do të "rriste tensionet dhe do të çonte në incidente të këqija", presidenti turk, shtoi se "bota islame duhet të shprehë unitetin dhe integritetin e saj në këtë çështje".

 

Dec 06, 2017 20:00 Europe/Tirane
Komente