• Afro 1 milionë persona protestojnë në Barcelonë kundër Madridit

Më pak se një milionë njerëz janë mbledhur në Barcelonë për të protestuar kundër arrestimit të liderëve katalanë nga ana e Spanjës.

Me drita ndër duar, ata thërrisnin njëzëri duke kërkuar lirimin e tetë ministrave rajonalë dhe dy liderëve të fushatës për pavarësinë, që mbahen të arrestuar. Shumë pjesëmarrës mbanin në duar pankarta ku shkruhej ”Liri për të burgosurit politikë”, ndërkohë që shumë të tjerë valëvitnin Esteladan, flamurin e lëvizjes katalonase për pavarësi. Qeveria katalonase u rrëzua nga Madridi pasi Parlamenti rajonal miratoi në mënyrë të njëanshme pavarësinë e Katalonisë, më 27 tetor. Disa prej të ndaluarve do të përfshihen në listën e partisë separatiste katalane për zgjedhjet e parakohshme të muajit të ardhshëm. Në një ekran gjigant, gjatë protestës, u shfaq edhe një mesazh i liderit të shkarkuar katalan, Carles Puigdemont, i cili ndodhet aktualisht në Bruksel. Protesta konsiderohet si një test për mbështetjen e lëvizjes për pavarësi që kur qeveria katalane shpalli Pavarësinë, duke bërë që më pas kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy të shkarkonte atë, të shkrinte parlamentin rajonal dhe të shpallte zgjedhje të reja në dhjetor. Gjykata e Lartë spanjolle ka urdhëruar arrestimin e tetë ish pjesëtarëve të qeverisë, bashkë me dy liderë separatistë. Gjykata lëshoi javën e shkuar edhe fletë arreste për ish presidentin rajonal Carles Puigdemont dhe katër pjesëtarë të tjerë të qeverisë të tij, që ndodhen në Belgjikë. Nga ana tjetër, Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy duke folur në Barcelonë deklaroi se zgjedhjet lokale të muajit të ardhshëm do të ndihmojnë t’i jepet fund kaosit në rajonin e pasur verilindor që tentoi shkëputjen. Duke mbrojtur vendimin e tij për të imponuar mbi Katalonjën kontrollin direkt të Madridit zyrtar, shefi i ekzekutivit spanjoll shpjegoi se “nuk kishte lënë rrugë pa përdorur” përpara se të hidhte hapin ekstrem, në vazhdën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga qeveria katalanase muajin e kaluar. Rajoy iu drejtua asaj që e quajti “mazhoranca e heshtur e Katalonjës”, duke i bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. “Ktheheni zërin tuaj në votë, – ishte mesazhi i tij. Duhet ta nxjerrim Katalonjën nga kaosi i separatizmit”. Partia e majtë “ERC”, një aleate kyçe e Puigdemontit njoftoi se disa prej udhëheqësve të burgosur, përfshirë kreun e saj Oriol Junqueras, si dhe një pjesë e ministrave të ndodhur në Belgjikë, do të figurojnë në listën e saj elektorale. “ERC”-ja, megjithatë i refuzoi thirrjet e Puigdemont për të mos i pranuar zgjedhjet si pjesë e bllokut të partive pro pavarësisë. Anketimi më i fundit i publikuar nga gazeta katalanase “La Vanguardia” tregon se, kjo parti do të marrë shumicën e votave në dhjetor. Në zgjedhjet e fundit rajonale, përpara dy viteve, Partia Popullore e Rajoyt siguroi vetëm 8.5% të votave.

 

Nov 12, 2017 17:55 Europe/Tirane
Komente