Zhvillimet e javës së kaluar në SHBA u dominuan nga debati i dytë televiziv mes kandidatëve presidencialë dhe emisionin tonë të kësaj jave ia kemi kushtuar kësaj teme.

Publikimi i një videoje, ku Donald Trump dëgjohet duke bërë disa komente tepër vulgare për gratë, e ka detyruar këtë të fundit të kërkojë ndjesë. Videoja e publikuar rishtazi nga “Uashington Post”, është xhiruar në vitin 2005 gjatë xhirimeve për pjesëmarrjen e miliarderit në një telenovelë, pak muaj pas martesës me bashkëshorten e tij të tretë. “Këto fjalë nuk reflektojnë atë që unë jam”, u shfajësua biznesmeni njujorkez, i cili nuk mund të qëndrojë larg polemikave. Deklaratat e manjatit të pasurive të paluajtshme ngjallën menjëherë reagimet e ashpra edhe brenda radhëve të republikanëve.  Kryetari i Dhomës së Parlamentit, Paul Ryan, tha se ajo që kishte dëgjuar i ngjallte neveri, ndërsa John McCain pohoi se nuk kishte justifikim për komentet fyese të Trumpit. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan Paul Ryan u ka bërë thirrje republikanëve që të merren me fushatat e tyre të rizgjedhjes dhe të marrin vendime individuale mbi mënyrën se si do të sillen ndaj Trump. Zëdhënësi i fushatës së Trump iu përgjigj këtyre lajmeve duke thënë se asgjë s’ka ndryshuar pasi Trump mbështetet nga lëvizjet politike dhe jo nga Uashingtoni. Dhjetëra republikanë kanë dezertuar radhët e mbështetësve pas publikimit të incizimeve me etiketime vulgare të Trump ndaj grave. Për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, komentet janë të tmerrshme. “Nuk mund ta lejojmë këtë njeri të bëhet president”, shkruajti ajo. Gjithsesi Trump u përpoq të minimizonte impaktin duke sulmuar ish-presidentin Bill Clinton, i cili sipas tij kishte abuzuar me gratë ndërsa Hillary i kishte tallur dhe sulmuar viktimat e bashkëshortit. Ai deklaroi qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara presidenciale. “Shanset që unë të largohem janë zero”. Me këtë koment, Donald Trump e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara presidenciale pas publikimit të një videoje të regjistruar në 2005-n, ku tregonte sesi u afrohet grave për t’i kërkuar favore seksuale. Ngjarja ka bere jehonë në median sociale, duke u kthyer në armën më të fuqishme që ka patur në dorë deri tani Partia Demokrate për të bindur gratë e pavendosura dhe votues të tjerë që të mbështesin Hillary Clinton.

 

Debati i dytë televiziv mes dy kandidatëve në garën për Shtëpinë e Bardhë ishte një përplasje edhe më e ashpër se e para, e mbushur me fyerje të nivelit personal. Tradita dikur e shenjtë, e përballjeve të fokusuara te shkëmbimi i komenteve mbi të ardhmen e vendit, u la mënjanë. Sondazhet tregojnë se Donald Trump ishte më mirë se herën e kaluar, por ndonëse ai pretendon të kundërtën, duket se dhe këtë fitore e rrëmbeu Hillary. Që në fillim u pa qartë se atmosfera në Universitetin “St. Louis” të Missourit nuk do të kishte qenë miqësore. Ndryshe nga radha e parë, rivalët nuk ia dhanë dorën njëri-tjetrit kur hynë në sallë. Situata shpërtheu kur u prek çështja e komenteve vulgare të Trumpit ndaj grave, të cilat mbushin prej ditësh titujt e parë të mediave vendase. Kandidati republikan u përpoq në fillim t’i shmangej pyetjes së moderatorit Anderson Cooper mbi shembullin që duhet të japin të dy ata te të rinjtë, e cila nënkuptonte në fakt episodin që shtyu një sërë republikanësh të tërhiqnin mbështetjen e tyre për manjatin njujorkez. Miliarderi u përpoq t’i shmangej përgjigjes së drejtpërdrejtë, duke ndryshuar disa herë temë. Por kur Hillary iu drejtua publikut me fjalët “Ja kush është Donald Trump”, atëherë me Bill Clintonin dhe Chelsean në sallë, 70-vjeçari u hodh në sulm duke kryqëzuar ish-presidentin dhe tradhtitë e tij bashkëshortore. “E dini, me kandidatët e mëparshëm republikanë për president nuk kam qenë dakord me politikën dhe parimet, por kurrë nuk e kam vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për t’i shërbyer vendit. Donald Trumpi është ndryshe. E dëgjuam se çfarë mendimi ka ai për gratë. Pretendon se ajo video nuk e përfaqëson, por besoj se është e qartë për të gjithë se kush është ai në të vërtetë”, u shpreh Hillary Clinton. “Shikoni një herë Bill Clintonin se është shumë më keq. Ato të mijat ishin vetëm fjalë, ai kalonte në veprim. Në historinë e politikës nuk ka pasur kurrë një njeri kaq abuziv me gratë”, u kundërpërgjigj Trump. Pas kësaj tha se po të zgjidhej president do të kërkonte një hetim të posaçëm mbi Hillaryn për çështjen e “e-mail”-eve private dhe kërcënoi se do ta çonte rivalen e tij në burg. “Gjithë çfarë the për ‘e-mail’-et është gënjeshtër, por unë çuditem. Sa mirë që ligjin në këtë vend nuk e ka në dorë dikush me temperamentin e Donald Trumpit”, tha Hillary. “Po, sepse në të kundërt do të ishe prapa hekurave”, iu kundërpërgjigj menjëherë Trump. Kandidatja demokrate zgjodhi të ndiqte filozofinë e Michelle Obamës për të mos iu përgjigjur komenteve . Në fund të debatit, dy kandidatët u pyetën se çfarë shihnin si pozitive te njëri-tjetri, pavarësisht retorikave të deritanishme. Clinton u përgjigj se respektonte fëmijët e Trumpit, ndërsa ai u shpreh se Hillary është një luftëtare që nuk dorëzohet lehtë.

