• Princi i kurorës pritet me protesta në Londër

Princi i kurorës në Arabinë Saudite nisi këtë të mërkurë një vizitë treditore në Britani, në mesin e protestave të planifikuara atje kundër rolit të vendit të tij në luftën e Jemenit.

Mohammed bin Salman ka zhvillar bisedime me kryeministren Theresa May, e më pas drekoi me Mbretëreshën e Anglisë Elizabeth II. Britania shpreson të përfitojë nga hapja e ekonomisë saudite, por nga zyra e kryeministres thonë nga ana tjetër se, May ka shprehur shqetësime të thella mbi situatën humanitare në Jemen. I pyetur nga lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, nëse ajo do të kritikojë "abuzimin tronditës të të drejtave të njeriut" të regjimit të Riadit, May tha: "Lidhja që kemi me Arabinë Saudite është historike, është e rëndësishme dhe ka shpëtuar potencialisht jetën e qindra e njerëzve në këtë vend. " Deklaratat e saj u ndërprenë shkurtimisht pasi ligjbërësit e opozitës thirrën "Turp!" Përpara “Downing Street” janë paralajmëruar protesta kundër vrasjes së civilëve jemenas, gjatë sulmeve ajrore të ndërmarra prej koalicionit që drejtohet nga sauditët, e që mbështetet nga Londra dhe Uashingtoni. Qeveria e May ka mbetur sfiduese përballë rritjes së presionit për të ndaluar eksportet e armëve në Arabinë Saudite, duke mbrojtur shitjet megjithë provat e krimeve të luftës dhe vdekjeve civile në Jemen. Britania e Madhe ka rritur shitjet e armëve Riadit me rreth 500 për qind që nga fillimi i agresionit saudit, sipas një raporti të The Independent. Mbretëria e Bashkuar, deri tani, ka shitur më shumë se gjashtë miliardë paund armë në Arabinë Saudite.

 

Mar 07, 2018 22:36 Europe/Tirane
Komente