• Senati nuk mbron Mueller

Udhëheqësi republikan i Senatit të Shteteve të Bashkuara bllokoi përpjekjet dypartiake për miratimin e një legjislacioni për mbrojtjen e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton lidhjet midis Rusisë dhe ekipit të drejtoi fushatën zgjedhore të presidentit Donald Trump.

Senatori Mitch McConnell tha se votimi i një legjislacioni të tillë nuk ishte i nevojshëm.

Por javën e kaluar presidenti Trump zëvendësoi prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions, me një ndihmës të tij që ka kritikuar vazhdimisht hetimet e drejtuara nga Mueller-i.

Trump i ka cilësuar shpesh hetimet si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash”, ndërsa ka nënvizuar disa herë se ka autoritet për ta shkarkuar Mueller-in.

“Ne e dimë se si ndjehet presidenti në lidhje me hetimet, por ai kurrë nuk ka thënë se dëshiron t’i mbyllë ato. Mendoj se nuk ka rrezik, ndaj mendoj se nuk është e nevojshme për legjislacion të tillë,” tha McConnell.

Demokratët në Kongres, që tani kanë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, kanë nxitur miratimin e një ligji për të mbrojtur nga shkarkimi Mueller-in.

Nismës së tyre i janë bashkuar edhe disa republikanë në Senat.

Tags

Nov 16, 2018 12:40 Europe/Tirane
Komente