Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në Shtetet e bashkuara të Amerikës

Javen e kaluar, Shtëpia e Bardhë ka publikuar dosjen prej 28 faqesh, dikur top sekrete, mbi raportin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.Dokumentet thonë se 2 rrëmbyesit ishin në kontakt dhe kishin mbështetje dhe asistencë nga individë, që mund të kenë lidhje me qeverinë arabe. Në to thuhet gjithashtu se FBI dhe CIA ishin në dijeni të lidhjeve të mundshme mes Khalid al Mihdhar dhe Nawaf al  Hazmi dhe 2 zyrtarëve saudit, njëri prej të cilëve kishte lidhje me ambasadorin saudit në SHBA. Khalid al Mihdhar dhe Nawaf al Hazmi rrëmbyen avionin e Fluturimit 77 që u përplas në Pentagon. Në këto 28 faqe sugjerohet gjithashtu se Abdullah, vëllai i Osama bin Laden, punonte për Ambasadën Saudite në Washington DC. Në to thuhet se FBI kishte të dhëna që sugjeronin për një “lidhje të ngushtë” të Abdullah me Mohamed Atta dhe Marwan al – Shehhi, të cilët ishin në bordin e avionëve që u përplasën në World Trade Center. Në raport shkruhet gjithashtu, se në xhepin e një anëtari të al – Kaedas, të kapur në Pakistan, u gjet numri i telefonit të kompanisë së ambasadorit saudit. Një zyrtar me lidhje të ngushta me inteligjencën saudite thuhet se i ka ndihmuar rrëmbyesit e avionëve, duke i paguar qeranë dhe i ka ndihmuar për t’u futur në shkollë për të mësuar avionin, ndërkohë që përgatisnin sulmet.

 

Presidenti i SHBA-ve, marrëveshjen e arritur mes Iranit dhe grupit 5+1 e cilësoi fitore të diplomacisë. Barack Obama, president i SHBA-ve, javwn e kaluar me rastin e përvjetorit të akordit për programin e përbashkët të veprimit sipas marrëveshjes bërthamore, marrëveshjen në fjalë e cilësoi një fitore të diplomacisë. Amerika do të zbatojë angazhimet e saj deri në kohën kur Irani të zbatojë marrëveshjen bërthamore, tha Obama i cili shtoi se Uashingtoni ka akoma mosmarrëveshje serioze me Iranin. Ndërsa John Kerry sekretari i DASH në përvjetorin e parë të nënshkrimit të akordit për programin e zbatimit të marrëveshjes bërthamore, ka thënë se kjo marrëveshje ka krijuar mundësinë që të krijohet muri paqësor i programit bërthamor, me një Iran që zbaton angazhimet dhe zotimet e tij në kuadër të marrëveshjes. Ernest Munis, sekretari amerikan i energjisë në deklaratën e tij lëshuar me rastin e përvjetorit të marrëveshjes bërthamore me Iranin tha se kjo marrëveshje ishte historike dhe me anë të saj Irani jep garanci që programi i tij është paqësor dhe kështu do të mbesë. Muhamed Xhavad Zarif, ministër i jashtëm i RII tha se Irani kritikon Amerikën për sjelljen e saj pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore dhe këto kritika i ka paraqitur qartazi dhe shtoi se e gjithë bota beson se Irani me anë të marrëveshjes bërthamore arriti të garantojë të drejtat e tij dhe të heqë rezolutat e KS të OKB, si dhe të heqë sanksionet e padrejta.

 

Javen ekaluar, ish-kandidati demokrat Bernie Sanders ka dalë zyrtarisht në mbështetje të ish-rivales së saj, Hillary Clinton, për presidente të Shteteve të Bashkuara, edhe pse në një shfaqje të vonuar gjatë kësaj të marte, duke argumentuar vendimin e tij me faktin se “është jetike që demokratët të qëndrojnë të bashkuar, në mënyrë që të mposhtin republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 8 nëntorit”. Ajo do të jetë e nominuara demokrate për presidente, ndërsa unë kam ndërmend të bëj gjithçka mundem që të siguroj të gjithë se ajo do të bëhet presidentja e ardhshme e SHBA-ve”, tha Sanders përpara një turme tepër të zhurmshme, ku kishte edhe mbështetës të tij. Pesë javë pasi Clintoni siguroi “de facto” nominimin presidencial mes demokratëve, pasi “de jure” pritet të shpallet në konventën partiake më vonë gjatë kësaj vere, senatori amerikan nga Vermonti i jep fund kështu fushatës së tij dhe iu bashkua ish-Sekretares amerikane të Shtetit në një miting të mbajtur në Portsmouth të Neë Hampshire, duke lënë kështu rivalitetin e ashpër pas krahëve. Më duhej të vija këtu dhe ta bëja sa më të qartë të mundshme, faktin se përse jam duke mbështetur Hillary Clintonin dhe pse ajo duhet të bëhet presidentja jonë e ardhshme”, tha Sanders. Miratimi i Sandersit bëri bashkë mbështetësit më të shquar të partisë së krahut liberal në favor të Clintonit, më pak se dy javë përpara hapjes së Konventës Kombëtare Demokratike në Philadelphia, ku Clinton pritet të zyrtarizohet si kandidate për presidente. Clinton vet shpreson që dalja e tyre së bashku do ta ndihmojë atë të fitojë disa në mos të gjithë mbështetësit e Sandersit, disa prej të cilëve mbanin ende simbolet e mitingjeve dhe shpeshherë vërshëllenin mbështetësit e ish-sekretares.

