• Pentagoni kërkon të rrisë rolin e armëve bërthamore në strategjinë e sigurisë së SHBA

Mediat amerikane, pas tetë vjetësh që nga publikimi i dokumentit të SHBA mbi armët bërthamore, njoftuan mbi dokumentin e ri të shqyrtimit të armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara, me qëllim forcimin e rolit të armëve bërthamore në strategjinë amerikane të sigurisë.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA (Pentagoni) njoftoi të premten se plani i rishikimit bërthamor do të përfshijë një rishikim të rolit të armëve bërthamore në Strategjinë e Sigurisë së SHBA, dhe do të miratohet nga Sekretari i Mbrojtjes dhe pastaj nga Presidenti. Një plan nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump për të ndjekur zhvillimin e armëve të reja bërthamore dhe për të hequr kufizimet për përdorimin e tyre ka shkaktuar kritika të ashpra nga ekspertët e kontrollit të armëve, të cilët shprehën shqetësime se të tilla masa mund të rrisin rreziqet e luftës bërthamore. Administrata Trump mund të hapë në mënyrë eksplicite mundësinë e hakmarrjes bërthamore për sulme të mëdha jo-bërthamore, sipas një dokumenti të ri të shqyrtimit të rolit të armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara të hartuar nga Pentagoni dhe të botuar nga faqja e internetit Huffington Post. Sipas dokumentit, Shtëpia e Bardhë do të konsiderojë më shumë rolin e armëve bërthamore dhe do të mbështesë një modernizim të kushtueshëm të arsenalit bërthamor të SHBA. Politika e re bërthamore e SHBA është dukshëm më e ashpër, sesa qëndrimi i adoptuar nga administrata e ish presidentit Barak Obama, i cili kërkonte të zvogëlonte rolin e armëve bërthamore në ushtrinë amerikane. Zyra e Buxhetit të Kongresit ka vlerësuar se modernizimi dhe mirëmbajtja e arsenalit bërthamor të ushtrisë amerikane gjatë 30 viteve të ardhshme do të kushtojë më shumë se 1.2 trilionë dollarë. Mirëmbajtja e rezervave ekzistuese do të përbënte gati gjysmën e kostove të parashikuara për modernizimin e arsenalit të armëve bërthamore të SHBA. Përkrahësit e kontrollit të armëve kanë shprehur alarmin në lidhje me  propozimin e ri të Pentagonit, duke thënë se ky dokument e bën më shumë të të mundshme një luftë bërthamore. Daryl Kimball, kreu i Shoqatës së Kontrollit të Armëve në Uashington, tha se zhvillimi i armëve të reja në arsenalin e madh bërthamor të SHBA-së është një veprim "i rrezikshëm, me mendësinë e Luftës së Ftohtë". "Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë posedojnë një gamë të gjerë të armëve bërthamore dhe nuk ka ndonjë provë që të dëshmojë se armët më të moderne bërthamore do të forconin vetëpërmbajtjen e kundërshtarëve ose do t'i detyrojnë ata të bëjnë zgjedhje të ndryshme rreth arsenaleve të tyre", shkruante sot Kimball në faqen e internetit të Shoqatës së Kontrollit të Armëve në Uashington. Sidoqoftë, drafti i dokumentit të ri të Pentagonit mbi armët bërthamore konsiderohet një largim nga politika e gjatë e SHBA mbi rolin e këtyre armëve në doktinën e sigurisë kombëtare të këtij vendi. Ky dokument zgjeron skenarët sipas të cilave Shtetet e Bashkuara mund të përdorin armë bërthamore dhe për këtë arsye rrit rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.

 

Jan 13, 2018 19:03 Europe/Tirane
Komente