Konferenca e 26-të kombëtare iraniane për namazin me temë “Namazi dhe sfera virtuale” u organizua ditë më parë në provincën Hormozgan.

Namazi është një prej adhurimeve më të rëndësishme në Islam. Përmbajtja e fjalive dhe lutjeve të namazit, është përmbledhje e ngjeshur e njohurive dhe mësimeve të rëndësishme përkatëse me besimin në një Zot, profetësinë, botën tjetër dhe çështjet shoqërore, të cilat ekzistojnë në zemër të Islamit. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në fillim të shpalljes hyjnore, ka filluar programin për ndërtimin e personalitetit të njeriut dhe për forcimin e themeleve të sistemit islam, prandaj misionin e tij e ka filluar me adhurim dhe me mësimin e namazit për të tjerët. Në programin botëror të Islamit, namazi është një model shumë i qartë. Në Kur’anin e shenjtë ekzistojnë rreth 98 ajete të cilat kanë folur për rëndësinë e namazit. Në ajetin 14 të sures Taha, Zoti i madhëruar me anë të një thirrje gjithëpërfshirëse deklaron: “Unë jam Allahu, nuk ekziston Zot tjetër përveç meje për tu adhuruar. Më adhuroni mua dhe kryeni namazin për të më kujtuar mua”.

Për arsye të rëndësisë së namazit në jetën e njeriut, konferenca kombëtare për namazin në Iran është një prej ngjarjeve kulturore shumë të rëndësishme në Republikën Islamike të Iranit e cila organizohet për çdo vit duke filluar me mesazhin e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit në një prej provincave të Iranit.

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në një pjesë të mesazhit të tij për konferencën e 26-të kombëtare për namazin, ka theksuar thirrjen për kryerjen e këtij adhurimi të bukur dhe ka thënë:

“Thirrja në kryerjen e namazit, është thirrje për kryerjen e veprave më të bukura të jetës, sepse namazi është një kapitull i jetës në të cilin njeriu paraqitet para Krijuesit dhe Poseduesit të të gjitha të mirave dhe bukurive ku shpreh me dashuri nevojën dhe lutjen e tij, prandaj në këtë mënyrë shton masën e bukurisë dhe mirësisë së shpirtit dhe të zemrës së vet. Robërit e mirë dhe bamirës të Zotit të madhëruar këtë adhurim duhet ta konsiderojnë mësim për veten e tyre dhe duhet të thërrasin njerëzit e tjerë që ta kryejnë namazin. Funksionarët besimtarë në sistemin e Republikës Islamike duhet t’i vendosin në dispozicion të gjitha kushtet dhe mundësitë për realizimin e kësaj thirrje. Kleriku, mësuesi, edukatori, drejtori dhe përgjegjësi në çdo vend publikun ose punonjësit e tij duhet t’i thërrasë në këtë drejtim dhe t’i bëjë ata prej thirrësve në rrugën e Zotit dhe në kryerjen e namazit”.

Mesazhi i liderit suprem në konferencën e 26-të kombëtare për namazin

Konferenca e 26-të kombëtare iraniane për namazin me temë “Namazi dhe sfera virtuale” u organizua ditë më parë në provincën Hormozgan. Kjo konferencë ishte organizuar me qëllim të prezantimit dhe njohjes së aspekteve të ndryshme të obligimit të bukur dhe hyjnor të namazit, prodhimit të materialeve të larmishme në këtë fushë dhe shpërndarjen e tyre për publikun duke shfrytëzuar potencialin e sferës virtuale. Në këtë kuadër folësit në këtë konferencë kanë trajtuar çështje të ndryshme rreth lidhjes së namazit dhe sferës virtuale.

Khuxhetul-islam Va’d Moradbejgi, imami i namazit të së premtes në qytetin Ilam, në lidhje me rëndësinë e namazit tha: “Namazi luan rol efikas dhe me ndikim në procesin e ndërtimit personalitetit të njeriut dhe në forcimin e besimit të tij. Namazi bëhet shkak që njeriu të ketë siguri dhe qetësi dhe në këtë mënyrë namazi e çon njeriun në një pozitë të lartë. Namazi zgjeron vizionin e njeriut dhe është një urë ndërlidhës mes kësaj bote dhe botës tjetër. Sipas ajeteve të Kur’anit të shenjtë, njerëzit fetarë dhe me devotshmëri, punën e parë që e kryejnë është namazi. Kjo do të thotë se namazi është një rrugë e shkurt dhe e shpejtë mes ndërtimit të personalitetit të njeriut dhe shoqërisë”.

