Në këtë edicion do të njihemi me mënyrën e përballjes së vehabizmit me armiqtë e tij.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv". 
Në disa edicione të kaluara kemi folur rreth Muhamed bin Abdulvahab, themeluesit të sektit vehabist, mënyrës së lidhjes së këtij sekti me fisin Al Saud, zhvillimin e këtij sekti dhe roli i Anglisë në këtë drejtim.  Një prej temave kryesore që kemi trajtuar në disa edicione të kaluara ishte kjo se vehabizmi nuk posedon kurrfarë logjike racionale dhe fetare për të mbledhur simpatizues, prandaj faktori që krijoi mundësitë për zgjerimin e sektit vehabist, ishte forca dhe detyrimi. Në histori nuk njihet asnjë periudhë në të cilën ky sekt ka zgjeruar territorin nën sundimin e tij pa shfrytëzuar forcën dhe mjetet financiare. Prandaj shkolla e vehabizmit duhet të njihet si “shkollë e shpatës”. Një prej qëllimeve më të rëndësishme të vehabistëve në luftërat e tyre, nuk ishte pastrimi i fesë nga besëtytnitë dhe nga veprimet e devijuara, por ishte mbledhja e pasurisë duke plaçkitur myslimanët nën hijen e motove për predikimin e besimit në Zotin Një. Ky realitet është paraqitur në mënyrë të qartë jo nga armiqtë e vehabizmit, por nga vet historianët e shkollës së vehabizmit si Ibën  Bashar dhe Ibën Ghanam. Ahmed Mustafa Abu Hakime, autori i librit “Leme’a al-shahab fi sireti Muhamed bin Abdulvahab”, paraqet shumë statistika dhe të dhëna në lidhje me plaçkitjet, mbledhjen ekstreme të zekatit dhe lëshimin e pronave me qira nga ana e vehabistëve. Pikërisht për këtë arsye sipas shumë studiuesve, bëhet e qartë se nëse nuk do të bëheshin këto plaçkitje nga vehabistët, sekti vehabist kurrë nuk do të mund ta vazhdonte jetën e tij. Të gjitha këto plaçkitje që janë bërë duke shkatërruar jetën e besimtarëve myslimanë, u bënë shkak për krijimin e një mirëqenie të lartë dhe për mbledhjen e një pasurie të madhe për klasën borgjeze të vehabistëve, për fisin Al Saud dhe për familjen Ale Shejkh. Ibën Bashar duke krahasuar kryeqytetin e vehabistë Dir’ija me periudhën para dhe pas përhapjes së thirrjes së Muhamed bin Abdulvahab në librin “Unvane al-maxhd fi tarikhi Naxhd”, shkruan: “Banorët e rajonit Dir’ija para publikimit të thirrjes së Muhamed bin Abdulvahab jetonin në një gjendje shumë të vështirë dhe në varfëri ekstreme. Mirëpo pas publikimit të thirrjes se Muhamed bin Abdulvahab kam vizituar qytetin Dir’ija në kohën e sundimit të fisit Al Saud. Në këtë periudhë në Dir’ija ndodheshin armë dhe pasuri që nuk ndodheshin në asnjë rajon tjetër. Shtëpitë e këtij qyteti ishin të zbukuruar me gurë të shtrenjtë, banorët kishin kuaj të shtrenjtë të racës arabe, njerëzit ishin të veshur me rroba të shtrenjta dhe të papërshkrueshme. Ibën Bashar në vazhdim thotë: “Një ditë qëndrova në një zonë ta lartë të quajtur Batin në Dir’ija në anën perëndimore të tij ndodheshin pallatet e fisit Ale Saud që quheshin Tarif, ndërsa në anën lindore ndodheshin pallatet e bijve të Muhamed bin Abdulvahab që quheshin familja Ale Shejkh. Këto pallate ndodheshin në vendin Buxhejra". Sipas Ibën Bashar, një e treta e pasurive të plaçkitura nga rajoni Ahsa’e, i takonte familjes së Ibën Saud dhe Ibën Abdulvahab.

