Në çdo periudhë kohore kanë ekzistuar njerëz të cilët kanë kundërshtuar profetët e Zotit dhe fjalët e tyre të vërteta duke e vendosur në pikëpyetje pastërtinë e tyre dhe kanë kritikuar dhe kundërshtuar veprimet dhe sjelljet e profetëve. Ndërkohë që Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë thotë:

وَ ما یَنْطِقُ عَنِ الْهَوی‌ . إِنْ هُوَ إِلاَّ وَحْیٌ یُوحی‌  عَلَّمَهُ شَدیدُ الْقُوی‌

"Ai nuk flet asnjë fjalë në bazë të dëshirës së tij, por çfarëdo që thotë, ajo buron nga Shpallja Hyjnore. Ai i cili është i gjithëfuqishëm e ka mësuar atë". (Nexhm, ajetet 3-5). Zoti i gjithëditur në këto ajete kur'anore mbron të Dërguarin e Tij dhe thotë se ai çfarëdo që thotë, ajo është fjalë hyjnore. Kjo është për arsye se ai është simbol i besimit dhe i përkryerjes, ndërsa në bindje dhe veprim, ai është i pastër dhe i mbrojtur nga çfarëdo mëkati dhe gabimi.

Ajetet 3-5 të sures Nexhm

Një prej virtyteve të dalluara të diturisë dhe veprimit të të gjithë profetëve të Zotit, është pozita Ismet (pastërtia dhe mbrojtja). Pozita ismet në radhë të parë është një pozitë e diturisë dhe pastaj e veprimit. Kjo pozitë edhe në aspektin e diturisë, e mbron njeriun nga injoranca, gabimi, mendjelehtësia, harresa dhe nga mendimet e gabuara; por edhe në aspektin e veprimit, e mbron atë nga çfarëdo lloj veprimi i keq dhe i papëlqyeshëm. Prandaj, nuk është e mundur që një person në aspektin e veprimit të jetë masum (i mbrojtur) kurse në pozitën e diturisë jo, sepse ai nëse nuk i njeh urdhëresat dhe ndalesat, të pastrën dhe jo të pastrën, të mirën dhe të keqën, atëherë ai nuk mund të jetë masum (i mbrojtur) as në aspektin e veprimit. Prandaj profetët e Zotit edhe në aspektin e diturisë edhe në aspektin e veprimit, kanë qenë masum dhe të mbrojtur nga gabimi dhe mëkati. Ata kanë patur edhe perceptim të drejtë rreth realiteteve, edhe atë të cilën e kanë perceptuar, e kanë zbatuar në mënyrë të drejtë. Natyrisht se në çdo periudhë kohore kanë ekzistuar njerëz të cilët kanë kundërshtuar profetët e Zotit dhe fjalët e tyre të vërteta duke e vendosur në pikëpyetje pastërtinë e tyre dhe kanë kritikuar dhe kundërshtuar veprimet dhe sjelljet e profetëve.

