• Rusia, Turqia dhe Siria kundërshtojnë ndërhyrjen e huaj në ngjarjet në Iran

Rusia, Turqia dhe Siria kanë kundërshtuar ndërhyrjen e huaj në ngjarjet e ditëve të fundit në Iran, duke shprehur shpresën se nuk do të ketë më dhunë dhe vdekje në vend.

Në një deklaratë të hënën, Ministria e Jashtme ruse tha: "Kjo është çështje e brendshme e Iranit", duke shtuar se "ndërhyrja e jashtme destabilizuese e situatës është e papranueshme". "Ne shprehim shpresën se situata nuk do të zhvillohet nën skenarin e gjakderdhjes dhe dhunës", tha ministria. Ndërkohë, Turqia të martën tha se ishte i shqetësuar nga raportet mbi viktimat dhe dëmtimin e pronave publike gjatë protestave në Iran. "Ne besojmë se është e domosdoshme të shmanget dhuna dhe që iranianët të mos bien pre e provokimeve", tha në një deklaratë Ministria e Jashtme turke, duke shtuar se shpresonte që ndërhyrjet e jashtme do të shmangeshin. Komentet vijnë pasi SHBA dhe Izraeli reaguan me gëzim ndaj zhvillimeve në Iran dhe shprehën mbështetje për dhunën dhe trazirat. Siria të martën dënoi Uashingtonin dhe Tel Avivin për ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit, duke shprehur solidaritet me popullin iranian. Ministria e jashtme siriane shprehu besimin se lidershipi iranian, qeveria dhe populli do të jenë në gjendje ta pengojnë këtë komplot dhe të vazhdojnë rrugën e progresit, si dhe "rolin e Republikës Islamike të Iranit në mbështetjen e aspiratave të drejta të popujve". Gjithashtu një zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, reagoi ndaj ngjarjeve në Iran dhe në një deklaratë të hënën, tha: "Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet iraniane dhe presim që e drejta për protesta paqësore dhe liria e shprehjes të jetë e garantuar. " "Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimet," shtoi zëdhënësja Maja Koçijançiç. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe Boris Xhonson tha më parë se "liria e shprehjes" dhe e drejta për të "demonstruar në mënyrë paqësore brenda ligjit" duhet të respektohen. Ai më tej bëri thirrje për dialog mbi çështjet e ngritura nga protestuesit të cilat ai e përshkroi si "të ligjshme dhe të rëndësishme". Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, të hënën shprehu shqetësim për viktimat dhe i kërkoi qeverisë iraniane të respektojë të drejtat e njerëzve. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë iraniane që të respektojë të drejtat e demonstruesve për tu mbledhur dhe për të ngritur në mënyrë paqësore zërat e tyre," tha Gabriel. Ai më tej u bëri thirrje të gjitha palëve të "përmbahen nga veprimet e dhunshme". Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, z. Hasan Ruhani tha se populli iranian do të kundërshtojë grupin e vogël që ka përdorur protestat si një justifikim për të hedhur slogane në kundërshtim me ligjin dhe kërkesat e popullit, duke fyer shenjtëritë dhe vlerat e Revolucionit Islamik , dhe duke dëmtuar pronën publike. "Armiku nuk do të mbetet duarkryq përballë progresit dhe madhështisë së popullit iranian, por ka edhe njerëz të mashtruar mes protestuesve që kanë kërkesa të drejta," shtoi ai. Ruhani theksoi rëndësinë e forcimit të unitetit kombëtar, veçanërisht midis tre organeve të pushtetit, si mënyra më e mirë për të trajtuar çështje të tilla dhe problemet e njerëzve. "Unë besoj se ajo që ndodhi në ditët e fundit ishte me sa duket një lloj kërcënimi, i cili duhet të shndërrohet në një mundësi për të njohur më mirë problemet e vendit", tha shefi ekzekutiv iranian. "Ne jemi një komb i lirë dhe bazuar në Kushtetutën dhe të drejtat civile, njerëzit janë plotësisht të lirë të shprehin kritikat e tyre dhe madje edhe protestën e tyre", tha presidenti i RII.

 

Tags

Jan 02, 2018 19:12 Europe/Tirane
Komente