Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Lideri suprem i revolucionit islamik theksoi se xhamia duhet të jetë qendër e formimit të njeriut, e rezistencës ndaj armikut, e përsosjes së zemrës dhe botës dhe krijuese e kushteve për formimin e civilizimit islamik. Ajetollah Khamenei, Lider suprem i revolucionit islamik, duke folur javën e kaluar në një takim me imamët e xhamive të provincës Teheran me rastin e Ditës botërore të xhamisë, e cilësoi xhaminë si bërthama e qëndresës kulturore dhe bazë e aktiviteteve sociale dhe shtoi:" Në historinë islame xhamia ka qenë qendër për këshillim, bashkëpunim dhe vendimmarrje mbi çështjet e rëndësishme sociale, politike dhe ushtarake." Lideri suprem i revolucionit islamik përsa i përket qëllimit të emërimit të Ditës botërore të xhamisë, theksoi:" Kjo ditë është miratuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik me kërkesë të Republikës Islamike të Iranit për shkak të djegies së xhamisë Al Aksa nga sionistët dhe për të sensibilizuar Ummetin islam për nevojën e rezistencës kundër regjimit sionist, prandaj kjo ditë ka domethënie të madhe." Ajetollah Khamenei, revolucionin islamik e cilësoi si një tërmet në zemër të sistemit shtypës botëror dhe theksoi:" Në sajë të Islamit revolucionar dhe të revolucionit islamik dështoi qëllimi kryesor i fuqive arrogante, pra sundimi i rajonit të Lindjes së mesme." Lideri suprem i revolucionit islamik shtoi:" Nëse nuk do të ishte besimi dhe devotshmëria ndaj Islamit, edhe Irani ashtu si të tjerët, do të ishte nën sundimin e Amerikës dhe fuqive të tjera dhe kjo është arsyeja që arrogantët kanë armiqësi të thellë e të pafundme ndaj fesë së popullit." "Megjithë armiqësitë e gjera, të komplikuara, të hapura e të fshehta të fuqive arrogante, Republika Islamike e Iranit po fuqizohet dita-ditës dhe në sajë të besimit dhe unitetit të popullit, komplotet e armiqve do të dështojnë edhe në të ardhmen. Në përfundim, Lideri suprem i revolucionit islamik theksoi: "Islami sekular dhe i kufizuar në ritualet personale dhe shoqërore, edhe nëse do të ketë përkrahës të shumtë, nuk do të luftohet nga fuqitë sunduese, sepse ai që luftohet nga këto fuqi arrogante është Islami i fuqishëm që krijon sistem social-politik dhe që i drejton popujt drejt lumturisë së vërtetë në këtë botë dhe në ahiret."

Lideri suprem i revolucionit islamik, duke vlerësuar përpjekjet e qeverisë iraniane, shtoi se Java e Qeverisë është një rast për të raportuar para popullit mbi punët e bëra nga qeveria dhe për përmirësimin e të metave që janë vënë re gjatë kësaj periudhe. Ajetollah Khamenei, lideri suprem i revolucionit islamik, në takimin e zhvilluar me presidentin dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, duke uruar javën e qeverisë, nderoi kujtimin e dëshmorëve Rexhai dhe Bahonar (ish presidenti dhe ish kryeministri i Iranit), duke i cilësuar ata si shembuj të devotshmërisë, përpjekjeve dhe vetëmohimit dhe shtoi: ''Për fat të keq, disa po përpiqen që për autorët e këtij krimi të krijojnë një klimë pafajësie''. Në vazhdim Lideri suprem foli mbi raportin e prezantuar nga presidenti dhe disa anëtarë të qeverisë mbi përpjekjet dhe projektet e realizuara dhe shtoi: ''Këto raporte të dobishme duhet t’i përcillen popullit, sepse kapitali kryesor është populli dhe besimi dhe shpresa e tij.'' Lideri suprem e këshilloi qeverinë që të qëndrojë larg debateve sidomos në muajt e ardhshëm kur nis dhe fushata elektorale dhe shtoi se qeveria në asnjë mënyrë nuk duhet të merret me debatet dhe çështjet elektorale, por deri në ditën e fundit të vazhdojë punët dhe përpjekjet për realizimin e programeve dhe zgjidhjen e problemeve të popullit, sepse kjo do të ishte fushata më e mirë elektorale për qeverinë. Vlen të theksohet se më 23 gusht 2016 filloi Java e qeverisë së RII, për nder të ish presidentit Mohamed Ali Rexhai dhe ish kryeministrit Mohamed Xhevad Bahonar, të cilët u martirizuan në vitin 1981 në një sulm terrorist të grupit terrorist Monafekin (MKO).

Javën e kaluar, RTV i RII ishte organizator i takimit vjetor të Fondit të Zhvillimit të Radio-Televezioneve të Azisë dhe Oqeanisë (AIBD). Ky fond është krijuar në vitin 1977 nën kujdesin e UNESCO-s dhe takimi i zhvilluar javën e kaluar në Teheran ishte takimi i 42-të i AIBD. Njëkohësisht me këtë takim, u shpërndanë edhe disa çmime për produktet më të mira radio-televizive. Çmimi për programin më të mirë televiziv iu dha dokumentarit koreanojugor ''Bagan dhe perandoria e madhe'' ku trajtohet çështja e ringjalljes së trashëgimisë kulturore të popujve. Çmimin për programin më të mirë televiziv me temë përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes e mori emisioni i kanalit Press Tv, me titull ''Fëmijët e Shingalit'' me autor Bizhan Zaman Piera. Përsa i përket emisionit më të mirë radiofonik, fituesi ishte emisioni kinez me titull ''Në portin e Tian Xhin'' ku flitet për përpjekjet e një fshati për të dalë nga izolimi dhe varfëria.

