Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet në Europë.

Qeveria e Francës pas shtimit të shqetësimeve dhe kritikave ndaj situatës së sigurisë në këtë vend, ka aktivizuar mijëra forca policore rezerviste të këtij vendi. Qeveria e Francës me anë të një deklarate, ka thirrur për mobilizim 12 forca rezerviste të policisë me qëllim të forcimit të sigurisë të cilët do t'i shtohen 120 mijë policëve në detyrë në të gjitha rajonet e Francës. Jean-Yve Le Drian, ministri i mbrojtjes i Francës, gjithashtu në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se pas sulmeve terroriste në Francë, do të rritet numri i forcave policore të dislokuara në rajone të ndryshme të këtij vendi dhe këto forca do të dislokohen më shumë jashtë Parisit, sidomos në vendet turistike dhe në vendet me qarkullim të dendur. Pas sulmit terrorist në qytetin Nice në jug të Francës, qeveria e këtij vendi po përballet me kritika të ashpra rreth veprimit në fushën e sigurisë dhe për shkak të pranisë së pamjaftueshme të forcave të policisë gjatë organizimit të festës kombëtare të Francës. Liderja e partisë së të djathtës ekstreme ka bërë të ditur mundësinë e sulmeve të gjera të këtij vendi kundër grupit terrorist ISIS në rajonin e Lindjes së Mesme. Faqja informative e gazetës franceze "Le Figaro" njoftoi se Marine Le Pen, liderja e partisë "Fronti Kombëtar" i Francës, deklaroi se larmia e sulmeve terroriste të ISIS ka krijuar rrethana të komplikuara dhe e ka bërë të vështirë analizimin e veprimeve terroriste. Marine Le Pen njëkohësisht saktësoi se ekziston mundësia që qeveria e Francës në reagim ndaj veprimeve të fundit terroriste, të zgjerojë sulmet e saj ushtarake kundër këtij grupi terrorist. Marine Le Pen në vazhdim tha se në qeverinë e kaluar të kryesuar nga Nikolla Sarkozi dhe gjithashtu në qeverinë e tanishme të presidentit François Hollande nuk është vepruar në mënyrë të prerë me grupet ekstremiste, sepse nëse do të merreshin masa serioze, tani qytetarët dhe qeveria nuk do të përballeshin me këtë situatë. François Hollande, presidenti i Francës të martën në lidhje me sulmin e dy terroristëve të grupit takfirist ISIS kundër një kishe dhe vrasjen e priftit të kësaj kishe, deklaroi se kërcënimet terroriste kundër Francës dhe Evropës kurrë nuk kanë qenë deri në këtë masë serioze.

Presidenti francez me këtë rast paralajmëroi se përballja me terrorizmin brenda dhe jashtë Francës do të jetë e gjatë. Sulmet terroriste në Francë kanë krijuar shqetësime të thella tek qytetarët e këtij vendi. Franca të martën më 26 korrik përjetoi sulmin e katërt terrorist që nga janari i vitit 2015. Distanca kohore mes sulmeve terroriste është reduktuar dhe njëkohësisht është shtuar ashpërsia e tyre. ISIS për ta goditur Evropën, sidomos Francën, në vend që të bazohet në modelin klasik të sulmeve me shpërthime, zgjedhjen e objektivave dhe llojin e mjeteve për kryerjen e vrasjeve gjatë këtyre sulmeve, i ka lënë në dispozicion të terroristëve që t'i zgjedhin vetë ato. Për këtë arsye, policia dhe strukturat e sigurisë së Francës në përballje me këto sulme janë në gjendje pasive. Një vështrim mbi ngjarjet e fundit tregon qartë se terroristët janë në avantazh përballë policisë dhe forcave të sigurisë sa i përket caktimit të kohës, vendit dhe llojit të sulmeve. Sulmi i 14 korrikut në qytetin Nice të Francës u krye nga një person i lidhur me grupin terrorist ISIS duke përdorur një maunë dhe si pasojë e këtij sulmi mbetën të vrarë 84 persona.

