• Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame

Në këtë edicion do të flasim rreth stilit të jetës në dy pikëpamjet, sekulariste dhe islame.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”. Në edicionet e kaluara kemi shqyrtuar ndikimin e ideve sekulariste mbi çështje të ndryshme dhe të rëndësishme si mbi të drejtat e njeriut, mbi moralin dhe mbi kuptimin e jetës. Në këtë edicion dhe në edicionet e ardhshme do të flasim rreth "Stilit të Jetës" sekulariste dhe dallimet me stilin e jetës islame.

Stili i jetës është një titull i njohur në shkencat shoqërore. Ka mbi 100 vite që ky term përdoret në shkenca të ndryshme shoqërore dhe gjatë kësaj periudhe në masë të madhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të mendimtarëve të shkencave shoqërore. Në këtë kuadër janë paraqitur përkufizime të ndryshme për stilin e jetës. Shumica e këtyre përkufizimeve janë aq shumë të komplikuar saqë kanë potenciale të trajtohen vetëm në ambiente akademike. Përkufizime të tilla janë ato që kanë paraqitur Zimel ose Veblon. Megjithëkëtë disa kufizime të paraqitura nuk janë të sakta dhe të plota. Një prej rrugëve të perceptimit më mirë të konceptit të stilit të jetës është shqyrtimi i kritereve të cilat i kanë numëruar mendimtarët për temë. Do të thotë shqyrtimi i çështjeve që konsiderohen modul konkret i stilit të jetës. Metoda e ushqimit, lloji i veshjes, lloji i banimit, arkitektura dhe dekorimi, mënyrat e zbavitjes dhe kalimi i kohës së lirë, edukata e bashkëbisedimit, modeli konsumimit, modelet kulturore të veçanta në çështjet e marrëdhënieve seksuale, racionalizmi, fetarizmi, familja dhe arsimi, mund të konsiderohen kritere për të caktuar stilin e jetës. Kriteret që përcaktojnë stilin e jetës janë zgjeruar me kalimin e kohës. Aktualisht përkundër të kaluarës, në përcaktimin e kritereve të stilit të jetës së individëve më shumë merren parasysh aspektet mentale dhe nevojat sekondare të njeriut si marrëdhëniet njerëzore, vështrimet dhe prirjet. Për shembull, në fillim të shekullit 20 posedimi i shërbëtorëve, numri i tyre dhe lloji i veshjes së tyre, konsideroheshin kritere për ta njohur stilin e jetës së individit, mirëpo aktualisht lloji i vështrimit dhe i prirjeve të njeriut ndaj familjes, fesë dhe marrëdhënieve seksuale, konsiderohen kritere më të rëndësishme. Në përkufizimin e stilit të jetës "shija" është një koncept kyç. Gati të gjitha kriteret e stilit të jetës i përkasin disa aspekteve të jetës së njeriut dhe individi i zgjedh ato sipas shijes së tij ose të grupit të tij. Studiuesit e shkencave shoqërore besojnë se mund të ndodhë që zgjedhja të bëhet në mënyrë të vetëdijshme ose mund të ndodhë që zgjedhja të bëhet nën ndikimin e hegjemonisë, presionit shoqëror, zakoneve dhe çështjeve të ngjashme me këtë. Në zgjedhjen me vetëdije të stilit të jetës me siguri kanë rëndësi çështje të rëndësishme si qëllimi i jetës dhe kuptimi i saj. Në caktimin e qëllimit të jetës dhe në dhënien e kuptimit të jetës, ndikimi i bindjeve dhe i mësimeve fetare është më i madh. Në lidhje me ndikimin e fesë në qëllimin dhe kuptimin e jetës kemi folur në edicionet e kaluara dhe kemi thënë se pa mësimet fetare nuk mund të përkufizohet një qëllim i merituar për njeriun dhe jeta do të gjejë një kuptim të një shkalle më të ulët.

