• Senati përpiqet të sulmojë trashëgiminë e Obamës

Mich Mc Kanel kreu i shumicës në Senatin Amerikan ka kërkuar anulimin e plotë të programit Obamacare. Sipas një njoftimi të Press Tv, ky senator republikan ka kërkuar vendosjen e një sistemi të ri siguracionesh shëndetësore në vend të programit të presidentit amerikan Barack Obama të njohur ndryshe me emrin Obamacare.

Nga ana e tij presidenti Barack Obama i ka kërkuar demokratëve të luftojnë për të mbrojtur aktin e tij të kujdesit shëndetësor, në një kohë kur skuadra e presidentit të radhës, Donald Trump, është zotuar se shfuqizimi i ligjit do të jetë një prioritet për ta. Obama ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të partisë së tij, ndërkohë që republikanët ndërmorën hapin e parë në shpërbërjen e kësaj reforme.  Zv/presidenti i zgjedhur Mike Pence ishte gjithashtu i pranishëm në Kongres, ku ai i tha republikanëve se ata do të zëvendësonin aktin e njohur si Obamacare. Ligji ka zgjeruar mbulimin shëndetësor për rreth 20 milionë amerikanë. Por Akti i Kujdesit të Përballueshëm i vitit 2010, është goditur nga kostoja e madhe dhe shumë shoqëri sigurimesh janë tërhequr nga skema, duke i lënë amerikanëve më pak mundësi zgjedhjeje. Përfaqësues të Partisë Demokratike u shprehën për mediat, se Obama kishte nxitur anëtarët të luftonin për të mbrojtur këtë arritje në politikën e brendshme. Ata gjithashtu deklaruan se presidenti ka inkurajuar demokratët të qëndrojnë të fortë përballë republikanëve, të cilët përgatiten të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të dyja dhomave të Kongresit, për herë të parë në një dekadë. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump e ka kritikuar aktin Obamacare, duke premtuar se do ta zëvendësonte me “një program më të mirë e më pak të shtrenjtë”. Ndërkohë, administrata Obama deklaroi një ditë më parë se 8.8 milionë amerikanë ishin regjistruar në aktin Obamacare për 2017, rreth 200.000 persona më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë, një vit më parë.

Jan 10, 2017 09:01 Europe/Tirane
Komente