Sot është përvjetori i martirizimit të Imam Hasan Muxhteba (a.s.). Duke shprehur ngushëllime me rastin e përvjetorit të martirizimit të imamit të dytë myslimanëve shiitë Imam Hasan Muxhteba (a.s.), po iu ftojmë të ndiqni këtë program special të përgatitur me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Hasan Muxhteba (a.s.).

Qielli është në zi e pikëllim për martirizimin e nipit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Në një ditë si kjo Imam Hasan Muxhteba (a.s.) në shtëpinë e tij u martirizuar në mënyrë të padrejtë. Me rastin e martirizimit pikëllues të imamit të dytë të myslimanëve shiitë, Imam Hasan Muxhteba (a.s.), shprehim ngushëllime për të gjithë myslimanët dhe dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.).

Imam Hasan (a.s.) është i biri i Imam Aliut (a.s.) dhe Hazretit Fatime (s.a.) dhe nipi i parë i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Në burimet historike thuhet se Imam Hasan Muxhteba (a.s.), për nga fytyra ishte njeriu më i ngjashëm me të Dërguarin e Zotit s.a.v.s.. Profeti Muhamed s.a.v.s. gjithashtu, kishte një dashuri të veçantë ndaj tij. Imam Hasan Muxhteba (a.s.) tetë vite të jetës së tij i ka kaluar pranë Profetit Muhamed s.a.v.s. prandaj ai është ndikuar në masë shumë të madhe nga morali, mënyra e sjelljes dhe personaliteti i madh i Profetit s.a.v.s.. Ai, gjithashtu, u edukua dhe mësoi njohurit e para nga Profeti Muhamed s.a.v.s. duke përfshirë edhe të vërtetat hyjnore. Imam Hasan (a.s.) nganjëherë ishte pranë Profetit Muhamed s.a.v.s. edhe në çastet e zbritjes së shpalljes hyjnore dhe nga gjuha e Profetit s.a.v.s. dëgjonte ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe pastaj i rilexonte ato për nënën e tij Hazretin Fatime (s.a.). Ai ishte njeri shumë i durueshëm dhe modest dhe në mesin e njerëzve njihej për bujari dhe fisnikëri të madhe. Bujaria e tij ishte aq e madhe saqë ai në tre raste ka falur gjysmën e pasurisë së vetë për njerëzit e varfër dhe në rrugën e Zotit dhe mori epitetin “Fisniku i Ehli Bejtit (a.s.)”.

Fjala “halim” është përmendur 15 herë në Kur’anin e shenjtë dhe në 11 raste është konsideruar një prej atributeve të Zotit të madhëruar, ndërsa në dy raste është përmendur si karakteristikë Hazretit Ibrahim a.s., në një rast është përmendur si karakteristikë e Hazretit Ismail a.s. dhe në një rast tjerë është përdorur për përshkrimin e karakteristikave të Hazretit Shuajb a.s.. Prandaj fjala “hilm” është një prej vlerave të rëndësishme morale dhe islame dhe njerëzit e dalluar si profetët e Zotit kanë karakteristikë të tillë. Ata persona të cilët përmbajnë karakteristikën “hilm” (urtësi) në  mënyrë të plotë, në realitet janë simbol i një prej atributeve të Zotit të madhëruar. Zoti i madhëruar në Kur’anin e shenjtë ka lavdëruar Hazretin Ibrahim a.s. i cili kishte këtë karakteristikë dhe ka thënë: “Me të vërtetë Ibrahimi kishte atributin hilm dhe ishte shumë i mbështetur te Zoti dhe ishte kthyes te Ai”.

