Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin e përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Javën e kaluar, Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e ka quajtur dyshen Obama-Clinton, njëri president i Amerikës dhe tjetra ish-Sekretare e Shtetit, si dy bashkëthemeluesit e ISIS, duke përshkallëzuar kështu gjuhën e ashpër e duke theksuar për të disatën herë mendimin e tij se ata të dy janë përgjegjës për rritjen e grupeve ekstremiste. Por këto deklarata nuk kanë kaluar pa iu kushtuar vëmendje, madje kanë rigjallëruar kritikat mbi atë që konsiderohet si aftësi e tij për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara. Nga fushata e Clintonit kanë reaguar menjëherë, duke e konsideruar një deklaratë të tillë si një pretendim fals. “Ky është një tjetër shembull fjalimeve fyese dhe me mendjemadhësi të Donald Trump përpara amerikanëve”, tha këshilltari kryesor politik i ish-Sekretares së Shtetit, Jake Sullivan. “Ajo që mund të shquhet nga komentet e Trumpit është se, për të disatën herë, ai po u bën jehonë pikave kyçe të Putinit dhe kundërshtarëve tanë, për të sulmuar udhëheqësit amerikanë dhe interesat amerikane, ndërsa ka dështuar të ofrojë ndonjë plan serioz për t’u përballur me terrorizmin, apo për ta bërë këtë vend më të sigurtë”, shtoi më tej Sullivan. Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi deklaratat e fundit të Trumpit. Manjati i pasurive të paluajtshme vjen nga një javë tepër e trazuar, gjatë së cilës republikanët ushtruan presion ndaj tij për të ndalur grindjet me anëtarë të partisë së vet, si dhe të fokusojë sulmet e fushatës së tij ndaj Clintonit dhe Obamës. Por në vend të kësaj, ai ka ngritur kritikat ndaj tij në një nivel edhe më të lartë, teksa tha se një president amerikan në detyrë ka krijuar një grup militantësh terroristë, që kanë për synim të vrasin amerikanët dhe shtetasit e tjerë perëndimorë. Duke u shfaqur në Miami të Floridës mëngjesin e kësaj të enjteje, Trump ripërsëriti sulmet e tij për të tretën herë, duke thënë se qeveria amerikane është ajo që e lançoi ISIS-in. “Në fakt, mendoj se ne duhet t’i japim Hillary Clintonit titullin...MVP (zakonisht i përdorur në basketboll për lojtarin më të mirë të vitit)”, tha Trump duke sulmuar kandidaten demokrate për periudhën kur ishte Sekretare e Shtetit nga 2009-a deri në 2013-n. “ISIS-i do t’i dorëzojë asaj këtë çmim, ndërkohë që rivali i saj i vetëm është presidenti Barack Obama”. Trump e ka përmendur për herë të parë një akuzë të tillë mbrëmjen e së mërkurës në Florida, kur tha se i quaj ata të dy bashkëthemelues të ISIS.

“E vetmja mënyrë që Hillary Clinton të fitojë zgjedhjet në Pensilvani, është duke mashtruar. Kjo ishte deklarata e Donald Trump gjatë një mitingu elektoral në Altoona. Manjati amerikan i pasurive tha se liderët republikanë janë tepër të shqetësuar nga manipulimi i zgjedhjeve nga fushata e Clinton: “Duhet të mobilizojmë të gjitha forcat ligjvënëse, duhet të marrim përforcime vëzhguesish dhe shefa policie me qëllim që të gjithë sytë të jenë nga votimet”. Nuk dihet nëse është epërsia e qartë në sondazhe e Hillary Clinton ajo që e shtyn Trump për të bërë deklarata të tilla. Një sondazh i fundit i Quinnipiac flet për avantazhin e Clinton me 52%, ndërsa Trump me 42%. Shteti i Pensilvanisë ka një rëndësi të madhe për të dy kandidatët.  Trump, i cili bëri fushatë më herët në Pensilvani, tha se e njeh shtetin shumë mirë dhe Clinton nuk mund të mposhtë çka ndodh atje. Komentet e Trump vijnë pas deklaratës së bujshme të javës së shkuar në Ohajo, ku tha se zgjedhjet do të manipulohen. Fushata e Trump insiston se duhet bërë punë e madhe për të siguruar votuesit se vota do të shkoje aty ku duhet, pasi deri tani ata kanë vënë re parregullsi të mëdha.