Mbreti Al Saud kishte një oborr të madh mbretëror dhe brenda tij kishte ndërtuar pallate të caktuara dhe secila prej grave dhe shërbëtoreve kishte vende të caktuar. Rrobat e grave të tyre kryesisht ishin prej mëndafshi të Indisë të zbukuruara me flori të kuq në të verdhë ose të gjelbër. Gratë e tyre vishnin edhe rroba prej mëndafshi të cilat ishin të qëndisura me fije floriri. Kuzhinierë të famshëm ishin sjell nga rajoni Ahsa dhe përgatisnin çdo lloj ushqimi që dëshironte familja Al Saud. Vetëm në dasmën e njërit prej djemve të Saud, janë therë 140 deve. Muhamed bin Abdulvahab gjithashtu kishte kushte edhe më të mira. Ai kishte një pasion shumë të madh ndaj grave dhe gjatë jetës së tij ishte martuar me 20 gra me të cilat kishte 18 fëmijë”. Sipas autorit të librit “Leme’a al-shahab”, Muhamed bin Abdulvahab dhe familja e tij kishin nën pronësi toka shumë të mëdha dhe përveç kësaj, ata kishin në dispozicion një pjesë të madhe të arkës shtetërore dhe guvernatorët e rajoneve të ndryshme i dërgonin atyre vazhdimisht dhurata të ndryshme. Fëmijët e Muhamed bin Abdulvahab që njiheshin me emrin Ale Shejkh, pas vdekjes së tij, duke shfrytëzuar pasuritë e plaçkitura nga myslimanët, kishin krijuar një jetë borgjeze për vete. Një situatë e tillë është vërejtur edhe në periudhat e më vonshme. Korrupsioni i familjes Al Saud në periudhën e tretë gjithnjë ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve të çështjeve të Arabisë Saudite, mirëpo anëtarët e familjes Ale Shejkh për shkak se ishin aleat të familjes Al Saud, kurrë nuk kanë marrë ndonjë qëndrim kundër këtij korrupsioni, por gjithnjë kanë mbrojtur familjen mbretërore Al Saud dhe princat e saj. Me një vështrim mbi historinë e vehabizmit, bëhet e qartë se faktori që ka luajtur rolin kryesor në luftërat e vehabistëve, ka qenë plaçkitja e pasurive të myslimanëve dhe për arritjen e këtij qëllimi nuk kishte rrugë tjetër përveç shpalljes së myslimanëve jobesimtarë dhe të dalë nga feja. Qëllim tjetër i rëndësishëm i vehabistëve në predikimin e tyre, ishte zgjerimi i pushtetit të regjimit Al Saud mbi shoqëritë islame. Ashtu siç kishte deklaruar Muhamed bin Saud në takimin e tij të parë me Muhamed bin Abdulvahab, shqetësimi kryesor i tij në mbështetjen e Muhamed bin Abdulvahab ishte ky që pas ngadhënjimit kundër armiqve, ndonjë fis tjetër të mos e zë vendin e fisit Al Saud. Një politikë e tillë vërehet në të gjitha periudhat e vehabizmit. Pas vendosjes së sundimit të vehabistëve dhe të Al Saud mbi Gadishullin Arabik në periudhën e tretë të sundimit, Gadishullin Arabik e emëruan “Arabia Saudite”. Me fjalë të tjera, nëse do ta ndajmë të menduarin vehabist në dy pjesë në politikë dhe fe, nuk ka dyshim se sekti i vehabizmit u vendos në shërbim të qëllimeve hegjemoniste dhe sunduese të fisit Al Saud. Fisi Al Saud duke shfrytëzuar thirrjen për besim në një Zot, ka realizuar qëllimet e tij politike dhe me këto moto fetare dhe me mbështetjen e Anglisë, arriti ta shtrijë sundimin dhe pushtetin e vet në të gjithë Gadishullin Arabik.

