Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Kuvendi i Demokratëve u mbyll javën e kaluar në Filadelfia të Pensilvanisë, me fjalimin e kandidates për Presidente Hillary Clinton, pika kulmore e një jave që pati momente befasuese dhe dramatike dhe që tregoi se ndasitë e krijuara nga fushata ende nuk janë zhdukur në Partinë Demokratike. Clinton pranoi të enjten emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara, duke hyrë në histori si e para grua që merr emërimin nga një forcë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara. “Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci. Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku”, tha ajo në fjalimin e saj. “Ne e kemi të qartë se me çfarë përballet vendi ynë, por ne nuk kemi frikë. Ne do të ngrihemi në lartësinë e sfidës, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, tha ajo. Clinton që foli në fund të katër ditëve të Kuvendit Demokrat, që përfshiu fjalime nga Presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe kandidati për nënpresident Tim Kaine, e vuri theksin tek përpjekjet që ajo do të ndërmarrë për të përmirësuar jetën e amerikanëve. “Misioni im kryesor si Presidente do të jetë të krijoj më shumë shanse dhe vende të mira pune me rroga në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nga dita ime e parë në detyrë tek e fundit. Veçanërisht për zona që për një kohë të gjatë janë lënë pas dore. Që nga zonat e varfra të qytetit në qytetet e vogla”, tha ajo. Ish-Sekretarja dhe përkrahësit e saj e kanë theksuar vazhdimisht aftësinë dhe përvojën e saj në sfida të sigurisë kombëtare. Vetë ish-Zonja e Parë ia kushtoi një pjesë të mirë fjalimit pikërisht kësaj fushe. Kuvendi kishte si synim të unifikonte demokratët dhe kjo ishte tema e shumë prej atyre që morën fjalën në Kuvend, përfshirë vetë Sanders. Dhe për kandidaten Clinton kjo ishte edhe një nga pikat kryesore. “Çdo brez amerikanësh është bashkuar për bërë vendin tonë më të lirë, më të drejtë dhe më të fuqishëm. Askush nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Prandaj jemi më të fortë së bashku”, deklaroi Clinton. Fjalimi i ish-Sekretares përbëri pikën kulmore të një Kuvendi që filloi nën hijen e bërjes publike të emaileve mes zyrtarëve të Partisë Demokrate, që tregonte se ata kishin favorizuar pikërisht atë në fushatën brenda partisë ndaj ish-rivalit të saj Bernie Sanders. Gjatë kuvendit, synimi i demokratëve ishte që të bënin kontrastin mes republikanit Donald Trump dhe Hillary Clinton, duke i rënë faktit që ai nuk është i zoti të drejtojë një vend.

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, bekoi kandidaten e partisë së tij, Hillary Clinton për Presidente, duke ftuar demokratët që të bashkohen edhe njëherë, ashtu siç kishin vepruar për të dhe të votojnë ish-Sekretaren e Shtetit dhe t’i besojnë saj drejtimin e vendit. Obama deklaroi se Clinton mund ta mbajë vendin të sigurt në një botë të rrezikshme, duke shtuar se ajo gëzon respektin e të gjithë liderëve botërorë, por edhe të popujve për të cilën ajo kishte punuar. “Ajo punoi me ekipet e inteligjencës, me diplomatët tanë, me ushtrinë. Ajo ka gjykimin, eksperiencën dhe temperamentin të dallon kërcënimin nga terrorizimi. Nuk është ndonjë gjë e re për të. E di që Hillary nuk do të ndalet derisa ISIS të shkatërrohet. Ajo do të përfundojë punën pa pasur nevojë që të ndëshkojë të gjithë njerëzit sepse i përkasin një feje”, deklaroi Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdoi sulmin ndaj kandidatit republikan, duke thënë se kritikon Amerikën dhe vazhdon të thur lavde për Saddam Hussein, të çmojë Putinin apo t’ju kundërvihet shteteve aleate të NATO-s, vende që i qëndruan pranë SHBA-ve në ditët më të vështira të shtatorit të vitit 2011.