Javën e kaluar, Më shumë se 70 republikanë i dërguan një letër të hapur Komitetit Kombëtar të partisë duke i kërkuar këtij organizmi që të mos e ndihmojë më fushatën e Donald Trump. Sipas firmëtarëve të letrës, qëndrimi ndarës dhe paaftësia e Trump rrezikojnë që të dëmtojnë ndjeshëm partinë në zgjedhje e nëntorit. Në letër shkruhet se partia duhet të harrojë Trump dhe të fokusohet tek kandidatët që garojnë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.  Kjo do të thotë se një pjesë e republikanëve që kundërshtojnë Trumpin, i cilësojnë të humbura zgjedhjet presidencaile në nëntor dhe duan që të kufizojnë sa më shumë disfatën duke u paraqitur sa më mirë që të munden në zgjedhje për Kongresin. "Ne besojmë se ndarja, papërgjegjshmëria, paaftësia dhe mungesa rekord e popullaritet që Trump ofron, do të sjellë një fitore të jashtëzakonshme të demokratëve në zgjedhje presidenciale”, shkruhet në letër.  Sipas kundërshtarëve të Trump, partia duhet të fokusojë burimet që ka në dispozicion tek garat për senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve, pasi gara e Trumpit është tashmë e humbur dhe kjo bëhet e qartë nga dita në ditë. Vetë trump, duke reaguar ndaj letërs tha se nuk është aspak i shqetësuar se partia mund t’i presë fondet dhe ai mund të bëjë të njëjtën gjë, të mos financojë më Partinë Republikane. Kritikët kërkojnë që Trump të lërë vullnetarisht kandidimin për ta zëvendësuar, por zor se ai do ta bëjë. mbi të gjitha rregullorja e partisë nuk lejon gjetjen e një tjetër kandidati në këtë pikë të garës.  Disa republikanë kanë sugjeruar një rregullore që s’është përdorur kurrë më parë: shpallja e Trumpit jo mirë mendërisht nga Komiteti Kombëtar. Por të shpallësh të çmendur njeriun që është zgjedhur nga më shumë se 10 milionë amerikanë është një lëvizje tepër e guximshme dhe nuk dihet se ç’pasoja mund të sjellë.  Sondazhet tregojnë se Trump po humbet terren në shtetet të rëndësishme për zgjedhje dhe krerët e partisë duhet të marrin vendime të vështira.

Kanali televiziv amerikan ABC ka ndërprerë transmetimin direkt të Donald Trump me qëllim që të parandalojë transmetimin e sekreteve të ISIS. Në fjalën e tij Trump tha se terrorizmi është krijuar në kohën kur Clinton ishte sekretare e shtetit dhe ajo është implikuar në  vazhdimin e aktiviteteve të grupeve terroriste në Lindjen e Mesme dhe në veri të Afrikës. Kur tha këto fjalë, kanali në fjalë ndërpreu transmetimin e fjalimit të Trump. Përpara ndërprerjes së fjalimit të tij, kandidati republikan Trump është shprehur: Vëreni Orlando, San Bernandinon dhe qendrën e tregtisë botërore. Shikoni se ç’bëhet në botë. Ne kemi lejuar që ISIS të vijë këtu. Ne d.m.th. Hillary Clinton. Clintonit i duhet dhënë çmim për shkak se ka themeluar ISIS. Kjo nuk është hera e parë që Trump flet për implikimin e Clinton në krijimin e ISIS. Ai edhe në intervistën e fundit hënë kanalit CBS ka thënë se Clinton me politikat e saj të marra ka formuar ISIS dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.

Sipas një sondazhi të fundit të zhvilluar në SHBA në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA, kandidatja demokrate favorizohet në krahasim me kandidatin republikan. Sipas uebsajtit Hill, në një sondazh të bërë nga gazeta amerikane “The Uashington Post” dhe kanali televiziv ABC, rezultatet e të cilit u publikuan të dielën, kandidatja demokrate Hillary Clinton udhëheq me 8 % ndaj kandidatit republikan Donald Trump. Sipas këtij sondazhi, nëse tani do të zhvilloheshin zgjedhjet, 50 % do të votonin për Hillary Clinton, ndërsa 42 % për Donald Trump. Këto shifra para një muaji, pra në muajin korrik 2016, ishin 47 % për Hillary Clinton, 43 % për Donald Trump. Pas mbajtjes së kuvendeve të dy partive, asaj demokrate dhe republikane, popullariteti i kandidates demokrate është rritur.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në një raport hulumtues të tij, e ka akuzuar policinë në Baltimor për sjellje raciste. Departamenti Amerikan i Drejtësisë të martën në mbrëmje, në një raport të tij hulumtues në lidhje me policinë e Baltimor, ka kritikuar disa policë për arrestime “të pa arsyeshme” të amerikano-afrikanëve.  Nga ana tjetër, Një breshëri plumbash është qëlluar ndaj dy agjentëve të policisë në Shtetet e Bashkuara, në kontenë Sebastian të Arkansasit. Lajmin e ka bërë zyra lokale e sherifit, sipas të cilës autori ka hapur zjarr me një pushkë gjysmëautomatike dhe deri tani policia nuk ka arritur ende ta arrestojë.  Ky është sulmi i tretë që bëhet ndaj forcave të rendit në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të korrikut, në Dallas, një ish-rezervist i marinës amerikane vrau me snajper 5 oficerë në shenjë proteste ndaj vrasjes së të rinjve me ngjyrë nga policia. 

 

 

 

 

Aug 18, 2016 10:59 CET
Komente