Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”.

Në këtë program pasi shqyrtuam faktorët historikë të krijimit të sekularizmit në botën perëndimore dhe paraqitem një kritikë ndaj bazave mendore të kësaj teorie, kemi shqyrtuar edhe ndikimin e sekularizmit mbi sfera të ndryshme të jetës së njeriut si mbi moralin, kuptimin e jetës, shtetin etj.. Më pas në edicionet e fundit të këtij programi kemi shqyrtuar gjendjen aktuale të sekularizmit në perëndim dhe kemi thënë se nga pikëpamja e mendimtarëve dhe sociologëve të njohur perëndimorë, sekularizmi para disa viteve ka filluar periudhën e rënies dhe tani në shekullin 21, bota është më shumë fetare se në të kaluarën. Më parë sekularistët besonin se sekularizmi është nevojë e pandashme e modernizmit, mirëpo tani sociologët dhe filozofët pohojnë se për tu modernizuar nuk ka nevojë shoqëria të jetë me patjetër sekulariste dhe të anashkalohet feja. Përveç kësaj disa sociologë të njohur botërorë besojnë se feja në disa shoqëri ka ndihmuar rrjedhën e modernizimit. Duhet pasur parasysh se një prej arsyeve të theksimit të përkrahësve të sekularizmit në ndarjen e fesë nga jeta, ishte kjo që feja për shkak se kundërshtonte mendjen dhe shkencën ekzakte dhe për shkak se anashkalonte nevojat e kësaj bote të njeriut, konsiderohej pengesë për zhvillimin e njerëzimit. Ne edicionet e kaluara treguam se Islami me fenë e njohur në perëndim do të thotë krishterimin kishtar ka dallime themelore. Këto dallime u bën shkak që sekularizmi të mos mirëpritet në shoqëritë myslimane në atë masë saqë u mirëprit në perëndim. Pavarësisht se disa intelektualë myslimanë kanë mbrojtur këtë teori, mirëpo mendimtarët myslimanë besojnë se sekularizmi në Islam është i pakuptimtë. Në shoqëritë islame gjithashtu njerëzit në përgjithësi në jetën e tyre të përditshme e kanë vendosur fenë program të jetës së tyre duke e praktikuar atë në masë të gjerë. Kjo çështje pohohet edhe nga shumë sociologë të njohur të perëndimit. Në këtë edicion do të bëjmë një kritikë ndaj sekularizmit nga një pikëpamje e brendshme fetare dhe në bazë të tekstit më të vlefshëm fetar do të thotë Kur'anit të shenjtë. Këtu e përmendëm Kur'anin si tekstin më të vlefshëm fetar të botës dhe jo vetëm të myslimanëve. Arsyen për këtë e kemi shtjelluar gjerësisht në edicionet e para të këtij programi. Thelbi i asaj që kemi shtjelluar ishte ky që sipas dëshmisë së historianëve dhe letrarëve, Kur'ani nuk është një libër i krijuar nga njeriu, por është fjalë hyjnore që i është shpallur Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe është shkruar në çastet e para të zbritjes nga njerëzit besnik të Profetit s.a.v.s. dhe nën mbikëqyrjen e vet Profetit Muhamed s.a.v.s.. Studimet historike gjithashtu tregojnë se ekzistojnë argumente të besueshme që vërtetojnë se ky tekst ka arritur deri tek ne saktësisht në atë mënyrë siç i është shpallur Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Një prej këtyre argumenteve është ekzistenca e mijëra e mijëra hafizëve të Kur'anit të shenjtë në secilën periudhë kohore duke filluar nga periudha në të cilën ka jetuar Hazreti Muhamed s.a.v.s. e deri në periudhën bashkëkohore, si dhe referimi i vazhdueshëm i myslimanëve në këtë Libër të Shenjtë si program i jetës së tyre. Kjo është në kohën kur edhe versionet më të vlefshme të Inxhilit janë shkruar me dhjetëra vite pas Hazretit Isa a.s. dhe nga shokët e tij dhe përmbajnë vetëm