Hilm-urtësia dhe durimi, gjithashtu ishin prej karakteristikave të veçanta të Imam Hasan Muxhteba (a.s.). Njëherë një burrë i moshuar nga Shami kishte shkuar në qytetin e Medinës dhe e pa Imam Hasanin (a.s.) të hipur mbi kalë. Ai aq sa kishte forcë ofendoi me fjalë të rënda Imam Hasanin (a.s.). Shoqëruesit e Imam Hasanit (a.s.) deshën ta largojnë atë, mirëpo Imam Hasani (a.s.) i ndaloi ata. Kur burri i mbaroi fjalët e tij, Imam Hasani (a.s.) shkoi pranë tij, e përshëndeti atë dhe në kohën kur në fytyrën e tij kishte një buzëqeshje të dashur, i tha atij: “O plak! Mendoj që nuk je nga këtu dhe siç duket shumë gjëra të janë thënë në mënyrë të gabuar ty! Nëse kërkon pajtimin tonë, do të jemi të kënaqur, nëse kërkon diçka nga ne, do të japim ty, nëse kërkon udhëzim nga ne, do të udhëzojmë, nëse ke nevojë për diçka, do t’i plotësojmë nevojat, nëse je i arratisur, ty do të japim strehim, nëse kafshën me të cilën udhëton e drejton drejt shtëpisë tonë, për aq kohë sa të dëshiron, do të jesh mysafiri ynë dhe do të jetë më mirë për ty, sepse ne e kemi shtëpinë të përgatitur dhe kushte të mjaftueshme”. Kur plaku dëgjoi këto fjalë me dashuri dhe bujari e me plotë durim të Imam Hasanit (a.s.), pësoi një ndryshim të thellë në brendësinë e tij saqë filloi të qajë dhe tha: “Dëshmoj se ti je khalifi i Zotit në tokë, Zoti e di më së miri se cilit person t’i japë përgjegjësinë për misionin hyjnor! Ti dhe babai yt ishin njerëzit më të urryer pranë meje, mirëpo tani ti je njeriu më i dashur pranë meje!” Pastaj ai shkoi në shtëpinë e Imam Hasanit (a.s.) ku qëndroi disa ditë dhe pastaj me zemrën plotë dashuri për familjen e profetësisë, u largua nga shtëpia e Imam Hasanit (a.s.).

 

Durimi i Imam Hasanit (a.s.) ishte deri në atë masë saqë Marvani, njëri prej armiqve të përbetuar të Ehli Bejtit (a.s.) i cili kishte shkaktuar shumë vuajtje për Imam Hasanin (a.s.), ka thënë: “Këto veprime i kam bërë ndaj atij i cili kishte urtësi dhe durim që mund të krahasohej me bjeshkët”.

Imam Hasani (a.s.) dhe imamët e tjerë (a.s.) ishin të edukuar në shkollën e Kur’anit të shenjtë, prandaj ata kishin një personalitet me moral dhe sjellje të bukur. Në transmetime historike thuhet: “Shërbyesi njëherë i solli një tufë me lule Imam Hasanit (a.s.). Aroma e luleve e kishte mbushur atmosferën e dhomës. Imam Hasani (a.s.) i mori aromë luleve, pastaj buzëqeshi dhe tha: “Të kam liruar ty!” Shërbyesi fluturonte nga gëzimi dhe nuk dinte se çfarë të thoshte për ta falënderuar Imam Hasanin (a.s.). I gëzuar dol nga dhoma. Një prej shokëve të Imam Hasanit (a.s.) e pyeti: “Pse e lirove atë për shkak të një tufë të vogël lulesh?” Imam Hasani (a.s.) me buzëqeshje tha: “Zoti i madhëruar na ka edukuar neve në këtë mënyrë dhe në Kur’anin e shenjtë ka thënë: “Kur juve ju dhurojnë një dhuratë, përgjigjuni asaj me dhuratë me të mirë”. Lirimi i tij në rrugën e Zotit është dhurata më e mirë për atë”.

Imam Hasani (a.s.) pas martirizimit të babait të tij të nderuar Ali bin Abi Talib (a.s.) në Kufe, me kërkesën e njerëzve, pranoi khalifatin dhe vazhdoi rrugën e të atit për vendosjen dhe zbatimin e drejtësisë. Bej’ati (besëlidhja) e njerëzve me Imam Hasanin (a.s.), ishte e papritur për Muavije bin Abu Sufjan i cili sundonte në Sham. Prandaj filloi të luftonte me atë dhe dërgoi një ushtria në Irak për të luftuar me Imam Hasanin (a.s.). Muavije në kuadër të këtij agresioni ushtarak, mori iniciativë për t’i blerë me para personalitetet e shquara të Kufesë. Komplotet përçarëse të Muavije dhe intrigat e dredhitë e komandantëve të ushtrisë së Muavije nga njëra anë, si dhe hipokrizia dhe tradhtia e disa krerëve të ushtrisë së Imam Hasanit (a.s.) dhe krijimi i përçarjeve në mesin e popullit të Kufesë nga ana tjetër, ishin faktorë që detyruan Imam Hasanin (a.s.) që për ta ruajtur burimin e Islamit dhe për të mirën e myslimanëve, të bëjë paqe me Muavije bin Abu Sufjan.

Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me periudhën e jetës së Imam Hasan Muxhteba (a.a.), ka thënë: “Imam Aliu (a.s.) për shkak të gjendjes dhe rrethanave të asaj kohe të shoqërisë islame, u martirizua. Pastaj Imam Hasani (a.s.) mori përgjegjësinë e imametit dhe në ato rrethana të vështira Imam Hasani (a.s.) nuk mund të vazhdojë më tepër se gjashtë muaj në krye të Shtetit Islam. Atë e tradhtuan dhe e lanë vetëm. Imam Hasani (a.s.) e dinte se nëse do të luftonte me po atë numër të vogël të shokëve të tij kundër Muavije bin Abu Sufjan dhe do të martirizohej, dekadenca e madhe morale që kishte kapluar shtresën e personaliteteve të mëdha të shoqërisë islame, nuk do të lejonte të tjerët që të ndjekin rrugën për hakmarrje! Propaganda, paratë dhe intrigat e Muavije bin Abu Sufjan, të gjithë i kishte vendosur nën ndikimin e vetë dhe pas një ose dy viteve, njerëzit do të thoshin “Imam Hasani kot u ngrit kundër Muavijes! Prandaj ai pranoi të gjitha vështirësitë dhe nuk e hodhi vetën në fushën e martirizimit, sepse e dinte që gjaku i tij do të derdhej kot”. Ajetullah Khamenei në vazhdim vë në dukje një çështje të rëndësishme dhe thotë: “Nganjëherë martirizimi është më i lehtë se sa të mbesësh gjallë! Me të vërtetë nganjëherë është kështu! Këtë çështje e kuptojnë më së miri ata që kanë njohuri metafizike, urtësi dhe precizitet të lartë. Nganjëherë mbetja gjallë, jetesa dhe përpjekja në një ambient të veçantë, është shumë më vështirë se sa vrasja dhe martirizimi dhe shkuarja në takimin me Zotin. Imam Hasani (a.s.) e zgjodhi këtë rrugë të vështirë”.

 

Pushteti Emevit pasi imponoi paqen për Imam Hasanin (a.s.), edhe pse kishte arritur shumë prej qëllimeve të tij, mirëpo ekzistenca e Imam Hasanit (a.s.) akoma konsiderohej një pengesë e madhe për realizimin e disa prej qëllimeve të këqija të tij. Një prej qëllimeve që synonte Muavije bin Abu Sufjan, ishte caktimi i trashëgimtarit të tij. Ai e dinte se nëse do të bënte një gjë të tillë gjatë kohës sa ishte gjallë Imam Hasani (a.s.), padyshim se do të përballej me kundërshtimin e madh të Hasan bin Ali (a.s.). Në bazë të kësaj, ai vendosi që nëpërmjet çfarëdo rruge të mundshme, ta martirizojë Imam Hasanin (a.s.). Pas shqyrtimit të shumë rrugëve dhe mënyrave, Muavije e gjeti bashkëshorten e Imam Hasanit (a.s.) me emrin Xha’de si personin më të përshtatshëm për realizimin e këtij qëllimi të keq. Atëherë në mënyrë sekrete dhe duke i dërguar shuma të mëdha parash për Xha’de, gjithashtu i premtoi asaj se nëse do ta mbyste Imam Hasanin (a.s.), atë do ta martojë me djalin e tij Jezidin. Xha’de e cila ëndërronte një jetë mbretërore, hodhi helm në ujin e Imam Hasanit (a.s.) dhe pasi e piu atë ujë Imam Hasani (a.s.) nuk zgjati shumë dhe si pasojë e helmimit, u martirizua.

Ibn Abas transmeton se i Dërguari i Zotit s.a.v.s. ka thënë: “Atëherë kur birin tim Hasan Muxhteba do ta martirizojnë duke e helmuar, të gjithë banorët e qiellit dhe të tokës do të mbajnë zi dhe do të vajtojnë për atë. Dijeni se vajtimi dhe mbajtja zi për tragjedinë e birit tim Hasanit, ka vlerë të madhe. Secili që vajton për tragjedinë e tij, në ditën kur të gjithë sytë e njerëzve do të jenë të verbëruar, sytë e atij do të shikojnë dhe zemra e tij do të jetë e gëzuar në atë ditë kur të gjitha zemrat do të jenë të pikëlluara dhe secili që viziton varrin e tij, këmbët e tij do të jenë të sigurta dhe nuk do të lëkundën gjatë kalimit mbi Sirat, atëherë kur këmbët e njerëzve do të lëkunden”.

 

Selamet dhe përshëndetjet e Zotit qofshin mbi Imamin e durueshëm i cili për ta shpëtuar fenë e Zotit, pranoi ithtësinë e paqes me një pushtet të dhunshëm siç ishte ai i Muavijes dhe duroi përball të gjitha intrigave të hipokritëve.

Ngushëllime me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Hasan Muxhteba (a.s.).

Dec 04, 2017 09:04 Europe/Tirane
Komente