Jemi në përvjetorin e martirizimit të zonjës më të mirë të botës Hazretit Fatime Zahra (s.a.). Me këtë rast shprehim ngushëllime për martirizimin pikëllues të burimit "Keothar të Vilajetit", të rrezes së lartë të qiellit të pastërtisë dhe mbrojtëses së kufijve të virtyteve dhe moralit.

Kishin kaluar vetëm disa muaj nga vdekje e Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Pikëllimi i ndarjes nga babai, kishte humbur qetësinë e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) ndërsa ngjarjet që ndodhen pas vdekjes së Profetit të nderuar të Islamit, kishin shkaktuar vuajtje të mëdha në shpirtin e saj. Ditën pa Hazretin Muhamed s.a.v.s., të gjitha kishin kaluar me pikëllimin e madh të Hazretit Fatime (s.a.) dhe ajo tani ishte shtrirë e sëmurë në shtrat dhe po kalonte çastet e fundit të jetës së vet. Vetëm një gjë e qetësonte dhe e ngushëllonte Hazretin Fatime (s.a.) dhe ajo ishte premtimi i Hazretit Muhamed s.a.v.s. i cili në çastet e vdekjes i kishte thënë asaj: "Oj vajza ime e dashur, pas vdekjes time, ti do të jesh personi i parë që do të bashkohesh me mua". Hazreti Fatime (s.a.) në natën e fundit të jetës së vet, e kishte parë në ëndërr babanë i cili i thoshte asaj: "Eja pranë meje sepse më ka marrë malli shumë për ty!" Ndërsa ajo i ishte përgjigjur: "Betohem në Zotin se mua më ka marrë më shumë malli për tu takuar me ty". Babai (Hazreti Muhamedi s.a.v.s.) në po atë ëndërr e kishte lajmëruar atë duke i thënë: "Sonte do të jesh pranë meje".

Hazreti Fatime Zahra (s.a.) në çastet e fundit të jetës së saj, e thirri Imam Aliun (a.s.) dhe në kohën kur Imam Aliut (a.s.) i shkonin lotët për fytyre, ajo iu drejtua atij me këto fjalë: "O bashkëshorti imë, nuk kanë mbetur edhe shumë qaste nga jeta ime!" Imam Aliu i tha: "Porosit çfarë të duash!" Pastaj u ngrit dhe u ul ballë për ballë me Hazretin Fatime ndërsa ajo i tha: "Ti kurrë nuk ke pa nga unë tradhti dhe as nuk ke dëgjuar gënjeshtër dhe që nga koha kur ke filluar jetën e përbashkët me mua, kurrë nuk të kam kundërshtuar ty". Aliu (a.s.) tha: "Strehohem te Zoti, ti e njeh Zotin më mirë, ti je më e mirë, ti je më e devotshme dhe më e nderuar, ti je besimtare më e madhe se sa që unë të gjej ndonjë të metë te ti. Ndarja nga ty për mua është shumë e vështirë. Të humbi ty, është një tragjedi e madhe, shumë e dhimbshme dhe pikëllim i madh. Betohem në Zotin se kjo është një tragjedi që nuk kam forcë më të mbaj zi dhe asgjë nuk do ta plotësojë vendin tënd". Pastaj të dy filluan të qajnë dhe më pas Imam Aliu (a.s.) vendosi kokën e Hazreti Fatimes (s.a.) në gjoksin e tij dhe tha: "Çfarëdo që dëshiron, porosit duke lënë amanet! Do ta zbatojë atë dhe urdhrit tënd do t'i jap më shumë përparësi se sa vetes". Hazreti Fatime (s.a.) tha: "Ata të cilët kanë bërë padrejtësi ndaj meje dhe më kanë shkelur të drejtën time, të mos marrin pjesë në ceremoninë e përcjelljes së kufomës time. Ata janë armiqtë e mi dhe armiqtë e të Dërguarit të Zotit. Ata të mos marrin pjesë në ceremoninë e namazit të kufomës time. Atëherë kur sytë kanë fjetur, mua më varros gjatë natës".

