• Sulmet ndaj Trudeau, zemërim në Kanada, Uashingtoni kërkon falje

Dhoma e ulët e Parlamentit të Kanadasë ka dënuar njëzëri sulmet personale ndaj kryeministrit Justin Trudeau nga Presidenti i SHBA Donald Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, të cilët kanë fyer elitat kanadeze dhe qytetarët e zakonshëm pas një mosmarrëveshjeje mbi tregtinë.

Ligjvënësit kanadezë miratuan njëzëri një mocion mbështetës të politikave kanadeze të tregtisë së çelikut dhe aluminit, si dhe për sistemin e menaxhimit të furnizimit që mbështet sektorët kryesorë bujqësorë. Ata gjithashtu përkrahën me ovacione të gjata vendimin e qeverisë së Trudeau për të vendosur tarifa për mallrat e SHBA në hakmarrje për vendosjen e tarifave nga administrata Trump ndaj çelikut dhe aluminit kanadez. Nga ana tjetër, Këshilltari për tregti në Shtëpinë e Bardhë, Peter Navarro, ka kërkuar falje të martën për tonet e tij të ashpra ndaj kryeministrit kanadez, Justin Trudeau. Në një intervistë me gazetën Wall Street Journal, Navarro ka thënë se ai ka bërë gabim. “Misioni im ka qenë të dërgoj një shenjë të dukshme të forcës”, është cituar të ketë thënë Navarro. “Problemi është që gjatë transmetimit të mesazhit nuk kam përdorur gjuhë adekuate”. “Është një vend special në ferr për secilin lider që punon me qëllim të keq në diplomaci me presidentin Donald Trump dhe më pas tenton t’i vendosë thikë pas shpine, dhe këtë gjë e ka bërë Justin Trudeau. Ai është gjest i lig dhe i pandershëm”, kishte thënë Navaro në një program të Fox News.

 

Jun 12, 2018 20:20 Europe/Tirane
Komente