• Ligjvënësit amerikanë të pakënaqur nga Trump

Senatorët amerikanë janë shprehur të pakënaqur nga politika dhe mënyra e sjelljes së presidentit amerikan.

Për shkak të veprimtarisë së presidentit, shumë senatorë amerikanë janë shprehur se Donald Trump nuk është i denjë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Senatori republikan i Arizonës, Jeff Flake sulmoi ashpër presidentin Donald Trump dhe bashkëfajësinë e Partisë Republikane, ndërsa lajmëroi vendimin e tij për të lënë Senatin. Flake, një kritik i njohur i Trumpit, tha se nuk do të kandidojë më pas fundit të mandatin në vitin 2018, pasi nuk ka më vend për të në Partinë Republikane nën drejtimin e këtij presidenti. “Është koha që bashkëfajësia jonë dhe pranimi i të papranueshmes të marrin fund. Është koha të rrezikojmë edhe karrierën për parimet. Sjelljet e gabuara, të turpshme dhe të padenja, nga maja e qeverisë amerikane janë të rrezikshme për demokracinë”, tha Jeff Flake, senator republikan nga Arizona. Një ditë më parë ishte senatori tjetër, Bob Corker, që sulmoi presidentin, duke treguar se lista e republikanëve që po i bien alarmit për presidencën “Trump” po shtohet. Analistët thonë se kritikat e Jeff Flake ndaj presidentit janë një moment potencial kthese në Partinë Republikane, megjithëse ato, si edhe të tjera, vijnë nga senatorë që në një mënyrë apo tjetër i kanë dhënë fund karrierës dhe nuk kanë asgjë për të humbur, diçka që e ka bërë pjesën tjetër të frenohet duke menduar për rizgjedhjen. Ish-kandidatja demokrate për presidencën amerikane, Hillary Clinton mori hov nga tensionet mes Partisë Republikane lidhur me Donald Trump, e bëri thirrje që edhe politikanë të tjerë – veç dy senatorëve rebelë – të bëjnë përpara me bindjen se “Kombi duhet vendosur mbi partinë”. Jeff Flake i Arizonës deklaroi se sjellja e shkujdesur, fyese dhe aspak dinjitoze e numrit një të qeverisë ishte një rrezik për demokracinë. Vet Trump e ka quajtur më parë senatorin Flake “një njeri toksik”. Por pakënaqësitë e tij i ka shprehur hapur edhe një republikan tjetër në Senat, Bob Corker nga Tennesee. Clinton e kishte një deklaratë për këtë rast. “Shtëpia e Bardhë po e ndien presionin, ashtu siç po e ndiejnë republikanët në Kongres. Kemi Bob Corker, e pas tij edhe Jeff Flake, që praktikisht po thonë se nuk e durojnë dot më këtë situatë. E nëse do të ketë edhe njerëz të tjerë që do të vënë interesat kombëtare përpara atyre partiake, mendoj se do të mund të shohim vërtet disa ndryshime pozitive”, tha Clinton. Në fjalimin e tij përpara Senatit, Flake i kishte thënë gazetës “Arizona Republic” se mund të mos ketë më vend për një republikan si ai në Partinë e sotme Republikane. “Nuk më pëlqen ta kritikoj presidentin, – tha senatori, – por e ndiej se duhet ta bëj një gjë të tillë, i shtyrë nga përgjegjshmëria dhe ndërgjegjja”. Trump u takua më herët me republikanët në Senat, me shpresën t’i bindte të miratonin planet e tij për uljen e taksave mbi korportatat dhe shtresën e mesme, e pikërisht aty shkëmbeu edhe deklarata thumbuese me Corkerin. Ndërsa i drejtohej takimit, një burrë hodhi drejt tij një flamur rus e thirri me të madhe “tradhtar”. Personi u ndalua menjëherë nga policia.

 

Tags

Oct 26, 2017 09:54 Europe/Tirane
Komente