• Terroristët janë rrethuar në Deir al-Zur

Qeveria siriane ka arritur të çlirojë 85 përqind të vendit nga pushtimi grupeve terroriste, rreth dy vjet pasi Moska filloi një fushatë kundër terrorizmit në Siri me kërkesën zyrtare të Damaskut.

Kështu deklaroi gjeneral-lejtnant Aleksandër Lapin, shefi i stafit rus në Siri, në një konferencë shtypi të mbajtur të martën në bazën ajrore Hmeimim në provincën perëndimore të Sirisë, Latakia. Ai shtoi se forcat siriane tani duhet të pastrojnë pjesën e mbetur prej 15 përqind të territorit të vendit, që arrin në 27,000 kilometra katrorë dhe që ndodhet nën kontrollin e terroristëve. Lapin tha se trupat siriane po vazhdojnë operacionin për të çliruar qytetin lindor të Deir al-Zurit nga grupi terrorist ISIS, pasi arritën të thyejnë një rrethim pothuajse trevjeçar që i ishte imponuar qytetit nga terroristët. "Aktualisht, terroristët e ISIS janë rrethuar në pjesën veriore të qytetit Deir al-Zur ", shtoi ai. Ushtaraku i lartë rus deklaroi se raketat e tipit Kalibr, të lëshuara nga luftanija ruse “Admirali Essen” e dislokuar në Detin e Zi, kishin shkatërruar postet komanduese të ISIS dhe rrjetet e komunikimit të terroristëve dhe ky ishte një veprim efektiv që ndërpreu ndërlidhjen e njësive të grupit terrorist në provincën Deir al-Zur. "Mbi 450 terroristë, pesë tanke dhe 42 kamionë me armë të rënda, u likuiduan gjatë operacionit," tha ai.

 

Sep 12, 2017 19:33 Europe/Tirane
Komente