Nata kishte shtrirë hijen e saj të zezë mbi qytetin e Medinës, qielli ishte zënë dhe çdo gjë e kishte mbuluar errësira. Imam Aliu (a.s.) nuk kishte qetësi dhe fëmijët ishin të pikëlluar dhe kishin shumë stres. Imam Aliu (a.s.) e dërgonte trupin e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) në shtëpinë e fundit të kësaj bote. Hazreti Fatime (s.a.) e cila kishte përjetuar shumë vuajtje dhe pikëllime nga padrejtësia e kohës dhe kishte jetuar e pikëlluar për shkak të ndarjes nga babai, tani me zemër të thyer largohej nga shtëpia me shpresë se do të takohej me babanë e saj në parajsë. Imam Aliu (a.s.) tani po varroste pjesën e trupit të Profetit s.a.v.s., burimin Keothar të Vulës së Profetëve, nënën e imamëve ma'sum, bërthamën kryesore të ismet-it (pastërtisë nga mëkatet), simbolin e të gjitha pastërtive, pra bashkëshorten e vet ndërkohë që një pikëllim i madh kishte kapluar zemrën e tij. Po, me të vërtetë ishte martirizuar Hazreti Fatime Zahra (s.a.), ajo zonja më e mirë e Islamit dhe zonja e të gjitha grave të botës, ai margaritar i shkëlqyer në lozën e Profetit Muhamed s.a.v.s., ai engjëlli më i mëshirshëm tokësor! Me këtë rast për këtë humbje të madhe shprehim ngushëllime për të gjithë dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.) dhe për të gjithë besimtarët myslimanë.

Hazreti Fatime Zahra (s.a.) ishte vajza e Profetit të nderuar të Islamit (s.a.v.s.) që babai i saj e quante atë "engjëll në formë të njeriut" dhe ka thënë: "Oj Fatime, Zoti të ka zgjedhur ty dhe të pastruar nga çdo mëkat dhe ty të ka dhënë pozitë më të lartë nga të gjitha grat e botës". Me të vërtetë Hazreti Fatime ishte vajza e Porfetit Muhamed s.a.v.s., që babai i saj në lidhje me atë ka thënë: "Ai i cili e do Fatimen, në parajsë do të më shoqërojë mua dhe ai i cili ka urrejtje ndaj saj, vendi i tij është në zjarr...". Çdo herë kur Hazreti Fatime (s.a.) shkonte të takohej me babanë e saj, Hazreti Muhamed s.a.v.s. me të gjithë trupin ngrihej në këmbë, e përqafonte atë, pastaj i kate dorën e asaj dhe e ulte atë në vendin e tij. Ndërsa kur kthehej nga udhëtimi, ai e përqafonte vajzën e tij të dashur dhe thoshte: "Nga ajo vjen aroma e parajsës". Hazreti Muhamed s.a.v.s. gjithmonë përshëndetjen e fundit e bënte me Hazretin Fatime dhe kur kthehej nga udhëtimi, takimin e parë gjithashtu e bënte me Hazretin Fatime (s.a.). Nëse e pyesnin të dërguarin e Zotit: "Cilin e do më shumë?" Ai përgjigjej: "Vajzën time Fatimen". E gjithë kjo dashuri ishte për këtë arsye se Hazreti Fatime ishte simbol i përkryerjes njerëzore dhe një zonjë e rritur dhe edukuar në shkollën burimore të edukatës dhe fesë.

Virtytet e larta dhe pozita e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) nuk ishte vetëm për arsye të lidhjes së gjakut me Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s.. Ajo çfarë e ka bërë atë të merituar për respekt dhe nderim, janë virtytet e larta shpirtërore dhe morale të saj. Hazreti Fatime (s.a.) është një zonjë e cila në moshën e re dhe gjatë një jete të shkurt arriti pozitat më të larta shpirtëror, të dijës dhe të njohjes të barabarta me ato të profetëve dhe të të dashurve të Zotit. Ajo është një dritë që shkëlqen dhe nga ekzistenca e saj ka shkëlqyer drita e diellit të Imametit dhe Vilajetit. Hazreti Fatime (s.a.) është zonja e të gjitha grave të botës.

Të gjithë prijësit hyjnorë kanë nderuar dhe shprehur respekt të veçantë ndaj kësaj nënës së nderuar të tyre, respekt dhe nderim që vërehet për shumë pak njerëz nga ana e atyre imamëve. Ajetullah Khamenei duke përshkruar pozitën e kësaj zonjë të madhe të Islamit, thotë: "Islami e prezanton Hazretin Fatime Zahra (s.a.) si një faktor të dalluar të botës metafizike dhe si një shëmbëlltyrë për femrat në përgjithësi. Jeta e saj sipërfaqësore, puna dhe kontributi i saj, dituria e saj, oratoria e saj, sakrifica e saj, jeta bashkëshortore e saj, qenët nënë e saj, emigrimi i saj dhe prania e saj në të gjitha sferat politike, ushtarake dhe revolucionare dhe të gjitha karakteristikat e saj kanë bërë që edhe burrat e mëdhenj të përulën në shenjë respekti dhe nderimi për atë. Pozita e saj shpirtërore, përuljet dhe sexhdet e saj në namaz, adhurimet dhe lutjet në mihrab si dhe shumë karakteristika të tjera të larta të saj, kanë qenë të barabarta me pozitën e Ima Aliut (a.s.). Ky është personaliteti i Hazretit Fatime Zahra (s.a.) si grua. Ajo ishte një shëmbëlltyrë e femrës që dëshiron ta ndërtojë Islami".