transmetime të fjalëve dhe transmetime të ngjarjeve historike të periudhës së jetës së Hazretit Isa a.s.. Ekzistojnë gjithashtu edhe shumë versione të Inxhilit që në shumë raste janë në kontradiktë me njëri-tjetrin, ndërsa përgjatë 14 shekujve të Kur'anit, ekziston vetëm një Kur'an në mesin e myslimanëve të të gjithë botës pa ndryshime pavarësisht shkollave të ndryshme. Prandaj padyshim se Kur'ani mund të quhet teksti më i vlefshëm fetar në botë. Tani do të mundohemi të shqyrtojmë se a është i pranueshëm sekularizmi nga pikëpamja e Kur'anit apo jo? Lloji i vështrimit të Kur'anit ndaj njeriut është një çështje shumë e rëndësishme dhe marrja parasysh e saj, mund të na ndihmojë neve deri në një masë të madhe për ta vlerësuar sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve kur'anore. Tani po paraqesim disa teori të Kur'anit në lidhje me njeriun. Përkundër fesë krishtere e cila të gjitha gjeneratat njerëzore i konsideron pjesëmarrëse në mëkatin e parë të njeriut, feja islame e respekton njeriun dhe nuk e konsideron atë mëkatar të përhershëm ku të gjitha gjeneratat njerëzore e bartin atë mëkat të parë, por feja islame e konsideron njeriun si krijesën më të mirë që duhet të arrijë në pozitën e "zëvendësit të Zotit". Kur'ani i shenjtë thotë: "(Kujtone) kohën kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do ta krijojë njeriun prej balte. Kur t'i japë formën atij dhe kur ta vendosi shpirtin tim në atë, përuluni në sexhde para tij". (Surja Sad, ajeti 71 dhe 72). Sipas ajeteve kur'anore, Zoti i madhëruar i ka falur Ademit mëkatin e moszbatimit të urdhrit dhe i ka pranuar atij pendimin. Në Kur'an thuhet: "Pastaj Ademi pranoi disa fjalë nga Zoti i tij (dhe nëpërmjet tyre bëri pendimin). Dhe Zoti i pranoi atij pendimin, për arsye Zoti është pranues i pendimit dhe i mëshirshëm". (Surja Bekare ajeti 37). Në Kur'an gjithashtu thuhet: "As kush nuk e merr barrën e mëkatit të tjetrit". (Surja Isra, ajeti 15). Zoti e ka fisnikëruar njeriun dhe ka thënë: "Ne i kemi dhënë fisnikëri bijve të Ademit (njerëzve) dhe i kemi transportuar ata në tokë dhe në deti dhe i kemi furnizuar ata me furnizime të ndryshme dhe të pastra dhe i kemi bërë ata superior ndaj shumë krijesave të tjera që kemi krijuar". (Surja Isra, ajeti 70). Nga e gjithë kjo bëhet e qartë se njeriu i përkryer që është prezantuar nga ana e Kur'anit, është një qenie e pastër dhe hyjnore, do të thotë një njeri në të cilin nuk ekziston kurrfarë papastërtie (mëkati). Një njohje e tillë e njeriut nuk është në kundërshtim me mendjen dhe ndjenjat e tij. Kjo çështje është një prej dallimeve kryesore përmbajtësore mes Kur'anit dhe inxhilëve. Në kohën kur sipas përkufizimit që jep Inxhili për njeriun, njeriu është një mëkatar i përhershëm dhe ky përkufizim është në kontradiktë me natyrën qenësore të njeriut. Njeriu nga pikëpamja e Kur'anit nuk mund të pretendoi se është "zot". Në shumë vende në Kur'anin e shenjtë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. është quajtur një rob nga mesi i robërve të Zotit. Kur'ani i shenjtë duke iu drejtuar Hazretit Muhamed s.a.v.s. thotë: "Thuaj: unë jam njeri sikur ju, përveçse mua më zbret shpallja hyjnore që Zoti i juaj është Zoti Një, prandaj drejtohuni tek Ai dhe kërkoni falje pranë Tij dhe mjerë për idhujtarët!". (Surja Fusilet, ajeti 6). Në bazë të kësaj, Profeti është një njeri i cili për shkak të veprave të mira dhe adhurimit të Zotit ka arritur në