Mar 22, 2019 20:18 Europe/Tirane
  • Bota kritikon qëndrimin arbitrar të SHBA për Golanin, Siria zotohet të çlirojë territorin e okupuar

Liga Arabe, BE, Rusia, Irani dhe Turqia kanë paralajmëruar fuqimisht SHBA-të pasi Presidenti Donald Trump deklaroi të enjten se do të njohë lartësitë e Golanit të Sirisë si territor izraelit.

Ky territor strategjik ka qenë nën pushtimin izraelit që nga viti 1967, por deklarata e papritur e Trump një ditë pas vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Izrael, i sjell tensionet në një pikë vlimi. Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha të premten se deklarata e Trump ka sjellë rajonin në prag të një krize të re. Në një fjalim në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll, Erdogan tha: "Nuk mund ta lejojmë legalizimin e pushtimit të Golanit". "Kjo njohje e paligjshme dhe e papranueshme nuk e ndryshon faktin se Golani i përket Sirisë," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Kasemi në Teheran. Ai tha se zgjidhja e vetme për krizën në Golan është t'i jepet fund pushtimit izraelit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se "vendimet personale dhe të nxituara tregojnë një realitet tjetër të politikave amerikane që janë të rrezikshme për të gjithë botën dhe veçanërisht do ta shtyjnë këtë rajon të paqëndrueshëm në krizat e njëpasnjëshme". Siria, e cila deklaroi muajin e kaluar se ishte gati të shkonte në një luftë tjetër me Izraelin për Golanin, në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e saj e Jashtme të premten, dënoi vendimin e Trump. "Pozicioni amerikan ndaj lartësive të pushtuara të Sirisë në Golan pasqyron qartë përçmimin e Shteteve të Bashkuara për ligjin ndërkombëtar dhe shkeljen flagrante të së drejtës ndërkombëtare," thuhet në deklaratë e MPJ të Sirisë. "Deklaratat e papërgjegjshme të presidentit amerikan, edhe një herë treguan mbështetjen e verbër dhe të pafundme të SHBA për regjimin okupues izraelit dhe aktet e tij armiqësore", shton deklarata e Damaskut. Një anëtar i Këshillit të Federatës Ruse kritikoi gjithashtu vendimin e Trump, duke thënë se Rusia kurrë nuk do ta njohë sovranitetin izraelit mbi lartësitë e Golanit. Oleg Morozov tha se masa e Trump ka për qëllim ndarjen e botës arabe dhe minimin e Sirisë dhe të "partneritetit të saj me Rusinë". Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se BE-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Rrafshnaltës së Golanit, një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se është koha që SHBA-ja të njohë sovranitetin e Izraelit në atë rajon. “Pozicioni i Bashkimi Evropian është i njohur dhe nuk ka ndryshuar”, tha të premten Tusk në një konferencë për media. Bashkimi Evropian nuk njeh sovranitetin e Izraelit në lartësitë e Golanit.

 

Tags

Komente