Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar ngjarjeve më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Javën e kaluar, presidenti i Francës ka theksuar në ekzistencën e një sistemi mbrojtës dhe të sigurisë së përbashkët të Evropës në kuadër të NATO-s. Francois Hollande i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Rumani, të martën në një konferencë për shtyp, ka theksuar në kapacitetin mbrojtës së Evropës dhe ka deklaruar se evropianët duhet të kenë sistemin e mbrojtjes dhe të sigurisë të veçantë për vete. Shumica e vendeve evropiane janë anëtare të NATO-s dhe dëshirojnë të qëndrojnë në këtë organizatë ushtarake dhe ta luajnë rolin e tyre në këtë organizatë, mirëpo njëkohësisht dhe në kuadër të NATO-s duhet ta organizojnë vetën nga aspekti ushtarak dhe i mbrojtjes. Vendet evropiane në aspektin ushtarak dhe të mbrojtjes nuk mund të jenë të varura nga një mik i jashtëm, prandaj duhet të rrisin kapacitetin e tyre ushtarak dhe mbrojtës. Ideja për krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane është përkrahur edhe nga presidenti i Komisionit Europian. Bashkimi Europian ka nevojë për një seli ushtarake, për të pasur mundësi të punojë drejt një force të përbashkët ushtarake. Kështu është shprehur presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker përpara europarlamentarëve në Strasburg. Ai tha se mungesa e një “strukture të përhershme” rezulton në shpërdorimin e parave në misione të shumta. Por Juncker tha se një forcë e përbashkët ushtarake “do të ishte plotësuese e NATO-s”. “Më shumë mbrojtje në Europë nuk do të thotë më pak solidaritet transatlantik”. Sipas tij, një fond i përbashkët për mbrojtjen europiane do të stimulonte kërkime ushtarake dhe zhvillime më të mira. Edhe liderët e Republikës Çeke dhe Hungarisë kanë deklaruar se për të forcuar sigurinë në Bashkimin Europian duhet një ushtri e përbashkët europiane. “Ne duhet t’i kushtojmë prioritet sigurisë, kështu që le të fillojmë të ngremë një ushtri të përbashkët europiane”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban. Ndërsa kryeministri çek Bohuslav Sobotka theksoi se, ngritja e një ushtrie të përbashkët nuk është e lehtë, por bëri thirrje që të nisin sa më shpejt punimet në këtë drejtim. Një projekt i tillë është kundërshtuar fuqishëm nga qeveria e Britanisë së Madhe, e cila është shprehur kundër çdo lëvizjeje jashtë fushëveprimit të NATO-s. Bashkimi Europian ka njësi të përbashkëta mbrojtjeje në formën e 1.500 grupeve luftarake, por këto nuk janë testuar ende në një betejë të vërtetë.

Javën e kaluar, Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker deklaroi se e sheh BE-në në një krizë ekzistenciale. Shtetet anëtare flasin tepër shpesh vetëm për interesat e tyre nacionale, tha ai në një fjalim për gjendjen e BE. Dalja nga BE e Britanisë së Madhe nuk është për Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker fillimi i një procesi shpërbërjeje të Evropës. Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e britanikëve, "por Bashkimi Evropian nuk ndodhet i kërcënuar në stabilitetin e tij", tha Juncker në fjalimin e tij për gjendjen e BE para Parlamentit Evropian në Strasburg. Disa zhvillime megjithatë të lënë të kuptosh se "pjesërisht ne kemi të bëjmë me një krizë ekzistenciale të BE"- shtoi ai. Juncker i kritikoi qeveritë e BE se u japin shumë shpesh interesave nacionale përparësi: "Numri i sektorëve në të cilët ne punojmë me solidaritet është tepër i vogël." Ai paralajmëroi që kjo çon ujë në ullirin e populistëve. "Populizmi nuk zgjidh probleme - përkundrazi: populizmi krijon probleme." Dy ditë para takimit të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive për të ardhmen e Bashkimit Evropian Junckeri kërkoi "një pasqyrë të ndershme të gjendjes" dhe më tepër përpjekje kundër papunësisë dhe për një Evropë më sociale. Për ta kapërcyer rënien ekonomike në Evropë, Juncker do ta dyfishojë programin e investimeve të nisur në vitin 2014: në vend të 315 miliardë eurove brenda tri vjetëve, deri në vitin 2020 tani do të investohen 630 miliardë euro, tha Presidenti i Komisionit Evropian. I ashtuquajturi plan Juncker do të nxisë me një pjesë të vogël të parave publike para së gjithash investimet private. Kapitali fillestar ishin 21 miliardat në "Fondin Evropian për Investime Strategjike" (EFSI). Negociatat e reja me Kanadanë për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Ceta Junckeri i përjashtoi në fjalën e tij. "Garancitë, për të cilat kemi nevojë mund të precizohen dhe të negociohen në parlamente", tha ai. "Por negociata të reja nuk mund të ketë". Ceta është marrëveshja "më e mirë dhe më e përparuar tregtare" që ka lidhur ndonjëherë BE, tha Juncker. Në shtetet anëtare të BE kritikohet para së gjithash ngritja e gjyqeve të arbitrazhit për zgjidhjen e konflikteve. Në lidhje me negociatat e daljes së Britanisë së Madhe nga BE, Juncker tha se Britania e Madhe nuk mund të ketë akses në "një treg të brendshëm (të BE) sipas dëshirës së saj". Aksesi i papenguar në hapësirën ekonomike evropiane do t'i ofrohet qeverisë britanike vetëm kur ajo të pranojë qarkullimin e papenguar të qytetarëve. Në këtë kuadër kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE do të mblidhen në Bratislavë për të vendosur piketat për një riorientim të BE. Pikërëndesat, sipas Presidentit të BE, Donald Tusk do të jenë para së gjithash çështjet e sigurisë dhe mbrojtja e kufijve.