Mendimtarët e njohur të cilët kanë bërë hulumtime rreth stilit të jetës, besojnë se nga aspekti i eksperiencës, stilet e jetës në të kaluarën dhe në periudhën bashkëkohore kanë pësuar ndikim nga fetë. Natyrisht se ndikimi i secilës prej feve të përhapur në botë, ka qenë i nivelit të ndryshëm në shoqëritë e ndryshme të botës. Për shembull, sociologu i njohur Lanski ka treguar se në mes të shekullit 20 në Ditroit, qyteti më i madh i shtetit Mishigan të Amerikës, feja e krishterë ka ushtruar ndikim mbi punësimin e femrave, mbi mënyrën e zbavitjes dhe mbi mënyrën e kalimit të kohës së lirë. Studimet e tjera të kryera në lidhje me mënyrën e ndikimit të fesë mbi stilin e jetës, gjithashtu janë kufizuar në vende dhe kohëra të caktuara. Në mes teoricienëve perëndimorë nuk mund të gjendet ndonjë teori e unifikuar në lidhje me ndikimin e fesë mbi stilin e jetës, mirëpo askush nuk e mohon këtë ndikim. Në realitet feja mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ose indirekt në të gjitha fazat e procesit të formimit të stilit të jetës. Feja e përkushton njeriun në qëllimin e lartë të krijimit, do të thotë në përkryerjen e përhershme dhe vendos një lidhje të kuptimtë mes jetës në këtë botë dhe jetës së amshueshme në botën tjetër. Gjithashtu mësimet dhe programet e fesë islame përfshinë të gjitha aspektet e jetës së njeriut. Feja islame ka modele të veçanta për shumë kritere të stilit të jetës të cilat i kemi numëruar më parë, siç është modeli i konsumit, edukata e bashkëbisedimit, mënyra e ushqimit, lloji i veshjes, arkitektura, metodat e zbavitjes dhe kalimi i kohës së lirë, lloji i punësimit, modelet kulturore në çështjet seksuale, pozita e familjes dhe roli i gruas dhe i burrit në jetën familjare dhe në shoqëri etj.. Prandaj një person mysliman për jetën e tij ka një stil të veçantë të jetës i cili është në përputhje me mësimet islame dhe mund ta ndihmojë atë për të arritur në lumturinë e përhershme në botën tjetër. Ashtu siç thamë, sipas mësimeve islame çdo sjellje, fjalë dhe mendim i njeriut ushtron ndikim të drejtpërdrejtë në llojin e jetës së amshueshme të njeriut në botën tjetër dhe për këtë arsye mënyra e jetës së njeriut në këtë botë ka rëndësi shumë të madhe. Sekularizmi me kuptimin e ndarjes së fesë nga të gjitha sferat e jetës, është paraqitur që nga koha e Renesancës. Pas kësaj kohe, sekularizmi u njohë si një karakteristikë e pandashme e kulturës së perëndimit. Diskutimi rreth stilit të jetës ka filluar në një atmosferë të tillë. Padyshim, para se të përkushtohemi në këtë çështje dhe gjatë historisë, shoqëritë e ndryshme kanë pasur stil të veçantë të jetës. Mirëpo diskutimet teorike në lidhje me stilin e jetës janë zhvilluar në 100 vitet e fundit dhe në një atmosferë sekulariste. Nga ana tjetër, sekularistët insistojnë ta prezantojnë për botën një stil të jetës të ndarë nga feja si një stil superior të jetës. Natyrisht se zhvillimi shkencor dhe teknologjik i perëndimit, gjithashtu është bërë shkak që edhe shoqëritë e tjera të botës të tregojnë një lloj dorëzimi përballë stilit perëndimor të jetës dhe deri diku ta pranojnë atë si stil superior të jetës. Sekularistët në caktimin e kritereve përcaktuese për stilin e jetës, nuk marrin parasysh fare mësimet fetare. Ata për shkak të ideve të shtrembëruara të Mesjetës dhe për shkak të zotërimit të krishterizmit të shtrembëruar, ende e konsiderojnë fenë të paaftë për të ofruar modele për jetë. Ndoshta për shumë perëndimorë duket të jetë e pakuptueshme që feja ka modele të larta në lidhje me çështjet si edukata e bashkëbisedimit, mënyra së zbavitjes, lloji i konsumit, marrëdhëniet seksuale dhe çështje të tjera të ngjashme. Mirëpo për një mysliman i cili shfrytëzon modelet fetare në jetën e përditshme, nuk është e vështirë të kuptojë ndikimin e fesë në stilin e jetës.