Moradbejgi me këtë rast kujtoi se individi në vetminë e tij, por edhe në mesin e shoqërisë dhe në procesin e ndërtimit të personalitetit njerëzor, ka nevojë për një komponent dhe ky komponent në fenë Islame është namazi. Ai shtoi: “Sipas ajeteve kur’anore, namazi pengon ndotjen e njeriut me degjenerim dhe me vepra të këqija. Degjenerimi dhe veprat e këqija, janë rrënjë e shumë problemeve si depresioni, krijimi i pesimizmit dhe humbja e jetës aktive dhe gjallërisë. Këta faktorë shkatërrojnë edhe shpirtin e ngritur te individi duke e bërë njeriun të dobët përball problemeve. Mirëpo namazi, e mban njeriun nën kontroll për të mos u zhytur në mëkat dhe degjenerim”.

Imami i namazit të së premtes në Ilam në vazhdim nënvizoi: “Përhapja e kulturës së namazit bëhet shkak për shtimin e spiritualitetit dhe moralit të shëndoshë, vendosjen e paqes dhe qetësisë në shoqëri, prandaj sfera virtuale mund të luajë rol shumë me ndikim në këtë fushë. Ne për të përshpejtuar procesin e ndërtimit të individit në shoqëri, nuk duhet ta neglizhojmë namazin, por duhet të shfrytëzojmë në masë të duhur sferën virtuale në fushën e përhapjes së kulturës së namazit dhe rëndësinë e saj”.

Sot kur rrjetet e komunikimit, sidomos sfera virtuale, është bërë mjeti kryesor dhe efikas për informim dhe për të ushtruar ndikim në familje, atëherë padyshim se në sferën virtuale mund të shprehet edhe rëndësia e namazit dhe efekti shpirtëror dhe moral duke përdorur gjuhën ditore të thjeshtë dhe të bukur për prezantimin e vlerës, madhërisë dhe dobisë së namazit. Padyshim se nëse të dhënat e marra nga bazat fetare do të paraqitën në forma të bukura artistike dhe do të ofrohen për njerëzit në të gjithë botën, atëherë njerëzit me dashuri dhe vetëdije do të anojnë më tepër drejt kulturës së namazit e cila ka rol të madh në ndërtimin e personalitetit të njeriut. Me një armë efikase që quhet namaz, mund të mënjanohen probleme të mëdha në shoqërinë njerëzore.

Konferenca e 26-të kombëtare iraniane për namazin në provincën Hormozgan

Rëndësia e sferës virtuale dhe zgjerimi i saj në sfera të ndryshme të jetës së njeriut, është një fakt që e din të gjithë. Statistikat që tregojnë ndikimin e internetit dhe nivelin e përdorimit të tij nga njerëzit, është një e vërtetë e pamohueshme. Niveli i ushtrimit të ndikimit të internetit në sfera të ndryshme politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike, si dhe zhvillimi dinamik i teknologjive moderne në epokën e komunikimit, është bërë shkak që qeveritarët, mendimtarët dhe elitat e shoqërisë të mendojnë rrugëzgjidhje për trajtimin me maturi dhe me vetëdije të këtij fenomeni dhe për zhvillimin e kulturës në shoqëri, të hartojnë programe të caktuara për administrimin e kërcënimeve dhe rasteve përpara përdoruesve të sferës virtuale. Duke marrë parasysh rëndësinë e sferës virtuale dhe të rrjeteve sociale dhe nivelin e ndikimit të tyre në secilin individë të shoqërisë, nëpërmjet kësaj fushe mund të përhapim fjalën e vërtetë shumë shpejtë për një numër të madh të njerëzve në botë duke shfrytëzuar në mënyrë të duhur sferën virtuale për predikimin e koncepteve të vlerave dhe mësimeve informuese për njerëzit.