Mbrojtja në veprim, është një prej shkallëve më të larta të devotshmërisë. Devotshmëria ose vetëpërmbajtja që është një veprim sipas zgjedhjes së njeriut, arrihet nga shkallët e larta të besimit. Ata të cilët kanë arritur në majat më të larta të besimit dhe njohjes së Zotit, kanë forcë që duke penguar depërtimin e iluzioneve dhe imagjinimeve të gabuara në fushën e diturisë së tyre, kanë forcë të pengojnë edhe depërtimin e dëshirave të egos së tyre në sferën e veprimit dhe me liri të plotë ecin drejt virtyteve të larta. Ata me devotshmëri dhe vetëpërmbajtje, arrin deri në një pozitë saqë shikojnë edhe brendësinë e veprimeve ashtu siç e shikojnë anën sipërfaqësore të tyre. Prandaj, jo vetëm që nuk ndotën me mëkate, por as që nuk afrohen pranë tyre. Zoti i madhëruar në ajetin 10 të sures Nisa në Kur'anin e shenjtë, mëkatin e përshkruan si flakë të zjarrit dhe thotë: "Ata të cilët në mënyrë të padrejtë hanë pasurinë e jetimëve, (në të vërtetë) hanë vetëm zjarr". Prandaj, këta njerëz që shikojnë anën e brendshme dhe të jashtme të mëkatit, nuk pranojnë që as edhe për një çast të mendojë për atë. Për shembull, ai i cili e din se prekja e telit të rrymës pa mbështjellës, është e barabartë me vdekje, mund të ndodhë që të harrojë këtë parim dhe përsëri të prek telin e rrymës dhe të vdesë, mirëpo ai i cili është masum, edhe e di se brendësia e mëkatit është flaka e zjarrit, por edhe nuk e harron këtë parim. Një hadith interesant është transmetuar nga Imam Aliu (a.s.) në ligjëratën e 224-të në librin Nahxhul-Belagha i cili flet për ryshfetin dhe thotë: "... Një person në mbrëmje më ka sjell hallva e cila dukej se ishte gatuar sikur me pështymën e gojës ose sikur të ishte e vjellë nga gjarpri! Atij i thash: "Nëse është zekat ose lëmoshë, nuk lejohet për ne anëtarët e Ehli Bejtit, ndërsa nëse ke qëllim të keq nga ky veprim, kurrë nuk do ta realizosh atë". Imam Aliu (a.s.), ryshfetin e konsideronte si një ushqim të cilin e ka vjellë gjarpri helmues pas ngrënies! Do të thotë se ushqimi i cili kalon dy herë nëpër një kanal helmues, asnjë njeri i mençur nuk pranon të hajë atë. Prandaj profetët si persona masum, kanë mbyllur rrugën e mëkatit dhe veprimit  të ndaluar dhe nuk është kështu që t'i kenë shtypur forcat e tyre natyrore. Kjo është për arsye se secila prej forcave natyrore të trupit ka kërkesa të caktuara të cilat mund të plotësohen edhe nëpërmjet rrugëve të lejuara edhe nëpërmjet rrugëve të ndaluar. Veshi dëshiron zë të bukur dhe melodik, jo këngë të ndaluara. Syri përjeton kënaqësi nga pamjet e bukura, jo nga pamjet e ndaluara. Stomaku kërkon ushqim të pastër dhe të shëndosh, por jo ushqim të ndaluar. Të tilla janë edhe kërkesat e organeve të tjera të trupit. Megjithatë pozita ismet nuk është e kufizuar vetëm për profetët dhe imamët ma'sum (a.s.), por çdo njeri me anë të adhurimit sipas dispozitave fetare dhe edukimit të shpirtit, mund të arrijë në pozitën ismet në veprim. Personi i cili edukohet në mënyrë të drejtë nga mësimet e të dashurve të Zotit, mund të arrijë edhe në pozitën ismet të diturisë që të mos gabojë as në çështje shoqërore. Zoti i madhëruar në ajetin 29 të sures Enfal në Kur'anin e shenjtë ka thënë: "Nëse do të vetëpërmbaheni dhe nuk kundërshtoni urdhrat e Zotit, do të arrini në një vigjilencë të veçantë që mund të dalloni të vërtetën nga e pavërteta". Por, duhet patur parasysh kjo çështje se edhe pozita ismet ashtu si përkryerjet e tjera, ka shkallë të ndryshme dhe nuk është e njëjtë për të gjithë njerëzit. Ajo që është e veçantë dhe dhunti e Zotit dhe askush nuk mund të arrijë me përpjekje dhe punë, është profetësia, shpallja hyjnore dhe imameti rreth të cilës Kur'ani i shenjtë thotë: "Zoti është më i ditur se ku ta vendos misionin e Tij" (Ajeti 124, surja En'am).

