• Huthi ende kontrollon aeroportin e Hudejdas

Zyrtarët jemenas thonë se aeroporti në qytetin strategjik Hudejda është ende nën kontrollin e lëvizjes Ansarullah, duke hedhur poshtë njoftimet se objekti kishte rënë në duart e forcave të mbështetura nga Arabia Saudite.

Zëdhënësi i ushtrisë së Jemenit, gjeneral brigade Sharaf Lukman, të enjten hodhi poshtë pohimet se pushtuesit kishin fituar terren në Hudejda dhe tregoi fotografi të mjeteve të blinduara të armikut të hedhura në erë në këtë qytet. Ai gjithashtu përshëndeti arritjet e luftëtarëve të Jemenit në bregun perëndimor të vendit si një "mrekulli". Luftëtarët e Jemenit, tha Lukman, kanë luftuar kundër militantëve të ISIS dhe al-Kaidës në Hudejda dhe kanë rrethuar forcat dhe mercenarët e mbështetur nga Arabia Saudite në rajonin al-Xhah. Mercenarët kanë dy zgjedhje, ose të dorëzohen ose të vdesin, vuri në dukje ai. Nga ana tjetër, zëdhënësi i lëvizjes Ansarullah, Muhamed Abdulsalam, theksoi se agresorët ishin mposhtur në bregun perëndimor të Jemenit pavarësisht posedimit të armëve të shumta dhe mbështetjes financiare dhe mediatike. Ai më tej përshkroi agresionin e pushtuesve në Hudejda si "një vetëvrasje masive", duke thënë se ofensiva ka për qëllim të vrasë jemenasit dhe t'i japë fund sovranitetit të tyre. Populli i Jemenit nuk do të gjunjëzohet përballë presioneve, tha Abdulsalam, duke theksuar se luftëtarët Huthi i kishin prishur komplotet "idiote" të armiqve me një sulm të koordinuar.

 

Jun 21, 2018 21:13 Europe/Tirane
Komente