Ai më pas shton: "Parimisht perceptimi i padrejtë rreth personalitetit të femrës që në realitet është trashëgimi jo e mirë e kulturave joislame që kanë depërtuar në të menduarin e myslimanëve, është bërë shkak që Hazreti Fatime Zahra (s.a.) të prezantohet vetëm si një vajzë e Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe nënë për imamët (a.s.) ndërsa janë anashkaluar ato merita dhe karakteristika të cilat kanë luajtur rol të madh në ndërtimin e personalitetit dhe të jetës së kësaj zonje si një shëmbëlltyrë për të gjithë njerëzit në përgjithësi dhe për të gjitha femrat në veçanti. Hazreti Fatima Zahra (s.a.) gëzon një pozitë më të lartë nga të gjitha femrat e zgjedhura dhe është zonja e të gjitha femrave që nga fillimi i historisë së njerëzimit dhe deri në fund të saj".

Roli më i bukur i Hazretit Fatime në manifestohet në masën më të madhe në institucionin e familjes. Ajo si një njeri drejtues dhe përgjegjës, ka luajtur rolin e rëndësishëm si nënë në familje. Hazreti i Fatime Zahra (a.s.) organizon një familje e cila shkëlqen sikur një pikturë e bukur në të gjithë historinë e njerëzimit dhe është inspirim për të gjithë. Në familjen e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) nuk vërehet kurrfarë gjurme nga shenjat e injorancës, fanatizmit dhe egoizmit. Hazreti Fatime Zahra (s.a.), e gjitha është dashuri dhe respekt ndaj bashkëshortit Imam Aliut (a.s.) dhe familjes. Vajza e dashur e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. edukonte fëmijët e saj me ndjenjën e respektit dhe të dashurisë. Ajo fëmijët e saj i përkëdhelte me dashuri duke i quajtur "biri im, drita e syve të mi dhe fryti i zemrës time". Në marrëdhëniet e anëtarëve të kësaj familje me njëri-tjetrin, vërehet vetëm respekti, modestia dhe një edukatë e veçantë.

Manifestimi i adhurimit dhe dëshira për adhurim në jetën dhe veprën e Hazretit Fatime Zahra (s.a.) ka arritur në kulmin më të lartë deri në atë masë saqë adhurimet e saj ishin të njohura nga të gjithë. Imam Hasan Muxhteba (a.s.) ka thënë: "Në botë askush nuk ishte adhurues më i madh se sa nëna ime Fatime Zahra (s.a.). Ajo qëndronte në adhurim aq shumë sa që këmbët e saj i ënjteshin. Njëherë nënën time Fatimen (s.a.) e pash në natën e të premtes e cila qëndronte në mihrabin e saj duke adhuruar Zotin dhe deri në agimin e mëngjesit ajo vazhdimit ishte në adhurim, përulje dhe sexhde dhe unë e kam dëgjuar që bënte lutje për besimtarët dhe besimtaret duke përmendur edhe shumë emra të tyre, ndërsa për vete nuk bënte asnjë lutje. Më pas e i thash asaj: "Oj nëna ime, pse nuk bën lutje edhe për vete ashtu siç bën lutje për të tjetër?" Ajo më tha: "O biri imë, së pari është fqinjët  pastaj shtëpia jote".

Gjithashtu Ibn Umre ka transmetuar nga babai i vet i cili ka thënë: "E kam pyetur Imam Xhafer Sadik (a.s.): "Pse Hazreti Fatime është quajtur me emrin "Zahra"? Ai është përgjigjur: "Për arsye se kur Hazreti Fatime Zahra qëndronte në mihrab për adhurimin e Zotit, drita e saj shkëlqente për të gjithë banorët e qiellit, ashtu siç shkëlqen drita e yjeve në qiell për banorët e tokës".

Edhe njëherë po shprehim ngushëllimet tona për ju dëgjues të nderuar dhe këtë program po e përfundojmë duke cituar një pjesë nga lutja që këndohet me rastin e vizitës pranë varrit të saj: "Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj vajza e të Dërguarit të Zotit... Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj zonja e të gjitha femrave të botëve! Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj bashkëshortja e të dashurit (Veliut) të Zotit dhe krijesës më të mirë pas Profetit Muhamed s.a.v.s.! Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj nëna e Hasanit dhe Husejnit (a.s.)!... Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj e sinqerta e martirizuar!... Paqja dhe selami qoftë mbi ty oj zonjë me virtyte të pastra! Paqja dhe selami qoftë mbi ty o engjëll në formë njeriu... Zoti dhe engjëjt e Tij janë dëshmitarë se i dua ata që të duan ty dhe i urrej ata që të urrejnë ty".

Feb 23, 2018 11:27 Europe/Tirane
Komente