Mar 24, 2019 08:40 Europe/Tirane
  • Protesta më e madhe kundër Brexit në Angli

Në një nga marshimet më masive të ndodhura ndonjëherë në historinë britanike, qindra mijëra vetë kanë protestuar nëpër rrugët e Londrës kundër “Brexit”-it. Ndërkohë, në një marshim më të vogël, por të titulluar “Largim do të thotë largim”, përkrahësit e “Brexit”-it janë nisur nga verilindja e Anglisë për të mbërritur në Londër më 29 mars, e cila mendohej se do të ishte dita kur Britania do të largohej nga Bashkimi Europian.

Një vendim ky që është shtyrë tashmë, pas ngërçit në miratimin e marrëveshjes së negociuar mes Londrës dhe Brukselit. Marshuesit kundër “Brexit”-it kanë kërkuar revokimin e Nenit 50 të Traktatit të Lisbones, mekanizmit ligjor që mundëson divorcin e Britanisë nga unioni. Kur kanë ngelur më pak se një javë nga data e largimit, 29 marsi sipas rezultatit të referendumit të 2016-s, askush nuk e di se si, kur, madje as nëse do mund të dalë Britania nga Bashkimi Europian. Kjo ka bërë që ndjeshmëritë në të dyja kampet, pro dhe kundër “Brexit”-it, të fuqizohen. Një kamp e cilëson situatën e krijuar në negociatat me BE-në si “poshtërim kombëtar” përpara aleatëve europianë. Madje, edhe kryeministrja Theresa May e pranon se vendi është në “kaos dhe krizë”. Ndërkaq, shefja e ekzekutivit britanik ka deklaruar se mund të mos e paraqesë për herë të tretë marrëveshjen e saj për votim, javën e ardhshme, nëse e shikon që aritmetika parlamentare nuk është pro saj. Sakaq, një peticion “online” është firmosur nga mbi 4.2 milionë vetë që kërkojnë anulimin e divorcit britanik me Bashkimin Europian, shifra më e lartë e pjesëmarrjes, gjë që në një moment bëri që faqja zyrtare të bllokohej. Agonia britanike e daljes ose jo, dhe si apo kur, ende merr frymë, duke lënë pa frymë ata që mendonin 3 vite më parë se “Brexit” do të ishte një shëtitje në park.

 

 

Tags

Komente