Khuxhetul-islam Keraeti, kryetari i shtabit për organizimin e namazit në Iran, në lidhje me nevojën e shfrytëzimit të mirë të sferës virtuale, thotë: “Kur’ani i shenjtë u thotë besimtarëve: “Përgatitni çdo lloj mjeti dhe mundësie për tu përballur me armikun”. Aktualisht armiku po e shfrytëzon sferën virtuale për të depërtuar dhe vendosur hegjemoninë e tij kulturore mbi popujt e ndryshëm. Prandaj edhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë sferë për predikimin dhe përhapjen e kulturës dhe mësimeve të Kur’anit dhe të Ehli Bejtit (a.s.) dhe të namazit”. Në këtë mënyrë, sfera virtuale mund të shfrytëzohet edhe për predikimin e namazit. Gjithashtu, kryerja e namazit në mënyrë të drejtë bëhet shkak që përdoruesit besimtarë të hyjnë në sferën virtuale dhe të jenë të mbrojtur dhe të sigurt nga dëmet e mundshme në këtë sferë duke përfituar për vete, por duke sjell dobi edhe për të tjerët. Një prej faktorëve që mund të bëhet shkak për rritjen e efikasitetit dhe shfrytëzimit të mirë të sferës virtuale, është përkushtimi në çështjen e namazit.

Z. Azari Xhahrami, ministri i telekomunikacionit, në konferencën e 26-të kombëtare për namazin, gjatë fjalës së tij vuri në dukje se sfera e virtuale është porta e predikimit të fesë dhe deklaroi: “Në sferën virtuale duhet të kemi qëndrim aktiv, për arsye se një prej karakteristikave të sferës virtuale e cila e dallon atë nga fenomenet e tjera, është shpejtësia në publikimin e informacionit dhe lajmeve”. Z. Azari Xhahrami duke thënë se mesazhet dhe të vërtetat e namazit janë tërheqëse për njerëzit, shtoi: “Duke shfrytëzuar në mënyrë të duhur potencialet e sferës virtuale, duhet të bëjmë përpjekje për prezantimin e Revolucionit dhe namazit. Sfera virtuale sot nuk është njëdimensionale, por ajo përfshinë të gjitha aspektet e njeriut dhe ky mjet aktualisht ndodhet në dispozicionin tonë”.

Konferenca e 26-të kombëtare iraniane për namazin në provincën Hormozgan

Të zgjedhurit e konferencës së 26-të kombëtare të namazit në sektorin e prodhimit të programeve kompjuterike, veprave vizuale, audio-emisioneve, në shpërndarjen dhe publikimin e materialeve me përmbajtjeve rreth namazit, në projekte grafike, janë vlerësuar dhe kanë marrë mirënjohje për veprat e tyre. Në përgjithësi 2800 vepra në formë filmi dhe programe rreth namazit janë dërguar në shtabin organizativ të konferencës kombëtare për namazin që u zhvillua në qytetin Bandarabas të provincës Hormozgan.

Shpirti i namazit është konstruktiv dhe pasi e mbron njeriun nga të këqijat dhe virtytet e ulëta, e ndryshon atë duke i dhënë një personalitet të hapur dhe të gjerë. Njeriu i cili qëndron në namaz pranë Krijuesit të gjithësisë dhe lartëson atë duke lavdëruar atributet e Tij, me të gjithë qenien e tij harmonizohet me këto karakteristika të bukura dhe të pastra hyjnore. Në këtë rast edhe Zoti i madhëruar e ndihmon njeriun duke i dhënë besim dhe siguri zemrës së kryesit të namazit sepse ky është kushti kryesor i suksesit të njeriut në sfera të ndryshme të jetës. Namazi është një rrugë për të fituar dritën dhe nëse kjo vepër kryhet me sinqeritet dhe përulje, me padyshim se do t’i japë njeriut sukses dhe shpëtim. Zoti i madhëruar për këtë arsye në Kur’anin e shenjtë i kërkon Profetit Muhamed s.a.v.s. që ta kryejë këtë vepër jo vetëm vet, por t’i bëjë thirrje edhe familjes së tij për kryerjen e namazit. Zoti i madhëruar thotë: “Urdhëroje familjen tënde për kryerjen e namazit dhe ki durim në kryerjen e kësaj vepre”. (Surja Taha, ajeti 132).

Në fund të programit po sjellim disa vargje poetike që ftojnë njerëzit për kryerjen e namazit:

Zgjohu që të hapim rrugën e agimit

E të fluturojmë deri në qytetin e bukur të dritës

Derisa gjaku të ulët mbi lartësitë e muzgut

Zgjohu që të fillojmë namazin

Jan 07, 2018 11:41 Europe/Tirane
Komente