 

Vendimi i Britanisë për të lënë Bashkimin Europian ka çuar drejt një përkeqësimi dramatik të aktivitetit ekonomik të vendit siç nuk ishte parë më që prej krizës financiare. Të dhënat e indeksit “Markit's Purchasing Manager's Index” (PMI) tregojnë në korrik rënie të ekonomisë në nivelin më të ulët të regjistruar që prej prillit të vitit 2009. Si sektori i prodhimit, ashtu dhe ai i shërbimeve kanë tkurrje, ndërsa frymëmarrje patën vetëm eksportet, të ndihmuara nga dobësimi i paundit. Raporti ka verifikuar aktivitetin e 650 kompanive të shërbimit nga sektorë që përfshijnë transportin, shërbimet e biznesit, ato kompjuterike dhe restorantet. Kryeekonomisti i “IHS Markit”, Chris Williamson, ia faturon në një mënyrë apo një tjetër “Brexit”-it këtë të tatëpjetë të ekonomisë. “Nisur nga ngadalësimi rekord në sektorin e shërbimeve -thotë ai- mund të parashikoj akoma më shumë dhimbje në vazhdim, të paktën në periudhën afatshkurtër”. Sipas Williamsonit, ekonomia britanike mund të tkurret me 0.4% në tremujorin e tretë të këtij viti, por kjo do të varet shumë nga vazhdimi ose jo i trendit aktual të rënies.  Por, ekonomisti Andrew Lilico, i cili gjatë fushatës së referendumit pati argumentuar se largimi nga blloku europian do t’i sillte përfitime Mbretërisë së Bashkuar, tha se të dhënat e PMI nuk përbënin aspak një surprizë dhe nuk tregojnë asgjë mbi impaktin afatgjatë të shkëputjes, duke shtuar se ngadalësimi ekonomik në periudhën afatshkurtër ishte i pritshëm.  Me pak i zymtë është nga ana tjetër peizazhi ekonomik i Eurozonës, ku ritmi i rritjes ekonomike është në përputhje me tendencën e përpara “Brexit”-it, ndërsa punësimi ka shënuar rritje.

 

Ka qenë një vizitë e ngjeshur, ajo e kryeministres së re britanike Theresa May në Berlin. Në fillim pritja me nderime ushtarake, pas kësaj takimi kokë më kokë me Kancelaren Angela Merkel, e para darkës zyrtare, një konferencë e përbashkët shtypi. Vëmendjes së gazetarëve nuk i shpëtuan as këpucët e Mayt, të njohur për stilin e saj ekstravagant. Këtë herë, ajo kishte veshur këpucë leopardi, ato që mbante edhe gjatë vizitës së parë te Mbretëresha Elisabeth, gjë që sipas mediave gjermane shtoi spekulimet se ky ishte një nderim për monarken e pakurorëzuar të Europës, Merkel. Tensionet nuk ishin fare të padukshme mes dy udhëheqësve. May theksoi se Britania e Madhe, edhe pas “Brexit” do të jetë pjesë e Europës, ndërsa Merkel, edhe pse nuk u shfaq shumë e prerë, kujtoi sërish se procesi i nisur duhet çuar deri në fund. “Mendoj se është në interesin e të gjithëve që Britania e Madhe të ketë një pozicion negociues të mirëpërcaktuar dhe të tregojë sesi i sheh marrëdhëniet e saj të ardhshme me Bashkimin Europian”, tha Angela Merkel. “Dua ta bëj të qartë këtu, sot, siç do ta bëj në mbarë Europën gjatë javëve në vijim, se nuk do të largohemi nga miqtë tanë europianë. Britania do të mbetet një vend që sheh nga jashtë dhe Gjermania do të jetë përherë një partner jetik dhe mik i veçantë për ne”, tha Theresa May, kryeministre e Britanisë. Pas Merkelit, Theresa May do të takohet me Presidentin francez Francois Hollande, i cili pritet t’i thotë shefes së re të ekzekutivit britanik se dëshiron, që bisedimet e shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku europian të nisin sa më parë të jetë e mundur.

