• Pas kritikave të ashpra, liderja e Mianmarit eviton takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

Udhëheqësja Mianmarit, Aung San Suu Kyi nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet javën e ardhshme, teksa përballet me kritika për gjenocidin kundër myslimanëve Rohingia.

Rreth 370 mijë njerëz nga minoriteti mysliman janë dëbuar nga Mianmari dhe janë strehuar në Bangladesh, që kur nisi dhuna në krahinën Rakhine ku ata jetonin. Su Ki, e cila ka marrë edhe çmimin Nobel për Paqen, po akuzohet gjithnjë e më fort se nuk bën asgjë kundër persekutimit të myslimanëve, madje as flet për këtë. Ushtria e Mianmarit pretendon se po lufton rebelët, por eksodi masiv dhe mijëra viktimat myslimane tregojnë një panoramë të ndryshme, diçka që nga OKB-ja është cilësuar si “spastrim etnik”. Mungesa e Aung San Suu Kiy në Asamblenë e OKB duket logjike, në kohën kur kritikat e akuzat ndaj saj shtohen, megjithëse vartës të saj thanë se ajo ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë. Padyshim që çmimi Nobel për Paqen e ka të vështirë të justifikojë atë që po ndodh në vendin e saj, e sipas analistëve duket se e persekutuara është shndërruar tashmë në një persekutore. Ndërkohë, organizatat Human Right Watch dhe Amnesty International kanë kritikuar pasivitetin e KS të OKB rreth krimeve të ushtrisë dhe budistëve kundër myslimanëve në Mianmar. Operacionet e sigurisë që kanë shënjestruar myslimanët e etnisë Rohingia në Mianmar ngjan me një “shembull të sprovuar të spastrimit etnik”. Kështu është shprehur shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut. Zeid Ra’ad al-Hussein i bëri thirrje qeverisë së Mianmarit t’i japë fund menjëherë “operacionit mizor ushtarak”. Rreth 294 mijë myslimanë Rohingya janë detyruar të largohen nga vendi, në drejtim të Bangladeshit fqinj, që kur nisi dhuna e pashembullt në shtetin Rakhin, në fund të muajit të kaluar.

 

Sep 13, 2017 20:10 Europe/Tirane
Komente