• Damasku: Sulmet izraelite kanë qenë të koordinuara me terroristët në Siri

Siria deklaroi se koincidenca e sulmeve më të fundit ajrore të Izraelit dhe sulmeve me 1,000  raketa dhe mortaja të kryera nga militantët në vende të ndryshme të Sirisë është provë e bashkëpunimit të regjimit të Tel Avivit me terroristët.

Në një letër dërguar të mërkurën Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ministria e jashtme e Sirisë theksoi se vazhdimi i sulmeve të Izraelit shërben vetëm për të mbështetur grupet terroriste dhe për të zgjatur krizën në Siri. "Qeveria e Republikës Arabe Siriane përsërit paralajmërimin e saj ndaj Izraelit lidhur me pasojat serioze të sulmeve të tij ndaj Sirisë, mbështetjen e tij të vazhdueshme për organizatat terroriste të armatosura dhe okupimin e vazhdueshëm të territoreve arabe, duke përfshirë edhe Golanin sirian të pushtuar dhe e konsideron Izraelin plotësisht përgjegjës për këto aventura të rrezikshme ", thuhet në letrën e qeverisë së Damaskut. Më tej, qeveria siriane dënoi sulmin e fundit të regjimit të Tel Avivit në të cilin avionët izraelitë lëshuan raketa nga hapësira ajrore libaneze në një zonë ushtarake në një fshat pranë Damaskut. Ushtria siriane deklaroi të mërkurën se mbrojtja e saj ajrore ka qëlluar disa raketa që u lëshuan nga aeroplanët izraelitë drejt një baze ushtarake pranë kryeqytetit, Damask. Gjatë viteve të fundit, Izraeli ka sulmuar shpesh objektiva ushtarake në Siri në atë që konsiderohet si një përpjekje për të mbështetur grupet e terrorit që kanë pësuar humbje të mëdha përballë forcave qeveritare siriane. Izraeli gjithashtu dërgon armë për militantët që luftojnë kundër qeverisë së Damaskut, si dhe ofron trajtim mjekësor ndaj elementëve takfiristë të plagosur në Siri.

 

Feb 08, 2018 06:12 Europe/Tirane
Komente