• Një vështrim mbi problemet ligjore dhe sociale të komunitetit të grave në Afganistan

Konfliktet e tejzgjatura në Afganistan kanë pasur një efekt veçanërisht të ashpër mbi gratë në këtë vend. Gjatë dekadës së fundit, gratë kanë shënuar arritje të rëndësishme nga ana shoqërore, politike dhe financiare në Afganistan.

Por analistët thonë se arritjet e tyre janë nën kërcënim. Në Afganistan, talibanët po rifitojnë kontrollin e disa zonave të vendit dhe po imponojnë përsëri besimin e tyre se gratë nuk duhet të arsimohen ose të marrin pjesë në shoqëri jashtë shtëpisë. Në zonat ku mungon sundimi i ligjit, nuk ka asnjë ndëshkim për ata që kryejnë dhunë, sidomos ndaj grave. Në këto zona, mbrojtja bëhet çështja parësore por shpesh përdoret kundër vetë grave. Në disa raste, çështja e mbrojtjes bëhet një justifikim për meshkujt të cilët qëllimisht pengojnë gratë të jenë pjesë e shoqërisë, ekonomisë, politikës, dhe ata e përdorin si justifikim për të thënë se po ju shtyjmë të rrini në shtëpi se duam që të jeni të mbrojtura. Kjo është ajo që talibanët ishin duke u përpjekur për të bërë, dhe ende po e bëjnë.

Gjithashtu në zonat ku kanë ndikim veprimet e talibanëve, vajzat janë duke u vënë nën shënjestër, dhe gratë janë tërhequr prapa dhunës dhe në shtëpitë e tyre. Sipas raporteve mbi 500 shkolla vajzash janë bombarduar. Gratë këshilltare, të cilat janë gratë e zgjedhura dhe të angazhuara në poste politike, janë kërcënuar në mënyrë specifike nga talibanët dhe u është kërkuar ose të tërhiqen nga sfera politike ose të përballen me persekutim. Si rezultat, pjesa tjetër e tyre ose ka dhënë dorëheqje, ose vetëm thjesht ndaluan së marri pjesë. Gjithashtu me përkeqësimin e përgjithshëm të sundimit të ligjit në Afganistan, gratë e ndjejnë se shteti nuk mund t’i mbrojë ato. Në vend të kësaj, ato u janë drejtuar grupeve lokale për ndihmë dhe mbrojtje. Duket se po dominon mosndëshkimi, se shteti nuk është i gatshëm t’i mbajë përgjegjës autorët e krimeve ndaj grave për shkak të paaftësisë së vetë shtetit, mungesës së vullnetit dhe paaftësisë së përgjithshme.

Por analistët e çështjeve të Afganistanit thonë se pavarësisht kërcënimit me dhunë ose dhe me vdekje, gratë afgane ende po ecin përpara. Në Afganistan, ku gratë kujtojnë mirë jetën nën sundimin e talibanëve kur ata dënoheshin kur dilnin nga shtëpia pa një mashkull pranë ose edhe nëse zbulonin qoftë edhe disa centimetra të kyçit të këmbës, gratë janë duke luftuar kundër ligjeve që do të cënonin të drejtat e tyre. Kushtetuta e Afganistanit garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për afganët në mënyrën më të gjerë të mundshme.

Megjithatë, zbatimi përzgjedhës i saj nuk ka qenë shumë i frytshëm, sidomos për gratë. Për më tepër, përderisa të drejtat kushtetuese të njihen, të zbatohen dhe të mbështeten plotësisht nga një legjislacion përplotësues dhe gjyqësor i shëndoshë, afganët do të vazhdojnë të jenë të mënjanuar nga të drejtat e tyre themelore. Përkundër kësaj, gratë afgane, të cilave u ishin mohuar të drejtat dhe liritë themelore njerëzore nën sundimin Taliban, kenë gjetur një mjedis të ri dhe më të hapur. Sot, ato mbajnë poste në parlament, ushtrojnë detyra të larta në kabinete qeveritare dhe përfaqësojnë vendin në veprimtari të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Megjithatë, sfidat politike, shoqërore, tradicionale dhe strukturore, të tilla si dhuna në familje, pikëpamjet patriarkale të shoqërisë, varfëria, konflikti dhe pasiguria, mbeten pengesa të dukshme për zhvillimin e mëtejshëm të të drejtave të grave.