 

Senatori Ted Cruz refuzoi të mbështesë mbrëmë kandidatin republikan për president, Donald Trump në Kuvendin e Partisë, duke shkaktuar thirrje të zemëruara mes mbështetësve të të nominuarit në zgjedhjet presidenciale, e duke krijuar hapur plasaritje në fasadën e unitetit të partisë që ishte ndërtuar me shumë kujdes në prag të Kuvendit në Klivlend. Aq shumë u ndez atmosfera, sa delegati republikan Ken Cuccinelli është detyruar ta shoqërojë të shoqen e Cruzit, Heidi, jashtë sallës për shkak të shqetësimeve mbi sigurine e saj. Cruz nuk u shpreh në Konventë në mbështetje të Trumpit dhe përgjatë gjithë fjalimit të tij, miliarderin e përmendi vetëm një herë, duke ngjallur reagimin e ashpër të simpatizantëve të 70-vjeçarit. Trump dhe Cruz patën debate të hidhura gjatë betejës për nominimin republikan, të cilat në mjaft raste, u kthyen në sulme personale. Gjatë fushatës për emërimin partiak, Trump përdori fjalë fyese ndaj pamjes së jashtme të bashkëshortes së Cruzit e la te kuptohej se babai i tij ishte me vrasësin e Presidentit John F. Kennedy para se të ndodhte vrasja në Dallas në vitin 1963. Një tjetër ish-rival i Trumpit megjithate, senatori Marco Rubio nga Florida, foli në Kuvend me një video mesazh dhe e vlerësoi manjatin për angazhimet e tij në ruajtjen e sigurisë kombëtare, uljen e taksave dhe emërimin e gjykatësve konservatorë në Gjykatën e Lartë. “Koha për të luftuar njëri-tjetrin ka mbaruar. Është koha për të luftuar për një drejtim të ri për Amerikën. Është koha për të fituar në nëntor!”, tha Rubio.

 

Javen e kaluar, Presidenti amerikan Barack Obama i kërkoi policisë dhe komuniteteve me ngjyrë në SHBA që të bashkohen duke eliminuar situatën e krijuar që duket sikur i ka vënë përballë. "Nuk dua që brezi i ri të rritet duke menduar se nuk duhet të kenë besim tek policia, ose që policia që po bën një punë të mirë, të mendojë se kërcënohet jo vetëm nga kriminelët, por edhe nga mungesa e besimit në komunitet”, deklaroi Obama gjatë një takimi me publikun ku u diskutua për racizmin dhe rendin. Ai shtoi se të gjithë duhen angazhuar që të diskutojnë dhe bashkohet, e jo secili të mbyllet në qoshen e tij. Pas çdo vrasje masive në SHBA vitet e fundit, lideri i shtëpisë së bardhë ka mbajtur fjalime prekës dhe morali, por në takim ai mori rolin e kryekomandantit që ngushëllon ndërsa i përgjigjej pyetjeve të njerëzve. Në takimin ishin të pranishëm Diamond Reynolds e dashura e Philando Castile që u vra nga policia në Minesota dhe Cameron Sterling, djali i Alton Sterling, që u vra në Luizina po nga policia. Ata kërkuan ndihmën e presidentit për të sjellë ndryshime. Obama u përpoq sa mundi që të ngushtonte humnerën mes policisë dhe komunitetit me ngjyrë, megjithëse analistët thonë se takimi nuk solli zgjidhje. Presidenti ngushëlloi familjet e viktimave të dhunës policore, por gjithashtu shtoi se policia përballet me sfida kolosale dhe nuk mund t’ia dalë e vetme.

Aug 03, 2016 09:14 CET
Komente