Sep 11, 2019 08:26 Europe/Tirane
  • Raketat nga Gaza e detyrojnë Netanjahun të largohet

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu është detyruar të largohet dhe të kërkojë strehim gjatë një tubimi elektoral në qytetin portual Ashdod përpara zgjedhjeve të parakohshme legjislative të javës së ardhshme, ndërsa raketat e lëshuara nga Rripi i rrethuar i Gazës kërcënuan zonën.

Sirenat e alarmit u dëgjuan të martën në mbrëmje sapo Netanjahu filloi fjalimin e tij para qindra mbështetësve të partisë së djathtë Likud, të cilën ai e kryeson. Në një skenë të jashtëzakonshme të kapur në video, kryeministri izraelit mund të shihet duke u larguar nga skenës nga rojet e sigurisë. "Largohuni shpejtë," tha Netanjahu para turmës përpara se të dilte nga skena. Edhe në qytezën Ashkelon aty pranë, anëtari i aleancës politike Bardhë dhe Blu dhe ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave ushtarake izraelite, Gabi Ashkenazi, u detyrua të ndërpresë një tubim elektoral për shkak të raketave të lëshuara nga Rripi i Gazës. Ushtria izraelite tha se të paktën dy raketa u qëlluan në territoret e okupuara, duke pretenduar se të dy raketat janë interceptuar nga i ashtuquajturi sistemi raketor Kupola e Hekurt. Udhëheqësi i partisë së linjës së ashpër Yisrael Beiteinu, Avigdor Lieberman u evakuua nga një festë në një restorant në Ashdod. Lieberman, një ish aleat i Netanjahut, tha se incidenti "dëshmon se politikat e Netanjahut ... janë të falimentuara. Ne duhet të ndryshojmë drejtimin ".

 

Tags

Komente