 

Situata në përgjithësi për gratë afgane është përmirësuar në dekadën e fundit, kryesisht në zonat urbane, mirëpo ato që jetojnë në zonat rurale dhe pjesë të tjera të shtetit përballen me diskriminim dhe dhunë. Grupet për të drejtat e njeriut, duke përfshirë, Human Rights Watch kanë shprehur shqetësime për të drejtat e grave në Afganistan. Një raport i OKB-së e konsideron alarmues dhe të turpshëm bilancin e viktimave të civilëve në Afganistan në vitin 2018, 17 vjet pas pushtimit të këtij vendi,  ndërsa autorët e tij u shprehën se historia do të gjykonte liderët e të gjithë palëve të përfshira në konfliktin që ka shkaktuar një total prej 1601 civilësh të vrarë nga janari deri në qershor të këtij viti. 130 prej viktimave ishin gra. Elementet anti-qeveritare, mes të cilëve grupet rivale militantët, talebanët dhe ISIS konsiderohen si përgjegjës për 60 për qind të tragjedive. Por 23 përqind e tyre janë shkaktuar nga forcat proqeveritare. Raporti gjithashtu dokumenton shkelje të rënda dhe abuzime të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe shënjestrimin e grave në sferën publike, përdorimi i fëmijëve në konfliktet e armatosura, dhunë seksuale kundrejt djemve dhe vajzave, sulmet ndaj godinave arsimore dhe shëndetësore, rrëmbime personash, dhe ekzekutime. Në disa raste, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, avokatët dhe gjykatësit kanë qenë shënjestër e sulmeve të talebanëve.

 

Sot pas 17 vitesh okupim, ndryshimet themelore në strukturat politike dhe të sigurisë afgane, jo vetëm që nuk përmirësuan situatën për gratë dhe vajzat në këtë vend, por e përkeqësuan atë edhe më shumë. Krahas këtyre çështjeve, kultura tradicionale në marrëdhëniet familjare kanë shkaktuar edhe më shumë dëme tek  gratë dhe vajzat afgane. Gratë në Afganistan vazhdojnë të rrihen nga burrat e tyre, dëgjojnë fyerje dhe nuk kanë të drejtë për të punuar dhe studiuar. Sipas Human Rights Watch (HRW), gratë afgane kanë pozitën më të keqe ndër gratë e tjera në botë. Përveç dhunimeve të zakonshme, statistikat tregojnë se më shumë se 30 përqind e grave afgane në familjet e tyre përjetojnë forma të ndryshme të dhunës. Pavarësisht nga fakti se vitet e fundit, qeveria afgane ka bërë përpjekje që të sigurojë edukimin e vazhdueshëm të grave dhe vajzave duke intensifikuar masat e sigurisë nëpër shkolla dhe për mësuesit, megjithatë gratë dhe vajzat afgane vazhdojnë të vuajnë nga pasiguritë dhe paragjykimet tradicionale, veçanërisht nga ndalimi i vajzave nga e drejta e studimit dhe arsimimit. E njëjta situatë ekziston në lidhje me vajzat dhe gratë, të cilat përballen me kushte shumë të vështira të jetesës, veçanërisht në qytetet dhe fshatrat e vogla. Prandaj, për të dalë nga kjo situatë, jo vetëm që pikëpamjet tradicionale dhe paragjykimet e shoqërisë afgane duhet të ndryshohen, por edhe qeveria afgane duhet të punojë më shumë me planifikuesit për të ndërgjegjësuar shoqërinë. Miratimi i ligjeve të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të grave gjithashtu mund të japë shpresa që shoqëria afgane të ketë një të ardhme akoma më të zhvilluar.

Dec 02, 2018 17:48 Europe/Tirane
Komente