• Peshmerga kurde humb prestigjin dhe reputacionin pasi ushtria irakiane rikthen puset e naftës në Kirkuk dhe aeroportin e tij ushtarak

Nuk përjashtohet dorëheqja e Barzanit nga presidenca e Kurdistanit. Mosmarrëveshja midis Erbilit dhe Sulejmanijes arrin kulmin mes akuzave për tradhti... A është zbehur ëndrra e pavarësisë?

Nuk e dimë se cili ishte reagimi i z. Masud Barzani, i cili ndoqi rimarrjen plotësisht nën kontroll gjatë ditës së hënë nga ana e forcave federale të Irakut të mbështetura nga "Al-Hashd al-Shaabi" të fushave të mëdha të naftës, aeroportin ushtarak të Kirkukut, si dhe një bazë ushtarake në provincën, pas një sulmi që filloi natën e diel. Me siguri ai ndihet i tronditur duke e gjetur veten të vetmuar për t'i bërë ballë këtij sulmi të pamëshirshëm, pas braktisjes që i bëri Partia e Unionit Patriotik Kurd, partnerja e tij në qeverisjen e krahinës, e cila iu lut ta shtyjë referendumin dhe t'i kthehet dialogut me qeverinë qendrore në Bagdad nën dijeninë e Kombeve të Bashkuara mbi të gjitha çështjet, ashtu siç u braktis edhe nga amerikanët, ndoshta nga Izraeli gjithashtu.

Çfarë do të tronditë z. Barzani është tërheqja e papritur e forcave Peshmerga nga pozicionet e tyre në Kirkuk pa luftë, forca këto tek të cilat mbështetej aq shumë në mbrojtje të projektit të tij separatist, jo vetëm për përballjen me forcat irakiane dhe ato të "Al-Hashd al-Shaabi" (Mobilizimin Popullor), por edhe me homologët e tyre iraniane dhe turke, gjithashtu.

Ky referendum, i cili arriti një pavarësi imagjinare të kurdëve në rajonin autonom të Kurdistanit në veri të Irakut, filloi të nxjerrë në pah rezultatet e tij katastrofike, të cilat mund të përmblidhen në pikat e mëposhtme:

Së pari: Humbja e qytetit Kirkuk, puseve të tij të naftës, aeroportit të tij dhe bazës së tij ushtarake pa rezistencën më të vogël përpara marshimit të forcave federale të Irakut; dhe ne nuk besojmë se forcat "Peshmerga" mund të zvogëlojnë humbjet, e jo më t'i kthejnë gjërat në statusin e tyre të mëparshëm.

Së dyti: Përshkallëzimi i mospajtimeve ndërmjet dy partnerëve kryesorë në qeverisjen e Kurdistanit: Partisë së Unionit Kurd të Talabanit dhe homologes së saj të Barzanit, Partisë Demokratike të Kurdistanit, si dhe akuza e kësaj të dytës ndaj të parës për tradhti dhe për dhënie urdhrash njësiteve të saj në Kirkuk për t'u tërhequr.

Së treti: Rënia e reputacionit të lartë luftarak të forcave Peshmerga dhe prestigjit të tyre për shkak të "dezertimit" nga betejat, si dhe transmetimit nëpër media sociale nga ana e disa aktivistëve të një materiali filmik, ku shihen qytetarë kurdë duke gjuajtur me gurë ndaj trupave Peshmerga dhe duke pështyrë mbi ta. Gjithashtu, z. Hejmen Horuami, këshilltar i lartë i presidentit Barzani, nëpërmjet një cicërime të tij në Twitter dënoi forcat Peshmerga për braktisjen e pozicioneve të tyre dhe për mospërballjen me forcat irakiane.

Së katërti: Arratisja e dhjetëra mijëra familjeve kurde nga Kirkuku për në Erbil dhe Sulejmanije për t'iu shmangur betejave në procesin e një "spastrimi" etnik "vullnetar", gjë e cila do të reduktojë intensitetin e pranisë kurde në qytet, qoftë edhe përkohësisht.

Rajoni i Kurdistanit të Irakut gëzonte statusin e një shteti të pavarur të padeklaruar dhe përjetoi një periudhë të artë begatie dhe sigurie ekonomike përgjatë viteve të fundit, pas pushtimit të Irakut në vitin 2003. Por, kryeneçësia e z. Barzani dhe këmbëngulja e tij për të bërë përpara në referendum në kohë të gabuar, qoftë në rang irakian ashtu edhe ndërkombëtar, çoi në reduktimin e shumicës së këtyre arritjeve.

Tashmë rajoni është i rrethuar, aeroportet dhe hapësira ajrore e tij janë mbyllur dhe askush nuk e mbështet atë përveç shtetit okupator izraelit; dhe ja tani ai po humbet qytetin Kirkuk, që është perla e kurorës kurde.

Viktima më e madhe e këtyre zhvillimeve ushtarake mund të jetë z. Masud Barzani, ëndrra e pavarësisë së të cilit është kthyer në një makth deri tani dhe udhëheqja që i bën partisë së tij dhe krahinës së tij është goditur rëndë. Andaj ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë e dorëheqjes e tij në javët e ardhshme dhe dorëzimin e flamurit pasardhësit të tij në parti dhe në udhëheqje. Në sytë e shumë njerëzve, ky njeri arsyetoi e gaboi dhe nuk i studioi mirë kushtet dhe ekuacionet rajonale dhe ndërkombëtare; dhe ndoshta e ardhmja do të jetë më e keqe.

 

*Redaksional i publikuar më datë 16 tetor 2017 në gazetën elektronike "Ra'jul Jeum".

http://www.raialyoum.com/?p=761717

Tags

Oct 19, 2017 13:37 Europe/Tirane
Komente