Faktori që ka lidhur fisin Al Saud dhe vehabizmin, ka qenë nevoja e të dy palëve për njëra-tjetrën. Vehabizmi nën hijen e shpatës dhe pasurisë së plaçkitur, arriti të vazhdojë jetën e tij dhe fisi Al Saud duke shfrytëzuar motot e vehbaizmit për qëllime politike, shtoi pasurinë dhe zgjeroi pushtetin e tij. Përkundër pretendimeve të vehabistëve bashkëkohor, ata nuk sulmonin vetëm myslimanët shiitë sepse viktimë kryesore e sulmeve dhe agresionit të vehabistëve ishin të gjithë myslimanët e tjerë në përgjithësi dhe myslimanët hanbeli në veçanti. Kjo është në kohën kur vehabistët bashkëkohorë mundohen që vetëm myslimanët shiitë t’i prezantojnë si armiq dhe për të luftuar hap pas hapi, sëpari mundohen t’i bashkojnë edhe myslimanët sunitë në luftën kundër myslimanëve shiitë dhe pastaj do t’i vije radha edhe myslimanëve sunitë. Ky realitet dëshmohet më se miri duke hedhur një vështrim të shkurt mbi historikun dhe veprimet e vehabizmit duke, përfshirë edhe vrasjen e myslimanëve sunitë gjatë periudhave të ndryshme. Muhamed bin Abdulvahab me leximin që paraqiti rreth fesë, të gjithë myslimanët i konsideronte jobesimtarë dhe grupi i parë i myslimanëve që u akuzuan për mosbesim nga ana e tij, ishin banorët e rajonit Naxhd. Sipas mendimit të tij, të gjithë myslimanët e rajonit Naxhd janë jobesimtarë, prandaj lejohet derdhja e gjakut të tyre, plaçkitja e pasurive të tyre dhe skllavërimi i grave dhe femrave myslimane të këtij rajoni. Sipas tij, mysliman është vetëm ai i cili ndjek rrugën e Muhamed bin Abdulvahab dhe të Muhamed bin Saud”. Një qasje e tillë i la të lira duart e regjimit Al Saud që të vrasë myslimanët e rajonit Naxhd. Kur u vendos besëlidhja mes Muhamed bin Abdulvahab dhe Muhamed bin Saud, rajoni i parë që shijoi shijen e agresionit, plaçkitjes dhe dhunës së shpatës së vehabistëve, ishte rajoni i Riadit i cili ndodhej në afërsi të rajonit Dir’ija. Lufta mes Riadit dhe Dir’ijas ka zgjatur rreth 30 vite. Muhamed bin Saud nuk arriti ta pushtojë Riadin për shkak të forcës që kishte Damam bin Davas, guvernatori i Riadit. Gjatë këtyre luftërave përveç shkatërrimeve dhe të plagosurve, janë vrarë mbi 4000 njerëz. Më në fund në vitin 1187 hixhri kameri, djali i tij Abdulaziz bin Muhamed me një ushtri të përbërë nga kriminelë, u nis drejt Riadit. Ushtria e Abdulaziz bin Muhamed bin Saud i preu të gjithë banorët e Riadit, i robërojë grat dhe vajzat dhe në Riad nuk mbeti asnjë mashkull. Nuk ka dyshim se njeriu pavarësisht çfarëdo urrejtje që mund të ketë, ka ndjenjën e dashurisë ndaj vendlindjes së tij. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Dashuria ndaj vendlindjes është pjesë e besimit”. Qyteti Ujajnah ishte vendlindja e Muhamed bin Abdulvahab dhe etërve të tij, ndërsa babai i tij për shumë vite ka shërbyer si gjykatës në këtë qytet. Banorët myslimanë të këtij qyteti i përkisnin medhëhebit hanbeli, mirëpo banorët e këtij rajoni ishin të parët që shijuan dhe përjetuan agresionin, shkatërrimin dhe vrasjet masive që janë kryer me fetva e Muhamed bin Abdulvahab dhe me urdhrin e Muhamed bin Saud.

Othman bin Muamar, guvernatori i qytetit Ujajnah, pasi u informua për mendimet e devijuara të Muhamed bin Abdulvahab në lidhje me mësimet islame, e dëboi atë nga qyteti Ujajnah. Muhamed bin Abdulvahab  u strehua pranë Muhamed bin Saud, guvernatorit të qytetit Dir’ija i cili ishte edhe armik i Othman bin Moamar dhe menjëherë dha fetvanë se Othman bin Muamar ka dal nga feja dhe është jobesimtar, prandaj vrasja e tij është obligim fetar. Pas kësaj fetvaje, disa ndjekës të Muhamed bin Abdulvahab ditën e premte në muajin raxhab të vitit 1169 hixhri kameri, e vranë Othman bin Muamar pasi ai përfundoi faljen e namazit të së premtes. Pas kësaj ngjarje, Muhamed bin Abdulvahab hyri në qytetin Ujajnah dhe shkatërroi tërësisht shtëpinë e Othman bin Muamar dhe e emëroi një person tjetër në postin e guvernatorit të këtij qyteti. Pas një periudhe, banorët e këtij rajoni nuk mund ta duronin sektin e ri të vehabizmit dhe u ngritën në kryengritje, mirëpo kryengritja e tyre u shtyp me dhunë dhe në mënyrë të pamëshirshme. Ushtria e vehabistëve vrau burrat dhe fëmijët, ndërsa femrat i robëroi, shkatërroi shtëpitë dhe djegu të gjitha fushat bujqësore dhe kopshtet. Pas kësaj ngjarje, qyteti Ujajnah u shndërrua në një vend i gërmadhave. Në këtë mënyrë çdo rajon që nuk pranonte idetë e sektit vehabist dhe tregonte rezistencë përballë ushtrisë vehabiste, e priste vrasja, robërimi i grave dhe vajzave dhe shkatërrimi i tërësishëm. Do të thotë përballej me veprime të njëjta me ato të grupit terrorist takfirist ISIS gjatë këtyre viteve të fundit.

Tags

Aug 29, 2016 10:07 CET
Komente