• Dollarët e

Votimi dërrmues në Kombet e Bashkuara është përgjigje ndaj paturpësisë së Nikki Haley dhe aleatit të saj izraelit... Egjipti, Jordania dhe Autoriteti nuk tremben nga kërcënimet për shkurtimin e ndihmës amerikane; ky është qëndrim nderues... Shpresojmë që Uashingtoni të guxojë e t'i presë ato dhe këto janë arsyet tona.

 

Abdul-Bari Atuan

Kombet e Bashkuara nuk janë në shitje. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka arritur t'i blejë dot me dollarët e tij vendet e varfra dhe të pasura të botës. Përfaqësuesja e tij Nikki Haley u largua herët nga salla sepse nuk mundi të përballonte dot disfatën. Edhe përfaqësuesi i Izraelit ishte i vetëm e i izoluar dhe nuk gjeti përveçse tetë shtete të qëndronin në llogoren e tij dhe të aleates së tij, Amerikës; shtete - si Mikronezia, Ishujt Marshall dhe Nauru - që për t'i parë në hartë dikujt do t'i nevojiteshin lente zmadhuese.

Nuk ka dyshim se votimi i dy të tretave të anëtarësisë së Kombeve të Bashkuara në favor të projekt-rezolutës që dënonte judaizimin e Jerusalemit (Kudsit) të pushtuar dhe transferimin e ambasadës amerikane, është një fitore e madhe dhe një pikë kthese historike ndërkombëtare për çështjen palestineze. Por ajo që është më e rëndësishme se kjo është fakti se politika e shantazhit dhe e kërcënimeve të ushtruara nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj shteteve të varfra që marrin ndihmë nga vendi i tij, ka pësuar një humbje dërrmuese dhe një shuplakë të fuqishme në sy të gjithë botës. Kjo është një arritje e paprecedentë.

Ky votim dërrmues ia zhgërreu hundën në pluhur arrogancës amerikane dhe i dërgon një mesazh të fortë presidentit Trump dhe administratës së tij se bota mund t'u thotë "Jo!" të madhe politikave të tij raciste "makartiste" dhe krekosjes para vendeve të varfra që marrin ndihmë nga vendi i tij.

Ndoshta një apo dy vende iu nënshtruan kërcënimeve amerikane për të prerë ndihmat, si Afganistani dhe Mali, të cilët e tërhoqën mbështetjen e tyre ndaj vendimit të dënimit. Por këto vende janë koloni amerikane dhe nuk mund t'i refuzojnë urdhrat e padronit të tyre arrogant amerikan.

***

Ishte Nikki Haley përfaqësuesja e Amerikës në takimin e paturpësisë kur kërcënoi e u rebelua dhe "i shënjestroi" delegatët me fjalën e saj se ajo nuk do t'u ofronte ndihmat gratis duke u kujtuar atyre se është shteti më kontribues në buxhetin ndërkombëtar të organizatës. Por përfaqësuesi izraelit ishte më arrogant dhe më pak i sjellshëm - dhe kjo nuk është për t'u habitur - kur përfaqësuesit e 128 vendeve që mbështetën rezolutën i cilësoi "kukulla" që lëvizen nga udhëheqja palestineze. A janë Rusia, Franca, Kina dhe 125 vende të tjera "marioneta"?

Përballë këtij qëndrimi historik që hedh poshtë kërcënimin shantazhues, presidenti Trump duhet të ndihet i turpëruar, së bashku me dhëndrin e tij Jared Kouchner dhe mikun e tyre të vyer Benjamin Netanjahun. Këta dhe ata që mbështesin politikat e tyre janë të përjashtuar nga e gjithë bota dhe ky, në vetvete, është mësimi më i mirë për të gjithë ata që i kalojnë caqet dhe sillen me të madh.

Nuk dimë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të hakmarrjes së Trumpit dhe cilat vende arabe do të targetojnë ato. Po flasim këtu për Egjiptin, Jordaninë dhe Autoritetin Palestinez, të cilët marrin pjesën më të madhe të ndihmës amerikane pas shtetit okupator izraelit. Por ajo që ne mund të regjistrojmë këtu në këtë ngut është se këto vende u përballën me kërcënimet me vetëmohim e krenari, e përkrahën çështjen e Kudsit dhe arabizmin e tij, e paraprinë ndaj çdo interesi tjetër dhe refuzuan të heqin dorë nga qyteti i shenjtë, në këmbim të një grushti dollarësh të helmuar. Ky, në vetvete, është qëndrim i nderuar që vlen të përmendet, pasi në rrethana të vështira dalin në pah virtytet e shteteve; dhe ne ende presim më shumë prej tyre.

Presidenti Trump nuk guxon të zbatojë kërcënimet e tij dhe të shkurtojë ndihmën ndaj këtyre tri vendeve. Sepse nëse ai e bën, të dëmtuarit më të mëdhenj do të jenë vendi i tij dhe aleati i tij Izraeli, të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të paqes do të rrënohen, marrëveshje të cilat zgjatën për arsye të ndryshme, më e spikatura ndër të cilat dyndja e këtyre ndihmave.

Pjesa e mbështetjes amerikane për Autoritetin Palestinez është më e ulëta në krahasim me vendet evropiane dhe ato arabe, dhe vendosmëria e udhëheqjes palestineze për të zbritur në arenën e sfidës dhe për të ecur përpara në mbështetje të rezolutës së OKB-së që dënon judaizimin e Kudsit është një hap i guximshëm që duhet të vazhdojë dhe të mbështetet me hapa të tjerë, siç është tërheqja e njohjes së shtetit okupator, të Marrëveshjes së Oslos, kthimi në rezistencë me të gjitha format dhe më shumë mbështetje për kryengritjen e tanishme të ndezur.

***

Shpresojmë që presidenti Trump të guxojë e të zbatojë kërcënimet e tij për të prerë ndihmën ndaj këtyre palëve arabe, sepse kjo do të nënkuptonte plotësimin e rrënimit total të politikës amerikane në Lindjen e Mesme, gjithashtu një prelud për rrënimin e Izraelit dhe shkuljen e tumorit kanceroz të traktateve të paqes të cilat e poshtëruan bashkësinë, ia shkulën dinjitetin dhe e shndërruan atë në një grup shtetesh të poshtëruara, pengje të Amerikës e Izraelit dhe diktateve të tyre dhe skllave të thërrimeve të ndihmave të helmuara financiare.

Kudsi arabo-islamik nuk është në shitje dhe dollarët e tregtarit amerikan dështuan të vinin në provë dinjitetin dhe krenarinë. Kur ekziston kjo mbështetje e madhe ndërkombëtare paralelisht me praninë e heronjve në terren, siç ishte dëshmori Ibrahim Ebu Thureja, e burgosura Ahed Tamimi dhe mijëra të tjerë si ata, vitet e ligëta në mënyrë të pashmangshme do të japin frymën e fundit; po ashtu edhe pushtimi izraelit... Dhe ditët janë mes nesh.

 

*Analizë e publikuar më datë 21.12.2017 në gazetën elektronike "Ra'jul Jeum".

http://www.raialyoum.com/?p=799546

Tags

Jan 02, 2018 11:19 Europe/Tirane
Komente