Jan 12, 2019 13:27 Europe/Tirane
  • Policia e Francës mobilizohet për t'u përballur me protestat

Më shumë se 80 mijë oficerë policie po mobilizohen në të gjithë Francën, për fundjavën e nëntë radhazi të protestave antiqeveritare të “jelekverdhëve”, ndërkohë që Emmanuel Macron përgatitet të nisë një debat publik tremujor, që shpreson se do të kanalizojë zemërimin e protestuesve larg nga rrugët.

Demonstruesit pritet të mblidhen në Paris të shtunën, teksa qeveria druan një përsëritje të përleshjeve të dhunshme me policinë, të shënuara fundjavën e shkuar, madje edhe më shumë sesa kaq.

Më shumë se 5.000 policë do të jenë të vendosur vetëm në kryeqytet. Protesta të mëdha priten edhe në qytetin e vogël Bourges, në Francën qendrore, pasi “jelekverdhët” sugjeruan “online” se pozicioni i tij në qendër e bën lehtësisht të arritshëm dhe ka po ashtu edhe një prani më të reduktuar policie.

Qyteti me 66 mijë banorë, përballë frikës për përleshje dhe dhunë, ka mbyllur muzeumet, ka pastruar kantieret e ndërtimit, ka hequr matësit e parkimit dhe ka mbuluar shenjat elektronike në stacionet e autobusëve.

Tags

Komente