Thamë se zgjedhjet përkatëse me stilin e jetës mund të mos bëhen me vetëdije. Do të thotë që një person mund të zgjedhë stilin e jetës së tij nën ndikimin e hegjemonisë së një kulture mbi kulturat e tjera ose nën ndikimin e zakoneve dhe traditave të një populli ose të një shoqërie. Në këtë mënyrë, një zgjedhje e tillë nuk ka mbështetje teorike. Në përballjen e shoqërive islame me stilin perëndimor të jetës, një zgjedhje e tillë mund të jetë shkatërruese. Me fjalë të tjera, nëse një person do të bëjë zgjedhje me vetëdije në stilin e jetës, atë do ta udhëzojë mbështetja e bindjeve fetare, mirëpo nëse kjo zgjedhje bëhet nën ndikimin e hegjemonisë kulturore të shoqërive të tjera, atëherë ndodhë e kundërta do të thotë që stili i jetës i zgjedhur nga ai gradualisht do të formojë bindjet e tij. Për këtë arsye ndikimi i stilit të jetës mbi bindjet, kryesisht neglizhohet nga njerëzit.

Perëndimi përgjatë shumë shekujve e ka prezantuar stilin e vet të jetës si një stil superior për botën. Në këtë kuadër ka prezantuar modele të veçanta të sjelljes në të cilat nuk vërehet kurrfarë ndikimi i fesë. Arti dhe teknologjia janë dy mjete të rëndësishme për arritjen e këtij qëllimi. Propaganda e gjerë, mediat, filmat dhe çdo mjet tjetër kulturor aktualisht vendosen në shërbim të këtij qëllimi. Shoqëritë e tjera gradualisht me pranimin në mënyrë të pavetëdijshme të stilit perëndimor sekular të jetës, largohen nga vlerat e tyre. Në këtë mënyrë nuk ka nevojë që hegjemonistët perëndimorë të zhvillojnë luftë të drejtpërdrejtë kundër bindjeve dhe vlerave të një populli. Mjafton që me përhapjen e një stili të veçantë të jetës, ata praktikisht jetën dhe sjelljen e një shoqërie të caktuar ta ndryshojnë në favor të qëllimeve të tyre. Kur ekziston mundësia që të drejtohet shija e një populli drejt zgjedhjes së stilit të caktuar të jetës me modele të veçanta të sjelljes. Atëherë do të ndryshohen vlerat dhe bindjet. Shoqëritë islame për shkak të pasurisë së përmbajtjes së fesë islame, kanë më shumë mundësi për rezistencë përballë kësaj hegjemonie. Përveç kësaj, myslimanët kanë edhe këtë aftësi që me mbështetjen e mësimeve të shpalljes hyjnore, të prezantojnë stilin islam të jetës si një stil superior për të gjithë botën. Për këtë qëllim, duhet të tregohet një përkushtim i veçantë dhe i vetëdijshëm ndaj kritereve të stilit islam të jetës dhe duhet të shfrytëzohen mjete të përshtatshme për identifikimin dhe prezantimin e këtij stili të jetës. Me këtë qëllim në edicionin e ardhshëm shkurtimisht do ta prezantojmë stilin islam të jetës dhe do ta krahasojmë atë me stilin sekular të jetës.

Tags

Jun 26, 2016 08:12 CET
Komente