• Washington Post: Vrasja e Khashoggi është urdhëruar nga Muhamed bin Salman

Raporti i gazetës amerikane Washington Post thotë se Princi i Kurorës Saudite, Muhamed bin Salman, personalisht urdhëroi një operacion kundër ish-mbështetësit të qeverisë, të kthyer në kritik, Jamal Khashoggi, i cili dyshohet se është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll.

Duke cituar përgjimet e inteligjencës amerikane të zyrtarëve sauditë që kanë diskutuar çështjen, e përditshmja amerikane - për të cilën Khashoggi kontribuoi si kolumnist - njoftoi të mërkurën se detajet e operacionit mbanin shenjat dalluese të një "bashkërendimi për eliminimin fizik të gazetarit disident". Khashoggi, një kritik i politikës së bin Salman, hyri në konsullatën saudite në Stamboll javën e kaluar për disa dokumenta martese, por ai kurrë nuk doli nga konsullata. Lajmet për zhdukjen e tij shpërthyen pasi e fejuara e Khashoggi, e cila ishte duke pritur jashtë ndërtesës diplomatike, e thirri policinë. Të enjten, presidenti turk, Tayyip Erdogan shprehu shqetësime rreth zhdukjes së Khashoggi, duke thënë se Ankaraja nuk mund të heshtë për incidentin. "Ne po hetojmë të gjitha aspektet e ngjarjes. Nuk është e mundur që ne të mbetemi të heshtur në lidhje me një ngjarje të tillë, sepse nuk është një dukuri e zakonshme ", u citua Erdogan nga gazeta Hurriyet.

 

Oct 11, 2018 19:11 Europe/Tirane
Komente