 

Numri i personave të vrarë nga ekstremistët anembanë Europës ka pësuar një rritje drastike gjatë vitit 2015, krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa agjencia policore e Bashkimit Europian paralajmëron se grupi terrorist ISIS mund të “ndërmarrë të tjera operacione jashtë vendit”, teksa aleanca ushtarake perëndimore shton presionin në Siri dhe Irak. “Europol”-i paraqiti këtë të mërkurë tablonë shqetësuese të një BE-je të kërcënuar nga sulmet e ekstremistëve islamikë, të cilat pritet të ndodhin në çdo moment së shpejti. Agjencia paralajmëron se azilkërkuesit sirianë mund të bëhen objektiv i sulmeve dhe shumë shpejt të radikalizohen nga rekrutuesit e ISIS, teksa një gjeneratë e re luftëtarësh po rritet në territoret e kontrolluara prej ISIS-it në Siri dhe Irak. Raporti i fundit paralajmëron gjithashtu se ISIS duket se favorizon sulmet ndaj të ashtuquajturave “objektiva të butë”, sepse këto “shkaktojnë shkaktojnë më shumë frikë ndaj publikut në përgjithësi”. Sipas raportit, 151 persona humbën jetën në vitin 2015 dhe mbi 360 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve terroriste në BE. Ishin plot 6 shtete anëtare të BE-së që u përballën me 211 komplote të dështuara apo të realizuara sulmesh terroriste. Në total janë arrestuar 1.077 persona në vendet e BE-së bazuar mbi akuzat e lidhura me terrorizmin, prej të cilëve 424 vetëm në Francë. 94 për qind e atyre që janë nxjerrë para gjykatave për terrorizëm xhihadist janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burgim. Rob Wainëright, drejtor i “Europol”-it thotë se “në vitin 2015, Bashkimi Europian përjetoi një numër masiv të vdekjeve të shkaktuara nga sulmet terroriste. Në këtë kontekst, ‘Europoli’ vuri në përdorim aftësitë e saj unike për t’u fokusuar në mbështetjen e hetimeve operacionale për të parandaluar sulmet terroriste dhe për të identifikuar dhe penguar terroristët. Bashkëpunimi në rritje rezultoi në një tablo më të pasur strategjike të burimeve nga shërbimet sekrete, duke forcuar aftësinë e ‘Europolit’ për të këshilluar udhëheqësit politikë dhe ligjvënësit, sikurse edhe autoritetet kombëtare ligjzbatuese në përcaktimin e niveleve të kërcënimeve”.

 

Athina zyrtare ndjek me shqetësim të madh rritjen e fluksit të refugjatëve nga brigjet turke drejt ishujve grekë dy javë pas grushtit të dështuar të shtetit në vendin fqinj. Sipas të dhënave zyrtare të organeve greke, në 24 orët e fundit, më shumë se 165 refugjatë kanë mbërritur  në Lesbos dhe Hios, ndërkohë që në këta ishuj, kampet ku strehohen mijëra të tjerë janë përtej kapacitetit, ndërsa në 12 ditët e fundit më shumë se 1000 refugjatë kanë hyrë nga Turqia në ishujt grekë të Egjeut. Siç thekson shtypi grek, ky fluks i ri konfirmon shqetësimet e dukshme se zhvillimet e fundit në Turqi do të kishin ndikim edhe në marrëveshjen BE- Ankara, sidomos pas urdhrit që kanë marrë vëzhguesit turq në ishujt grekë për t’u kthyer në atdhe. Megjithëse Ankaraja thekson se oficerët janë thirrur pasi u ka mbaruar afati i vizës në pasaporta dhe organet greke të rendit deklarojnë për gazetën “To Ethnos” se marrëveshja me Turqinë për deportimin e refugjatëve është ende në fuqi dhe se dëbimet e emigrantëve vazhdojnë normalisht, burime qeveritare po monitorojnë situatën për të kuptuar nëse tërheqja e oficerëve turq përbën një prej problemeve të brendshme pas puçit në Turqi, apo një mesazh për degradimin e marrëveshjes në fjalë.  Athina deklaron se ishte një fakt pozitiv që Komisioni Europian aprovoi edhe një paketë tjetër prej 1.4 miliard euro për Turqinë dhe 3 milionë refugjatët që ajo mban në territorin e saj. Por askush në Greqi,  ku tashmë mbahen në kampe të ndryshme mbi 57 mijë emigrantë, nuk do që të rikthehen skenat e vitit të kaluar kur më shumë se 1 milion refugjatë kryesisht sirianë, vërshuan nga brigjet turke drejt ishujve grekë dhe më pas drejt Europës Qendrore, duke sjellë BE përballë një prej sfidave më të mëdha në dekadat e fundit.

 

Aug 04, 2016 09:58 CET
Komente