Javën e kaluar, Parlamenti i Anglisë ka pohuar se ndërhyrja ushtarake e këtij vendi në Libi në vitin 2011, është bërë duke u bazuar në informacione të gabuara. Komiteti për çështje të jashtme në Parlamentin e Anglisë ka publikuar rezultatet e raportit të hetimeve të tij në lidhje me pjesëmarrjen e këtij vendi në operacionet ajrore kundër forcave të ush-diktatorit libian Moamar Ghadafit. Në këtë raport thuhet se David Kamerun, ish-kryeministri i Anglisë në atë kohë, nuk ka patur ndonjë strategji të caktuar në këtë drejtim dhe vendimi për ndërhyrje në këtë luftë është marrë pa informacion të saktë dhe të besueshëm. Në raportin e komitetit për çështje të jashtme në Parlamentin e Anglisë thuhet se qeveria e këtij vendi nuk arriti të përcaktojë se rreziku i regjimit që kërcënonte civilët në këtë vend ka qenë i ekzagjeruar dhe në fend që të bazohet në informacione të sakta, më tepër u ka dhënë rëndësi deklaratave kërcënuese të Moamar Ghadafit. Hartuesit e këtij raporti kanë thënë se rreziku i krijimit të grupeve ekstremiste dhe radikale duke shfrytëzuar trazirat kundër pushtetit, mund të parashikohej edhe para rrëzimit të regjimit të Moamar Ghadafit, mirëpo qeveria e Anglisë ka anashkaluar këtë çështje dhe strategjinë e saj e ka hartuar në bazë të hipotezave të gabuara dhe perceptimeve të mangëta rreth realitetit. Përgjegjës kryesor për këtë çështje është David Kamerun i cili ka marrë drejtimin e qeverisë që nga viti 2010 dhe ai ka luajtur rol të drejtpërdrejtë në këtë vendimmarrje. Koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Britania dhe Franca nisën bombardimet ndaj forcave të Muammar Gaddafit në mars të vitit 2011, pasi regjimi libian kërcënoi se do të sulmonte qytetin rebel të Bengazit. Por, pas rrëzimit të Gaddafit, Libia u mbërthye nga kaosi i shkaktuar prej disa qeverive rivale dhe qindra milicive armike, si dhe u krijua terren për forcimin e ISIS.

Javën e kaluar BE i shtoi përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së refugjatëve sirianë. Bashkimi Europian ka miratuar dhënien e një fondi prej 348 milionë eurosh për të ndihmuar emigrantët që po qëndrojnë aktualisht në Turqi. Lajmi është komunikuar nga Komisioneri i unionit për ndihmat humanitare dhe menaxhimin e krizave, Kristos Stilianidhis, i cili theksoi se pagesat do t’u kalojnë refugjatëve përmes kartave të kreditit. Ai u shpreh se fondi është ngritur nga buxheti i Bashkimit Europian si dhe nga buxhetet e vendeve anëtare. “Me 348 milionë euro të cilat kanë ardhur nga buxheti i BE-së dhe nga buxhetet e vendeve anëtare, ne po fillojmë një Rrjet Emergjence për Sigurinë Sociale. Ky fond do të shkojë për emigrantët që ndodhen aktualisht në vështirësi në territorin turk. Refugjatëve do t’u jepet nga një kartë krediti, ku çdo muaj do t’u transferohen para. Në këtë mënyrë, ata do të kenë mundësi që të sjellin ushqim në familjet e tyre, do të kenë mundësi të gjejnë strehim si dhe do të kenë mundësi që të dërgojnë fëmijët në shkolla.” Bashkimi Europian dhe qeveria e Ankarasë kanë rënë dakord që Turqia të frenojë fluksin e emigrantëve që vijnë drejt kontinentit të vjetër në këmbim të një fondi total prej tre miliardë eurosh si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët turq. Megjithatë, kjo marrëveshje është kritikuar shumë nga organizatat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut. Gjithashtu, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka patur me Brukselin, Ankaraja ka paralajmëruar se mund t’a anulojë akordin. Aktualisht në territorin turk po qëndrojnë afro 3 milionë azil-kërkeus, duke ju referuar shifrave të publikuara nga zyrtarët e Bashkimit Europian.

 

Sep 17, 2016 02:42 CET
Komente