Javën e kaluar, Xhejms Komi, drejtor i zyrës hetimore të FBI, të enjten në lidhje me pasojat negative të dështimit të ISIS në Irak dhe Siri, ka paralajmëruar në lidhje me sigurinë e perëndimoreve. Komi ka parashikuar që terroristët të cilët kanë dështuar në betejat e luftës në Irak dhe Siri, do të shpërndahen në çdo vend të botës. Drejtori i FBI ka thënë se terroristët të cilët aktualisht janë duke luftuar në disa vende të LM, pas dështimit të tyre ata do të synojnë kryerjen e sulmeve kamikazë nëpër qendra të ndryshme të botës. Paralajmërimi i i drejtorit të FBI për mundësinë e sulmeve terroriste, i ka mobilizuar agjencitë perëndimore të sigurisë që të jenë të vëmendshëm ndaj qytetarëve të huaj që hyjnë në këto vende, sepse me dështimet e ISIS në Irak dhe Siri, pjesëtarët e këtij grupi terrorist mund të largohen drejt vendeve të tyre të origjinës. Sipas numrit një të Byrosë Federale të hetimeve në SHBA, ISIS përbënte një problem shumë më kërcënues nga Al Kaeda. “Flitet për një kërcënim 10 herë më të madh se çdo gjë tjetër me të cilën jemi ndeshur deri më tani”, vijon Comey. Më herët gjatë verës, kreu i FBI-së i tha gazetarëve se agjentët po hetonin 1 mijë raste të amerikanëve të radikalizuar nga propaganda e grupeve terroriste. Në atë rast ishte shprehur se aftësia e ISIS-it për të motivuar e frymëzuar shpirtrat e trazuar, mbetej një rrezik konstant në SHBA.

 

Përfaqësuesja e përhershme e Amerikës në OKB ka hedhur poshtë pretendimet mbi veprimet provokuese të Amerikës kundër Koresë së Veriut. Samanta Pauer në përfundim të takimit të KS të OKB, takim i mbajtur me kërkesë të Japonisë dhe Amerikës për të analizuar testimet e reja raketore të Koresë së Veriut, edhe një herë theksoi karakteristikat e sistemit anti-raketor për tu përballur me kërcënimet e Koresë së Veriut. Pauer tha se qëllimi i dislokimit të këtij sistemi raketor, është përballja me kërcënimet nga Koreja e veriut dhe çdo gjë tjetër që thuhet mbi të nuk është e vërtetë. Koreja e Veriut testoi një tjetër raketë balistike, e cila fluturoi për rreth 1000 km dhe ra në ujërat japoneze. Autoritetet japoneze dhe korean jugore që konfirmuan lajmin thanë se raketë u lëshua nga brigjet lindore të Koresë së Veriut. Vendit të izoluar komunist i është ndaluar nga OKB-ja që të zhvillojë teknologji bërthamore dhe balistike raketash, por kjo nuk e ka ndaluar aspak dhe këto episode përbëjnë gjithnjë shkak për rritjen e tensionit në rajon. Koreja e Veriut javë më parë u zotua për një përgjigje fizike ndaj sistemit mbrojtës raketor të SHBA-së në Korenë e Jugut dhe testimi i raketave balistike është pjesë e këtij kërcënimi. Sipas komandës strategjike amerikane, Koreja e Veriut lëshoi dy raketa, por njëra shpërtheu që në nisje dhe vetëm e dyta ra në det. Sipas Koresë së Jugut, testimi i vazhdueshëm i raketave balistike tregon ambiciet e veriut për të sulmuar vendet fqinje. Më i ashpër reagimi japonez, për vetë faktin se raketa ra në ujërat e vendit të samurajëve. 

 

Javën e kaluar, Gazeta amerikane Nju Jork Times shkruan se Amerika në operacionet e fundit në qytetin Munih ka arritur të marrë informacione të vlefshme sa i përket ISIS-it që do të ndihmojnë në luftën kundër këtij grupi terrorist. Gazeta amerikane Nju Jork Times në lidhje me raportin e Erik Shmit, shkruan: Amerika është duke shqyrtuar informacione të vlefshme në lidhje me luftëtarët e ISIS të cilët kanë udhëtuar me aeroplan nga Iraku në Siri, ndërsa disa prej tyre janë kthyer në vendet e origjinës. Autoritetet amerikane thonë se këto informacione mund të ndihmojnë në betejën e luftës me ISIS dhe të parandalojnë hyrjen e terroristëve në Evropë për kryerjen e sulmeve. Autoritetet amerikane thonë se milicët arabë dhe kurdë të mbështetur nga Amerika, javët e fundit kanë shtuar operacionet e tyre për luftë kundër terroristëve në Manbixh të Sirisë, ndërsa mësohet se janë konfiskuar më shumë se dhjetë mijë dokumente dhe 4 terabajt e gjysmë informacionet digjitale janë regjistruar. Manbixh është një vend që gjendet pranë kufirit siriano-turk, është një bazë e rëndësishme për terroristët e ISIS, të cilët lehtësojnë hyrje daljen e terroristëve.

 

 

Tags

Aug 18, 2016 10:56 CET
Komente