Në debatin e dytë televiziv në SHBA kishte vetëm një humbës: rendi demokratik i shoqërisë. Kështu shkruante s rrjeti informativ gjerman Deutsche Welle. Hillary Clinton dhe Donald Trump luftuan me fjalë dhe ofendime të rënda për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Mbi qindra milionë spektaktorë e ndoqën debatin. Kandidatët, kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë. Sipas DW, temat e diskutuara në këtë debat si dhe gjuha e rëndë e përdorur nga dy kandidatët, dëshmoi qartë se demokracia dhe problemet reale të popullit amerikan dhe të popujve të botës, ishin gjëja më e fundit për të cilën mendojnë kandidatët presidencial në SHBA. Kjo sepse shumica e njerëzve nuk do të rrinë para ekraneve për të mësuar se kush i ka konceptet më të mira, për të përballuar problemet masive të vendit. Ata nuk duan të dinë se cilat janë idetë për të ndaluar vrasjet e përditshme në Aleppo, ose për të ndihmuar mijëra refugjatët, që mbyten në Mesdhe, sepse janë në arrati dhe në kërkim të një jete më të mirë. Ata duan të jenë të pranishëm kur Donald Trumpit t'i duhet të justifikohet për deklaratat e tij të turpshme për femrat. Dhe duan të shohin se cilën strategji do të ndjekë ai me Bill Klintonin, bashkëshortin që tradhtoi martesën, të konkurrentes së tij Hillary Clinton, për ta dëmtuar atë. Në SHBA ka mbërritur fushata elektorale për postin më të rëndësishëm politik. Kjo flet shumë për gjendjen e shoqërisë amerikane. Dhe është edhe një paralajmëruese për zhvillimin në vende të tjera. Duhet thënë hapur se çështja e madhe që shtrohet është se ku zhvillohen demokracitë në këtë botë të copëzimit në grupe të mediave sociale dhe të kulturës njëdimensionale të masmedieve. Çfarë ndodh kur qeveritë zgjidhen nga njerëz, që nuk kanë më interes për politikën, por që duan të shohin vetëm spektakël? Çfarë do të thotë kur ata që dëgjohen janë vetëm ata që flasin me zë më të lartë? Kur vetëm teoritë më të thjeshta të kurbaneve mund të jenë të suksesshme si koncepte politike? Dhe kur nuk ka elita, të cilat gjejnë përgjigje për këto çështje ekzistenciale? Njësoj si të tjerë demagogë para tij, Donald Trumpi është vetëm një fenomen i kohës së tij. Dhe ky fenomen nuk do të ketë marrë fund, kur të marrë fund fushata elektorale. Edhe kanali televiziv Euronews theksoi se humbësi i vërtetë në debatin e dytë të kandidatëve presidencial Donald Trump dhe Hillary Clinton, ishte populli amerikan. Euronews duke shtjelluar këtë çështje, shtoi: Debati mes dy kandidatëve presidencialë ishte tepër i ashpër por çështjet e diskutuara gjatë këtij debati ishin tepër të ulëta të shoqëruara me fyerje e sharje, duke zhgënjyer publikun amerikan.

 

Javën e kaluar, gazeta amerikane New York Times hodhi dyshime se kandidati republikan për president Donald Trump ka shmangur shlyerjen e taksave për më shumë se 18 vite. Gazeta pretendoi se ka dokumenta të cilat dëshmojnë se miliarderi deklaroi një humbje prej më shumë se 900 milionë dollarë si pasojë e deklarimit të të ardhurave në 1995. Sipas New York Times humbja është kaq e madhe sa mund ti ketë mundësuar kandidatit republikan të shmangë shlyerjen e taksave në mënyrë të ligjshme për më shumë se 18 vite. Deri tani Donald Trump ka refuzuar të deklarojë të ardhurat dhe shlyerjen e taksave dhe as ka mohuar dhe as konfirmuar humbjen e deklaruar. Kandidatja demokrate Hillary Clinton e ka sulmuar rivalin e saj republikan për këtë çështje madje në debatin e parë mes tyre ajo tha se ai po fsheh diçka të tmerrshme. Kur Clinton e akuzoi se nuk po paguante taksat, Trump iu përgjigj: Kjo nënkupton se jam i zgjuar. Drejtuesit e fushatës së miliarderit reaguan pas shkrimit të New York Times duke e akuzuar gazetën si një zgjatim të fushatës së Clinton, ndërsa sqaruan se Trump është një biznesmen i përgjegjshëm që ka shlyer taksat sipas ligjit. Ndërkohë që kanë mbetur edhe 5 javë për fushatën mes dy rivalëve, sondazhet nxjerrin në krye demokraten Klinton me një avantazh prej 3-4 %.

 

 

Oct 23, 2016 10:31 CET
Komente