• Rusia: SHBA nuk lufton ISIS-in, synon grabitjen e Sirisë

Rusia deklaroi se një sulm i fundit amerikan ndaj forcave pro-Damaskut dëshmon se Uashingtoni nuk po lufton ISIS-in dhe terroristët , por kërkon të rrëmbejë pasuritë ekonomike të Sirisë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në një deklaratë të publikuar të enjten se sulmi amerikan edhe një herë "tregoi se SHBA po ruan praninë e saj të paligjshme në Siri jo për të luftuar kundër grupit Daesh, por për të zaptuar dhe plaçkitur pasuritë ekonomike siriane". Ushtria amerikane tha të mërkurën se kishte vrarë të paktën 100 luftëtarë të Damaskut për të ndaluar një sulm mbi të ashtuquajturat Forca Demokratike Siriane (SDF) në provincën lindore Dayr al-Zawr të Sirisë. Agjencia zyrtare e lajmeve SANA e Sirisë e përshkroi "agresionin" e SHBA si një "përpjekje për të mbështetur terrorizmin". Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat siriane po kryenin një operacion anti-ISIS pranë rafinerisë së naftës al-Isba në Dayr al Zawr kur ata u sulmuan nga avionët amerikanë. Përveç kësaj të enjten, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova u tha gazetarëve në Moskë se "një zonë 55 kilometrash e krijuar në mënyrë të njëanshme nga amerikanët rreth bazës së tyre ushtarake" pranë qytetit juglindor të Sirisë al-Tanef u jep elementeve të ISIS mundësinë për tu fshehur, rigrupuar dhe për të përgatitur sulme të reja. Ajo tha se prania e SHBA mbetet "një sfidë serioze për promovimin e paqes në Siri dhe mbrojtjen e unitetit të saj dhe integritetit territorial". "Disa lojtarë të jashtëm me ndikim duket se nuk po përdorin mundësitë që ata kanë për të promovuar një zgjidhje politike në Siri dhe për të lehtësuar eliminimin e terroristëve në tokën siriane", shtoi Zakharova.

 

Feb 08, 2018 20:24 Europe/Tirane
Komente