• Tusk: Me miq si Trump s'kemi nevojë për armiq!

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka kritikuar “prepotencën” e Shteteve të Bashkuara nën presidentin Donald Trump, duke thënë se ky qëndrim ia ka hequr “Evropës të gjitha iluzionet”.

Sipas Reuters, Tusk i bëri këto komente sot në Sofje të Bullgarisë, para samitit të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet vendimi i SHBA-së për të braktisur marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe kërcënimi për të vendosur tarifa të reja mbi aluminin dhe çelikun. “Përveç sfidave tradicionale politike, siç është rritja e Kinës apo qëndrimi agresiv i Rusisë, ne jemi dëshmitar të një fenomeni të ri: Prepotenca dhe arroganca e administratës amerikane”, u shpreh Tusk. “Duke shikuar vendimet e fundit të presidentit Trump, dikush mund edhe të mendoj: me shok të tillë, kujt i duhen armiq”, shtoi ai. “Por, sinqerisht, Evropa duhet të jetë mirënjohëse ndaj presidentit Trump sepse falë atij, ne kemi hequr dorë nga të gjitha iluzionet”, ka thënë tutje Tusk.

 

Maj 16, 2018 19:26 Europe/Tirane
Komente