Spikeri

Javën e kaluar, perëndoi një yll i ndritur i qiellit të kulturës dhe artit të Iranit. Davud Rashidi, një nga aktorët më të mirë të kinematografisë iraniane u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare pas një infrakti në zemër. Ky artist, gjatë karrierës së tij artistike ka luajtur shumë role mbresëlënëse dhe për më shumë se gjysmë shekulli shkëlqeu në skenat e ndryshme të artit teatral dhe kinematografik iranian. Davud Rashidi shkëlqeu jashtëzakonisht në filmat televiziv ''Imam Ali (as)'', ''Vilajeti i dashurisë'', ''Një mijë tregime'' si dhe në serialin ''Mokhtarname''. Presidenti i RII dr. Hasan Ruhani, në mesazhin e ngushëllimit me rastin e vdekjes së këtij artisti të madh, shkruan: ''Ky regjisor dhe aktor i madh i kinemasë, teatrit dhe televizionit ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e  artit të këtij vendi dhe të gjithë jetën e tij ia kushtoi artit iranian, prandaj mbetet i përjetshëm në historinë e artit të Iranit.'' Mesazhe ngushëllimi për vdekjen e Davud Rashidi kanë dërguar edhe drejtori i përgjithshëm i RTV të RII z. Ali Askeri, ministri i Kulturës dhe Edukimit z. Ali Xhanati si dhe kryetari i Parlamentit të Iranit z. Ali Larixhani.

Javën e kaluar,  Lideri suprem i revolucionit islami falenderoi të gjithë fituesit e medaljeve, sportistët dhe trajnerët që përfaqësuan Iranin në lojërat olimpike Rio 2016.

Në mesazhin e Ajetollah Khameneit drejtuar sportistëve iranianë thuhet:” Kampionët që duke fituar medalje gëzuan zemrat e popullit iranian, kampionët që për shkak të padrejtësive u privuan nga e drejta e tyre, të gjithë sportistët, vlerat e të cilëve nuk zbehen megjithëse nuk fituan, të gjitha femrat sportiste e në veçanti vajza me hixhab që duke fituar medalje shkëlqeu dhe nderoi  të gjitha femrat iraniane, të gjithë trajnerët dhe funksionarët e sportit, ju uroj mirëseardhjen dhe ju falenderoj përzemërsisht për përpjekjet e bëra për ta përfaqësuar sa më denjësisht Iranin në lojërat olimpike.” Karvani sportiv olimpik iranian duke fituar 3 medalje të arta, 1 argjendi dhe 4 bronzi u rendit i 25-ti në botë.

"Fitorja ndaj ISIS-it do të forcojë unitetin kombëtar mes shiitëve, sunitëve dhe kurdëve të Irakut"- deklaroi Admiral Ali Shamkhani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë kombëtare të RII në takim me kryetarin e Parlamentit të Irakut. Javën e kaluar, admiral Shamkhani priti në Teheran kryeparlamentarin irakian Selim Al Xhaburi me të cilin diskutoi mbi zhvillimet me të cilin diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në Irak e në veçanti mbi ofensivën për çlirimin e Mosulit. Sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë kombëtare të RII shprehu besimin se operacioni për çlirimin e Mosulit do të kryhet me sukses me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve irakiane dhe duke vendosur në prioritet interesat kombëtare të Irakut. Ai shtoi se Irani do të vazhdojë ndihmat për Irakun në këto kushte të vështira dhe vendimtare deri në varrosjen e plotë të terrorizmit takfirist. Kryetari i Parlamentit të Irakut, Selim Al Xhaburi, shprehu falënderimet për ndihmat e pakursyera të Iranit për qeverinë dhe popullin irakian në përballjen me terrorizmin që e cilësoi si rrezikun më të madh që i kanoset popujve të rajonit.

Javën e kaluar, shefi i diplomacisë iraniane zhvilloi vizita në  gjashtë vende të Amerikës Latine, Kubë, Bolivi, Nikaragua Kili, Venezuelë dhe Ekuador. Muhamed Xhavad Zarif në takimin që pati me Raul Kastro presidentin e Kubës, theksoi zgjerimin e bashkëpunimeve dypalëshe mes Republikës Islamike të Iranit dhe Kubës. Në këtë takim ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit dhe presidenti i Kubës diskutuan mbi zgjerimin e bashkëpunimeve dypalëshe sidomos në sektorin e ekonomisë dhe çështjet ndërkombëtare. Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit është takuar dhe ka biseduar me presidentin e Nikaraguas. Muhamed Xhavad Zarf Iranit u takua me Daniel Ortega president i Nikaraguas me të cilin diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimeve ekonomike mes dy vendeve sidomos në kushtet pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore. Gjatë vizitës në Nikaragua, shefi i diplomacisë iraniane u takua edhe me Samuel Santos Lopez ministër i jashtëm i Nikaragua  si dhe gjatë vizitës që kreu në parlamentin e këtij vendi u takua me zv/kryetarin e parlamentit të Nikarguas. Ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit ka zhvilluar takime edhe me funksionarë të lartë të Bolivisë, Ekuadorit, Kilit dhe Venezuelës, ku ka shprehur gatishmërinë e RII për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me këto vende. Gjatë vizitave në këto vende, shefi i diplomacisë iraniane është shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga 60 funksionarë dhe drejtues të lartë ekonomik të sektorit shtetëror dhe atij privat.

 

 

Sep 01, 2016 03:52 CET
Komente