pozitën e profecisë dhe tani ka marrë një përgjegjësi dhe mision për udhëzimin e njerëzve të tjerë. Kjo është një çështje racionale dhe e kuptueshme për njeriun. Mirëpo pretendimi i Kishës për trini dhe se Isa a.s. është i biri i Zotit, mund të jetë një prej shembujve të kontradiktës së mësimeve të Kishës me mendjen e njeriut që ka krijuar rrethanat për ikjen e njeriut nga feja.Krishterimi besimin e ka bërë zëvendës të mendimit dhe fenë e ka shpjeguar si mahnitje dhe çudi, prandaj në këtë mënyrë i ka mohuar asaj aspektet e njohjes dhe u bë shkak që feja të dëbohet në qoshe. Mirëpo pikërisht përballë kësaj, feja islame ka deklaruar se besimi realizohet vetëm atëherë kur ai të bazohet në të menduar dhe mendje. Për këtë arsye, sipas dispozitave islame nuk lejohet dhunë dhe detyrim në zgjedhjen e fesë, për arsye se rruga e humbjes dhe e shpëtimit është e qartë. Është njeriu ai i cili në bazë të mendjes së tij, duhet të zgjedhë njërën prej këtyre dy rrugëve. Prandaj në Islam, për të menduarin në asnjë rast nuk mund të vendoset vijë e kuqe. Sipas Islamit, njeriu ka të drejtë të pyesë në lidhje me çdo çështje, për arsye se racionalizmi ka një pozitë të lartë në Islam. Nga kjo kuptohet se në Kur'an nuk ekziston një gjë e tillë që njohurit fetare të jenë jo racionale, ndërkohë që irracionalizmi i njohurive fetare ishte arma kryesore e sekularizmit kundër fesë. Në këtë mënyrë mësimet islame nuk janë të bazuara mbi enigma. Në Kur'an thuhet: "Thuaj: kush i ka ndaluar bukuritë hyjnore të cilat janë krijuar për robërit e Zotit dhe kush e ka ndaluar furnizimin e pastër? Thuaj: këto në jetën e kësaj bote janë për ata të cilët kanë besuar (edhe pse në këtë mirësi marrin pjesë edhe të tjerët, mirëpo) në ditën e Kiametit do të jenë vetëm për besimtarët". (Sure A'raf, ajeti 32) Në një rast tjetër në Kur'an thuhet: "Në atë çfarë të ka dhënë Zoti yt, kërkoje botën tjetër, mos harro përfitimin nga kjo botë dhe ashtu siç të ka bërë mirë ty Zoti, edhe ti bënë bamirësi dhe kurrë mos bënë korrupsion dhe degjenerim në tokë, sepse Zoti nuk i do degjeneruesit!". (Surja Kisas, ajeti 77). Jeta dhe vepra e profetëve të Zotit dhe e imamëve ma'sum (a.s.) gjithnjë tregon këtë se ata nuk kanë anashkaluar tërësisht çështjet materiale të kësaj bote. Në fenë islame në disa raste të veçante është qortuar pasuria, fëmijët dhe pozita shoqërore-politike, mirëpo nëse i hedhim një vështrim më të saktë mësimeve të Kur'anit, vërejmë se ky qortim është bërë për t'i tërhequr vëmendjen njeriut drejt një çështje shumë më të vlefshme. Asnjë mysliman këtë çështje nuk e kupton në këtë mënyrë se për të arritur në botën tjetër, duhet heqë dorë plotësisht nga jeta e kësaj bote dhe për ta çliruar shpirtin duhet shkatërruar të gjitha forcat jetike të trupit të tij. Myslimanët gjithashtu mendojnë se feja islame i fton ata që të pranojnë dhunë dhe padrejtësi në jetën e kësaj bote për të arritur në parajsë. Si përfundim, nëse feja islame do të përkushtohej vetëm në aspektet e jetës së njeriut në botën tjetër dhe të mos kishte dhënë kurrfarë mësime për jetën e njeriut në këtë botë, atëherë me siguri se do të ishin krijuar rrethanat për zbatimin e ideve sekulariste, mirëpo Kur'ani nëpërmjet mënyrave të ndryshme e hedhë poshtë mënyrën e të menduarit sekularist. Në edicionin e ardhshëm do të paraqesim disa mësime të tjera kur'anore të cilat mohojnë të menduarin sekularist.

Tags

Jul 20, 2016 08:58 CET
Komente