اللَّهُ أَعْلَمُ حَیْثُ یَجْعَلُ رِسالَتَهُ

Zoti i madhëruar të Dërguarin e tij e lavdëron duke e cilësuar si "rob i sinqertë". Ai i cili është mëkëmbës i Zotit në tokë dhe në qiej, është i mbrojtur nga çdo gabim. Mirëpo në bazë të disa ajeteve, disa mendojnë se kjo pozitë ismet dhe e mbrojtjes, nganjëherë mund të shoqërohet edhe me gabim. Për shembull, në ajetin 120 të sures Bekare të Kur'anit të shenjtë thuhet: "Nëse pas pranimit të diturisë dhe perceptimit të së vërtetës, ndiqni përsëri kërkesat e ndjekësve të librit, më nuk do ta meritoni ndihmën e Zotit". Mos reflektimi në ajete të tilla mund të bëhet shkak për gabime në këtë drejtim. Ashtu sikur që në ajetin 116 të sures Maide thuhet se Zoti në ditën e Kiametit e pyet Hazretin Isa a.s. duke i thënë: "A u ke thënë tij njerëzve që më adhuroni mua dhe nënën time?" Hazreti Isa a.s. përgjigjet dhe thotë: "Kurrë unë nuk kam e kam thënë këtë". Prandaj është e qartë se kjo mënyrë e shprehjes, është qortim për njerëzit dhe jo për Hazreti Isaun a.s.. Zoti i madhëruar në ditën e Kiametit siç duket iu drejtohet engjëjve, mirëpo në realitet është qortim për idhujtarët. Ai u thotë engjëjve: "A ju adhuronin juve njerëzit?" Engjëjt përgjigjen duke thënë: "Ti je i pastër dhe nuk ke shoq askënd, Ti je zotëria dhe përgjegjësi ynë, por ata adhuronin djallin". Prandaj nëse në një ajet Profeti Muhamed s.a.v.s. ndalohet nga shoqërimi i njerëzve të këqij, nuk është arsyeja shoqërimi i tij me këtë grup të njerëzve, por Zoti i madhëruar këtu ka dhënë një ligj të përgjithshëm që Hazreti Muhamedi s.a.v.s. ashtu sikur të gjithë myslimanët që është i obliguar të kryejë namazin, agjërimin, predikimin e dispozitave fetare etj., është i obliguar t'i shmanget ndjekjes së dëshirave të jobesimtarëve dhe ky është një ligj i përgjithshëm dhe nuk respektohet, pasohet me dënim dhe në këtë aspekt të gjithë janë të obliguar në mënyrë të njëjtë dhe nuk ka përjashtim. Përsëri nëse në një ajet thuhet: "O i Dërguar, e vërteta të ka ardhur ty nga ana e Zotit dhe ti kurrë mos ke dyshim dhe dilema". (Ajeti 60 sure Ali Imran). Kjo nuk është në kundërshtim me pozitën ismet të Profetit, sepse Zoti i madhëruar në ajetet e tjera ka vërtetuar dhe konfirmuar lëvizjen e Profetit në rrugën e drejtë. Prandaj edhe pse në aspektin sipërfaqësor të ajetit të lartpërmendur, fjala i drejtohet Profetit s.a.v.s., mirëpo qëllimi urdhri kryesor i këtij ajeti bie mbi të tjerët të cilët kanë dyshime dhe dilema rreth të vërtetës së Kur'anit dhe lidhjes së tij me Zotin e madhëruar.

Ajetet që flasin për kërkimin e faljes nga ana e Profetit s.a.v.s., gjithashtu kanë shkaktuar paqartësia të disa të tjerë duke menduar se edhe Profeti Muhamed s.a.v.s. ashtu si të tjerët nuk është i mbrojtur nga gabimi dhe mëkati. Sidomos në ajetet në të cilat thuhet: "Në asnjë rast mos bën armiqësi në interes të tradhtarëve. Dhe kërko falje nga Zoti sepse Zoti është ai që fal shumë dhe i gjithmëshirshëm". (Ajeti 105 dhe 106 i sures Nisa). Disa njerëz në bazë të perceptimit sipërfaqësor të tyre, këto ajete i kanë kuptuar në këtë mënyrë se Profeti Muhamed s.a.v.s. dëshironte të gjykojë në favor të tradhtarëve dhe kjo nuk është në harmoni me pozitën ismet të Profetit Muhamed s.a.v.s.. Kjo është në kohën kur edhe këto dy ajete përmbajnë një ligj për obligim të përgjithshëm, prandaj edhe Hazreti Muhamed s.a.v.s. ashtu si njerëzit e tjerë ka obligime dhe detyre ndalesa e kumtuar në ajetet e lartpërmendura nuk është argument që mohon pozitën ismemt të Profetit Muhamed s.a.v.s.. Përveç kësaj, në lidhje me të kërkuarit falje, duhet thënë se kërkimi i faljes është dy lloje: njëri është për të mënjanuar neglizhencën dhe gabimin e mundshëm; dhe tjetri për mënjanimin dhe shkatërrimin e mëkatit dhe gabimit të madh. Mirëpo në lidhje me Profetin Muhamed s.a.v.s. dhe Ehli Bejtin (a.s.) duke u bazuar në ajetin e pastrimit (ajetin 33 të sures Ahzab), janë të mbrojtur dhe të pastër nga çfarëdo mëkati dhe gabimi dhe papastërtia.

إِنَّمَا یُرِیدُ اللَّهُ لِیُذْهِبَ عَنکُمُ الرِّجْسَ أَهْلَ الْبَیْتِ وَیُطَهِّرَکُمْ تَطْهِیرًا

"Zoti dëshiron të largojë nga ju të gjitha papastërtitë ashtu siç duhet të jeni të pastër". Prandaj kërkimi i faljes së tyre është gjithashtu argument për përkujdesjen e shpirtit dhe për frikën nga Zoti dhe që tregon kulmin e virtyteve dhe përkryerjeve të tyre. Prandaj, thëniet e Profetit Muhamed s.a.v.s. ashtu si veprimet dhe sjelljet e tjera të tij, janë të mbrojtura dhe të ruajtura nga gabimi.

Ajeti 33 i sures Ahzab

 

Feb 02, 2018 11:03 Europe/Tirane
Komente